Jesar Sh., 20 vjeç banues në Tiranë, por edhe në Shkodër në Postribë, është arrestuar nga blutë e kryeqytetit, pasi në bashkëpunim me vëllain e tij, Jasar Sh., 23 vjeç, i cili është shpallur në kërkim, kishin planifikuar që të kryenin atentate me eksploziv.
Policia thotë se në kuadër të operacionit ‘Brothers’ ka sekuestruar 2 mina me telekomandë me lëndë eksplozive C4 peshë 300 gram, të programuara për shpërthim në distancë (të pajisura me aparat celular dhe me kapsolla detonatore), të cilat dyshohet se do të përdoreshin për kryerjen e ngjarjeve të rënda kriminale. Gjithashtu janë sekuestruar aparati celular i 20-vjeçarit të ndaluaR, si dhe një përforcues grushti (dorezë metalike).
Burime policore bëjnë me dije se dy vëllezërit dyshohet se ishin pjesë në një grupi të strukturuar kriminal në Shkodër, por që kishin edhe bazë në Tiranë.
Minat përgatiteshin në mënyrë artizanale për t’u përdorur më vonë për atentate. Dyshohet se lënda shpërthyese ishte përgatitur për larje hesapesh mes bandave, ose e porositur nga persona të tjerë për ndonjë atentat të mundshëm.
Në lidhje me ngjarjen po vijojnë hetimet, në drejtimin e Prokurorisë së Tiranës, për të dokumentuar implikimin e personave të tjerë, të përfshirë në këtë veprimtari kriminale.
Tiranë/Finalizohet operacioni policor i koduar “Brothers”.
Puna hetimore dhe profesionale e specialistëve të Hetimit të Krimeve të Komisariatit të Policisë Nr. 3, ndjekur me metoda speciale, parandalon ngjarje të rënda kriminale që do të kryheshin me shpërthim të telekomanduar të lëndës plasëse.
Gjatë hetimeve për këtë rast janë sekuestruar 2 mina me telekomandë, me eksploziv C4 me peshë 300 gram, të programuara për shpërthim në distancë, që do të përdoreshin nga dy vëllezër.
Vihet në pranga njëri prej tyre, shpallet në kërkim vëllai tjetër.
Shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 3, në vijim të punës intensive për të garantuar sundimin e ligjit në të gjithë vendin, për të parandaluar ngjarjet kriminale, si dhe për të kapur dhe nxjerrë përpara përgjegjësisë penale, shtetasit që janë rrezik për rendin dhe sigurinë publike, në drejtimin e Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, kanë organizuar dhe finalizuar operacionin e koduar “Brothers”.
Si rezultat u bë ndalimi i shtetasit J. Sh., 20 vjeç, banues në Tiranë (dhe në Shkodër). Gjithashtu u shpall në kërkim vëllai i tij, shtetasi J. Sh., 23 vjeç, banues në Postribë, Shkodër.
Gjatë veprimeve hetimore të kryera në kuadër të procedimit për këtë rast, janë gjetur dhe sekuestruar, në cilësinë e provës materiale, 2 mina me telekomandë, me lëndë eksplozive C4 peshë 300 gram, të programuara për shpërthim në distancë (të pajisura me aparat celular dhe me kapsolla detonatore), të cilat dyshohet se do të përdoreshin për kryerjen e ngjarjeve të rënda kriminale. Gjithashtu janë sekuestruar aparati celular i 20-vjeçarit të ndaluar si dhe një përforcues grushti (dorezë metalike).
Vijojnë veprimet e thelluara hetimore, në drejtimin e Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, për të dokumentuar implikimin e personave të tjerë, të përfshirë në këtë veprimtari kriminale.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme.