Shkruan në Facebook deputetja e Qarkut Shkodër, Emilia KOLIQI: KUVENDI URDHËRON BASHKINË SHKODËR TË RIHAPË NË MJEDISET E SAJ ZYRAT E DEPUTETËVE PER KOMUNIKIMIN ME ZGJEDHËSIT.
Në vitin 2016, në kuadër të një projekti të financuar nga Agjencia Austriake për Zhvillim, implementuar nga Prezenca OSBE-së në Shqipëri, në bashkëpunim me Kuvendin e Shqipërisë dhe Bashkinë Shkodër, janë ngritur dy Zyra të Komunikimit me Zgjedhësit të Kuvendit, për deputetët e Qarkut Shkodër, një për mazhorancën, një për opozitën, si dhe një sallë për takime.
Me datën 12 Janar 2024, nga ana e Bashkisë Shkodër, në shkelje të marrëveshjes mes Kuvendit, Bashkisë dhe Prezencës së OSBE-së, pa asnjë paralajmërim apo vënie në dijeni, pa asnjë dakordësi ose vendim nga ana e Kuvendit, transferon Zyrat e Komunikimit me Zgjedhësit për deputetët e Qarkut Shkodër nga ambientet e katit të parë të godinës së Bashkisë, në një godinë tjetër në periferi të Shkodrës.
Për këtë veprim, krejtësisht arbitrar të Bashkisë Shkodër, iu drejtova Kryetares së Kuvendit Znj. Nikolla, Sekretarit të Përgjithshëm Z. Gjonçaj si dhe Prezencës së OSBE-së në Shqipëri.
Përgjigja e tyre ishte e qartë dhe ato iu drejtuan Bashkisë Shkodër me shkresë për të rihapur Zyrat e Komunikimit me Zgjedhësit pranë ndërtesës së Bashkisë Shkodër, në respektim të marrëveshjes të vitit 2016.
Qëllimi i ngritjes së këtyre zyrave ka qenë kontakti i vazhdueshëm me zgjedhësit, mbajtja shënim e çdo ankese të qytetarëve nga punonjësit e Kuvendit dhe raportimi tek deputetët.
Transferimi i zyrave në periferi të Shkodrës, pengon marrjen e informacionit dhe angazhimin në mënyrë aktive në procesin legjislativ të qytetarëve të ndryshëm, përfshirë të rinjtë, gratë dhe grupet e cënueshme.