Këngëtari i mirënjohur shkodran Eduard Jubani po kalon një moment të vështirë shëndetësor. Ai ndodhet nën kujdesin e mjekëve në Spitalin Rajonal të Shkodrës, në repartin e reanimacionit. Lajmin e kanë dhënë përmes rrjeteve sociale miqtë e tij.
Pavarësisht gjendjes jo të mirë shendetësore, Jubani vijon të jetë në humor dhe një nga miqtë e tij thotë se i ka bërë edhe një bejtë.
“Miq dhe shokë sot është një ditë jo mirë për artin tonë, këngëtari i mirënjohur Eduard Jubani ndodhet në reanimacion në Spitalin Rajonal të Shkodrës, për problemet kardiake.
Duke i ba vizitë sot në spital ja urova të kaluara dhe shëndet të plotë dhe sa ma shpejt ta shohim në skenat tona. Duke qenë dhe me tubacion oksigjenit në gojë dhe aty arriti të më qes një bejtë të cilën po e riprodhoj:
Falemnders dhe faqebardh…!
Siç po m’shihni në kët dhomë…!
Agron dhe Isuf mir se ardh’t…!
Me m’pa mu n’reanimacion…!
Ky pra asht i Madhi Eduard Jubani një këngëtar dhe bejtaxhi i madh. Ju uroj sherim të shpejt.”, shkruan një nga miqtë e tij, Isuf Çoku.