Për fat të keq e reja Merita Ferracaku nuk ia doli dot, pavarësisht ndihmës së gjithë shqiptarëve. Lajmin fatkeq e kanë konfirmuar koleget e saj mbrëmjen e sotme. Vetëm 5 ditë më parë u njoftuam nga miqtë e të afërmit se Merita ishte aksidentuar nga një automjet në Tiranë dhe kishtë nevojë për gjak pasi ndodhej në gjendje të rëndë në Spitalin e Traumës.
Të panumërt ishin shqiptarët që vrapuan ta ndihmonin duke dhuruar gjak. Sipas kolegeve të saj, Merita u godit tek vizat e bardha nga një makinë sapo doli nga puna pranë ish-Poligrafikut në rrugën “Ali Demi” rreth orës 23.00 të darkës.
Sipas tyre, policia dhe mediat kanë fshehur ngjarjen dhe personi që e aksidentoi nuk është në burg dhe as i ka dalë emri në media. Koleget shprehen se Merita ka nevojë për drejtësi!
Në vijim mesazhi që ka mbërritur nga një kolege:
Une jam kolege e Merites. Nje person ka goditur me makine kolegen time diten e diel data 14/01 dhe e aksidentuara ka nderruar jete sot ne spital… Lajmi nuk eshte bere publik ne asnje vend… Policia ka fshehur ngjarjen.. Dhe shoferi eshte ne arrest shtepie. Doja t’ju njoftoja qe Merita nderroi jete sot sepse goditja ishte shume fatale. Dhe nga infot qe kam nga familjaret, dhe ajo qe na ben pershtypje eshte pse djali qe e aksidentoi eshte i lire dhe pse nuk i doli emri kurre ne media. Ne asnje televizion dhe asgjekundi. Merita ka qen te vizat e bardha. Perderisa nderroi jete, goditja ka qene e madhe per shkak te shpejtesise. Dhe personi vazhdon te jete anonim. Policia nuk ka deklaruar emer. Merita ka nevoje per drejtesi! Merita ka mbaruar punen ne oren 11. Dhe ate nate ka qene duke ikur ne shpi ne kembe. Ngjarja ka ndodhur te poligrafiku ne Ali Dem. Tek S quhet. Eshte nje kthese ku jane dhe vijat e bardha. Duke kaluar rrugen djali e ka perplas. Madje as policia se ka nxjerr. Asnje media nuk e ka nxjerre. Merita ka pas pak familjare ketu dhe ata qe kane qene i kane qendruar prane ne spital. Familjaret me aq sa di po i kerkojne pamje lokalit aty prane po akoma nuk kemi asgje. Normalisht duhej te merrej policia por nuk jane marre me kete rast sepse thuhet qe kane dhene lek. Madje babi atij djalit ka shku ne spital me nje zarf ne dore dhe ne menyre shume arrogante u eshte drejtuar familjareve qe une makinen e kam nxjerre dhe djalin e kam ne shpi.
Njoftimi i policisë sonte:
Më datë 15.01.2024, në orën 01:30, është bërë arrestimi i shtetasit R. A., 22 vjeç, banues në Tiranë, për veprën penale “Shkelja e rregullave të qarkullimit rrugor” dhe materialet i kanë kaluar për veprime të mëtejshme procedurale, Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë.
Ky shtetas, më datë 14.01.2024, rreth orës 23:00, në lagjen “Ali Demi”, në afërsi të shkollës “Kushtrimi i Lirisë”, (në drejtim të Shkozës), në vendkalimin e këmbësorëve, ka aksidentuar shtetasen M. F., 36 vjeçe, banuese në Tiranë, e cila si pasojë e aksidentit është dëmtuar dhe është dërguar në spital për ndihmë mjekësore.
Gjatë kontrollit të dokumentacionit të automjetit tip “Skoda”, që drejtonte shtetasi R. A., nuk janë konstatuar mangësi, si dhe pas kryerjes së testit të alkoolit ka rezultuar se drejtuesi i automjetit, nuk kishte konsumuar alkool.
Mbrëmjen e sotme, si pasojë e dëmtimeve të marra nga aksidenti, shtetasja M. F., ka ndërruar jetë.
Policia po vazhdon kryerjen e veprimeve të mëtejshme procedurale.