Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Malësi e Madhe, menjëherë pasi një gazetar i emisionit “Piranjat”, ka kallëzuar se nëpërmjet një llogarie në Instagram, që reklamonte automjete me qira, mashtroheshin qytetarë, kanë organizuar punën për të nxjerrë përapara përgjegjësisë penale autorin/ët.
Nga veprimet hetimore dhe procedurale është identifikuar dhe arrestuar shtetasi O. K., 29 vjeç, si dhe është shpallur në kërkim kushëriri i tij, shtetasi A. K., 29 vjeç, të dy banues në Koplik.
Këta shtetas iu merrnin para qytetarëve, pasi i mashtronin se do t’iu jepnin me qira, automjete që kishin reklamuar në faqen e tyre në Instagram. Sapo merrnin paratë, shtetasit ndërpritnin komunikimin me klientët, pa ofruar shërbimin për të cilin ishin paguar.
Vijon puna për kapjen e shtetasit A. K.
Policia falënderon gazëtarët e emisionit “Piranjat”, për denoncimin e rastit, si dhe fton ata, median dhe qytetarët që të kallëzojnë çdo paligjshmëri që hasin. Reagimi ndaj autorëve të tyre do të jetë i menjëhershëm dhe me ashpërsinë e ligjit.