Teatri “Migjeni” është kthyer këto orët e fundit në “kalë beteje” politike në Shkodër. Çdo gjë mund të mendohej, përveç përdorimit të këtij institucioni të shenjtërisë artistike shqiptare për politikën e ditës. Termi teknik apo teknikaliteti i fjalës “shkrirje” krijoi një “fortunë në gotë uji”, stërkalat nga e cila, për shkak të ndjeshmërisë së lartë për artin të shkodranëve, arritën të dalin nga gota e xhamtë.
Edhe një shqiptari apo shqipnjohësi në Alaskë po ti pohoje se “teatri do të shkrihej”, do gajasej së qeshuri. Ndoshta, i ngjashëm edhe me reagimin me humor therës të Arian Çuliqit, drejtorit të radhës në këtë institucion: Edhe unë kam dëgjuar për shkrirje por më shumë mund të flitet për ngrirje me temperaturat e ulëta.
Pse është “fortunë në gotë uji”?
Ta nisim nga fillimi. Bashkia e Shkodrës prej shumë e shumë vitesh, ka një faqe interneti (www.bashkiashkodër.gov.al). Në këtë hapërisë në rrjet, ka edhe një menu në krye të saj. Çdokush mund të klijojë tek “KËSHILLI BASHKIAK” dhe hapet një menu tjetër, ku mes linqeve, është edhe ai “Vendimet e këshillit bashkiak” (i treti nga lart poshtë). Pasi klikon, dalin në sërë vendimesh, zakonisht të mbledhjes së fundit, janë të parët. E kështu, duke klikuar mbi “Vendim i Këshillit Bashkiak Nr.: 54 Dt.: 29.12.2023”, në pjesën e poshtme të tij, lexon [Shkarko Aktin] dhe duke klikuar mbi të, zbulohet “misteri” i madh.
E gjithë “fortuna” ka lidhje me këtë vendim, në saje të të cilit, është miratuar “shkrirja” e disa institucioneve (aktin për lehtësi të lexuesve tanë, mund ta lexoni të plotë më poshtë). Kjo “shkrirje” që krijoi “fortunën në gotë”, ka lidhje me strukturën e re të Bashkisë Shkodër, miratuar nga Këshilli Bashkiak në mbledhjen e fundit të 2023- it, me 29 dhjetor, me 31 vota këshilltarësh nga 51 që janë gjithsej. Pyetja normale, e parë, do të ishte: Këshilltarët që votuan kundër apo abstenuan, nuk e kishin lexuar këtë projektvendim që nuk reaguan atë ditë në sallë, kur edhe mbledhja transmetohej “live” nga të gjitha mediat?!
Nuk është çudi të mos kenë patur dijeni, as edhe për projektvendime të tjera. Këto 31 vite kanë treguar se këshilltarët e kanë ndarë mendjen para se të futen në sallë, do të votojnë pro ose kundër politikisht. Kaq, nuk ka rëndësi çfarë aktesh kanë përpara. Me gjasë, kështu ka ndodhur edhe në këtë rast. Pas miratimit nga Këshilli Bashkiak, Prefekti i Qarkut shprehet mbi ligjshmërinë e vendimeve të marra nga këshilli bashkiak. Kur miratohen, aktet marrin fuqinë ligjore dhe publikohen me firmën e titullarëve. Në rastin konkret, firmos kryetari Oltion Luli dhe sekretari Denis Lesha. Siç lexohet në akt, ai është zbardhur me 4 janar 2024. Por sërish, ata që ishin kundër, nuk u ndjenë, nuk reaguan.
Reagimi erdhi kur, në zbatim të vendimit të mësipërm, kryetari i Bashkisë Shkodër nxorri urdhrin që vendimi të zbatohej nga administrata bashkiake. Këtu shpërthejnë reagimet në rrjet për “shkrirje” të teatrit “Migjeni”. Pavarësisht se vendimi është marrë me 29 dhjetor 2023, u zbardh me 4 janar 2024, urdhri i kryebashkiakut doli me 24 janar 2024, “fortuna në gotë uji” nisi me 26 janar 2024, thua se ishte bërë ndonjë zbulim i madh.
Po cila është arsyeja? Pa më të voglin dyshim, politike. Sidomos angazhimi publik i disa personave politikë, e konfirmon këtë fakt. Dhe e gjithë kjo, me synimin e ndonjë përfitimi të vockël politik, duke shfrytëzuar ndjeshmërinë e shkodranëve për artin e sidomos Teatrin “Migjeni”. U zgjodh pikërisht ky moment, ai kur doli urdhri i kryetarit të bashkisë, për një arsye shumë të thjeshtë. Dokumenti i Këshillit Bashkiak, me firmën e kryetarit Luli dhe sekretarit Lesha, i zbardhur me 4 janar 2024, nuk përbën “lajm” e as “kauzë” për të sulmuar kundërshtarin politik, sidomos pasi të ka marrë karrigen me 14 maj 2023, me një diferencë të thellë votash. Më qartë, të sulmosh kryetarin e bashkisë është “lajm”, sidomos me “shkrirje” të aluduar të një institucioni si teatri “Migjeni”.
E në fund, një pyetje, ndoshta më logjikja e mundshme: A ia vlente të shkruheshin këto rreshta për një “fortunë në gotë” për “shkrirjen” e hamendësuar që nuk mund ta realizojë kurrë e askush asnjëherë, të Teatrit “Migjeni”?! Pa dashur, me dëshirën për të sqaruar, u bëmë edhe ne pjesë e kësaj tymnaje, të bindur se Teatri “Migjeni” do të vazhdojë të jetë si sot edhe kur të mos jenë më fizikisht autori i këtyre radhëve, ata që hamendësonin, dëshironin apo uronin “shkrirjen” e tij. Nëse kauzat mungojnë apo janë shterpë, duhet guxim i madh deri në çmenduri të luash me shenjtërinë e pakontestuar të këtij institucioni. Edhe në diktaturën e egër 45- vjeçare, me persekucionin e tmerrshëm mbi krye, Teatri “Migjeni” shkëlqente në Shkodrën gati haptas antikomuniste. Duhet të kuptojmë se ka disa vlera, disa institucione materiale e shpirtërore, me të cilat nuk mund të bëhet as shaka, jo më ti përdorësh për politikë. /Shënim i ShkodraWeb/
P.S. Sipas informacioneve jo zyrtare, me strukturën e re të bashkisë dhe institucioneve të varësisë, do të krijohet Drejtoria e Teatrit dhe Kinemasë dhe proceduralisht, do të “shkrihet” Teatri “Migjeni” do të krijohet drejtoria e sipërpërmendur, me dy degëzime, si më sipërcituar, ku njera do të jetë Teatri “Migjeni”. Kur Teatri “Migjeni”, do të vijojë punën normalisht si zakonisht, ata që sot flasin për “shkrirje” do të thonë se shpëtuan pikërisht ata me reagimet e tyre. Shkurt, rrethi vicioz!
LEXONI EDHE: NGA BENET BECI – Institucionet kulturore nuk janë më arat e babës…!
LEXONI EDHE: NGA BARDH SPAHIA – Çfarë mbetet në këmbë dhe sadopak i lirë prej pushtetit nga institucionet kulturore?