Dje Korifeu i Pavdekshëm i Skenës dhe ekranit shqiptar, profesor Agim Qirjaqi mbushi 70 vjeç. Sot është ditëlindja e të yjësuarit, Ismail Kadare. Pas 5-6 ditësh profesor Sulejman Pitarka bën 100 vjeç. Po sot ka ditëlindjen salla “Moliere” e Qytezës së Teatrove dhe Institucioneve Kombëtare. Janari i 2006 ka qënë muaji me tingëllim dhe shkëlqim të veçantë.
Punohej me pasion për shfaqjen inaguruese të sallës “Moliere”. Situata bëhej më e zbrazët nga lakmia e pafre për të rrëmbyer “drejtorin” e Qytezës së Teatrove dhe Institucioneve të mëdha”. Kjo më shkaktonte humor. E shihja si një gjë jashtë meje. Nuk isha drejtor por, një kryeshërbëtor. Ndërtimi i sallës ishte delikat. Duhej kujdes.Dhe në mes kësaj situate, në Truallin e Qytezës vinin të heshtur por me një ndriçim emocionues të syve profesor Agim Qirjaqi, Roland Trebicka, Fatos Sela, Shaban Hysa, profesor Sulejman Pitarka, profesor Kadri Roshi, zonjat e mëdha Violeta Manushi, Tinka Kurti, Drita Pelingu, Margarita Xhepa. Bujar Lako vinte me trup, zë dhe shikim të tejdukshëm.
Takim titanësh i përzier me ledhatimet mbështetëse të romantike sarkastikes Valbona Imami dhe konstruktori elegant Robert Floqi. Duhej zgjedhur një ditë për inagurimin e sallës. Në 27 janar ishte ditëlindja e profesor Agim Qirjaqit. Në 28 ditëlindja e përflakur e Ismail Kadaresë dhe afro një javë më pas ditëlindja e profesor Sulejman Pitarkës. “Fol me të tre” më këshilloi Bujar Lako. Fola. Të tre më refuzuan. Profesor Agim Qirjaqi dhe profesor Sulejman Pitarka më me forcë. E vendosa. Më 28 janar. Gëzuar salla “Moliere”. Gëzuar profesor Agim Qirjaqi. Gëzuar Ismail Kadare. Profesor Sulejmani ditën e ditëlindjes tënde do të jemi në Durrës, qytet në të cilin ju kaluat fëmijërin tënde.
Do të jemi me premierën e “Elektra” të Sofokliut. Ju puth poshtë qiellit të pafund. Ju kam pranë. Lyp shikimin tuaj. E marrë të pamasë. Salla “Moliere” me duar fine si të profesor Agim Qirjaqit, me elegancën madhështore të krijimtarisë së Ismail Kadaresë dhe me bukurinë e “kalit të artë” mbi të cilën qëndron profesor Sulejman Pitarka, harresa nuk të mbulon dot. Të shoh si lule të botës bukuroshe. /Nga Kiço LONDO, publikuar në Facebook/