Me shkrue për nji dramë- tragjedi siç asht shfaqja e trupës së Teatrit “Migjeni”, “Gjaku i Arbrit” realizue në vitin 1981, duhet me shkrue jo vetëm me dashamirësi por dhe me korrektësi!
Qysh në titullin e shkrimit të shkrimtarit të njohur për fëmije, z.Xhahid Bushati, konstatova ca mangësi! Nga mënyra se si asht shkrue, kuptohet që skenografët e asaj shfaqje paskan qenë: Agim Zajmi, Tinka Kurti, Paskualina Gruda, Fatbardh Smaja e Bruno Shllaku! Unë e di që ka kenë vetëm ai i pari, pra…Agim Zajmi, por…dikush mund t’a lexojë ndryshe.
Nejse…po e quej nji gabim orthografik, drejteshkrimor a si po i thonë, por…
Ma poshtë lexova që rolin kryesor, Palin, na e paska luejtë si titullar Fatbardh Smaja, ndjesë pastë dhe dublant i tij paska kenë Bruno Shllaku, çka nuk asht e vertetë.
Gjithashtu edhe Danielin (dhandrrin) e paska luejtë si titullar i ndjeri Tonin Ujka dhe dublant i tij paska kenë Agron Dizdari, çka edhe kjo nuk asht e vertetë, madje Tonini nuk e ka luejtë hiç atë rol.
Tashti, pa dashtë me u tregue “xheloz” por për korrektësi, në ata pak emna që ka vue Xhahidi në krye të artikullit të tij, asht tregue paksa i kursyem, mendoj unë!
Pse, do të thoni ju?!
Po ja…Xhahidi ka vue mes atyne emnave edhe emnin e muzikantit dhe regjisorit të shquem shkodran, të ndjerit Bardh Smaja, i cili e ka luejtë rolin e Palit vetëm nji ose dy herë si dublant me Bruno Shllakun, i cili ka kenë titullar në atë rol.
Mos më keqkuptoni, ju lutem shumë…nuk e kam hallin që Xhahidi s’e ka vue edhe emnin tim në atë listë…e kam sinqerisht, por të pakten edhe nja dy- tre emna t’i kishte shtue se nuk po i kërkojnë bukë me hangër!
LEXONI EDHE: NGA XHAHID BUSHATI – “Gjaku i Arbrit” dhe Teatri “Migjeni” i Shkodrës…
Po ja p.sh, çka i ka kushtue me e permend edhe aktoren Vjoleta Sekuj, aktoren Donika Franja, aktorin Elez Kadria, ndjesë pastë?! Pse me u “koritë” për 4- 5 emna more Xhahid ?!
Mandej, a nuk paska kenë e mundun me u gjetë në arshivë edhe do foto të tjera , meqë i ke hi thellë analizës së atij spektakli, i cili ka mbetë përjetësisht në fondin e artë të dramarurgjisë mbarëshqiptare?!
Ti e di që njerëzit “vdesin” me pa foto e përtojnë me lexue shkrime të gjata sot sepse Facebook-u i bie shkurt!
Gjithsesi, unë për vedi jam krenar Xhahid i dashtun që arrita t’a interpretoj me pasion atë rolin e Ujkanit, i cili hyn në kategorinë e roleve të dyta…të nji djaloshi te ri, të cilin e realizova në vitin 1981 dhe mbas 30 vitesh kur u rivue në skenen e Teatrit “Gjaku i Arbrit”, unë erdha enkas prej Amerike me paret e mia, prej mallit me e interpretue atë rol në nji pervjetor të Teatrit…por me nji ndryshim të “vogël”! Aso kohe, sapo kisha fillue me hi në atë zonën që quhet pleqni!
P.S. Në spektaklin televiziv i cili asht regjistrue nga RTSH-ja, këta janë aktorët që kanë interpretue rolet e para: Tinka Kurti, Lec Bushati, Paskualina Shllaku, Bruno Shllaku.
Në rolet e dyta: Vjoleta Sekuj, Donika Franja, Agron Dizdari, Ymer Bala, Ramiz Rama…e disa në role të treta dhe figuranta! Nderimet e mia. /Nga Ymer BALA, aktor, publikuar në Facebook/