Ikja nga Shqipëria për disa është zgjidhje, por jo zgjedhja përfundimtare në jetë. Ndoc Fusha nga Dukagjini u rikthye për t’i qëndruar pranë familjes e për të investuar fitimet prej emigranti.
“Kur u ktheva nga emigrimi, babai jetoi edhe 3 vite dhe ato vite nuk i harroj kurrë. Tashmë nënën e kam dhe kjo është motivi kryesor që jam kthyer për tu përballur me jetesën këtu. Me ndihmën e emigrimit kemi ndërtuar jetën në Bardhaj të Shkodrës. 11 vite kam punuar si ndërtues në Firence. Me kursimet hapa një restorant në mes të fshatit për të qenë i vetëpunësuar dhe për të ardhmen e fëmijëve”, rrëfen Ndoci.
Për të gjithë dashamirësit e traditës, folklorit dhe trashëgimisë kulturore, Ndoci krijoi një mini- muze me sende të vyera që shumë prej jush mund t’i keni harruar ose lënë të pluhrosura në ndonjë qoshe.
Ai ka mbetur ndër të paktët malësorë që frymëzimin e merr nga të parët e tij. Përveç objekteve të vjetra të kulturës së Malësisë së Madhe dhe fotove të rralla, ka formuar një grup muzikor me instrumentistë e këngëtarë të vjetër.
“E quajtëm “Besa Shosh” sepse ne jemi nga Shoshi i Dukagjinit dhe për arsye që besa ka qenë gjëja më e shtrenjtë ndër vite dhe ndër breza”, thotë mes të tjerash Ndoc Fusha teksa na prezanton me ‘pasurinë’ që ka siguruar. /Report-tv.al/