Duke marrë shkas nga propozimi i fundit i miratuar nga ana e Këshillit Bashkiak Shkodër për kalimin e ish-Kombinatit të Drurit për ndërtimin e banesave sociale nga Enti Kombëtar i Banesave. Përtej nevojës dhe dakordësisë së plotë për t’i ardhur në ndihmë kësaj kategorie në nevojë me ndërtimin e këtyre banesave, ngrita shqetësimin se vendi i përzgjedhur nuk është i mirë menduar.
Këto 2288 m2 truall ndodhen në zonën industriale të Shkodrës. Planifikimi dhe vizioni për gjithë këtë zonë duhet të jetë krejt tjetër, për të mundësuar investime që shkojnë në drejtim të prodhimit dhe punësimit.
Godinat dhe komplekset industriale që u ndertuan përgjatë viteve të monizmit, një pjesë e madhe e degraduar gjatë tranzicionit, duhet të kenë tjetër qasje duke u zgjeruar dhe përshtatur me linjat moderne të prodhimit, nevojat e tregut si dhe me teknologjitë në ndryshim të industrisë prodhuese.
Në planet rregulluese të Shkodrës ndër vite dhe aktualisht, janë përcakatuar zonat funksionale ndër to dhe ato industriale.
Këto komplekse të prodhimit të ndërtuara vite më parë duhet të kenë një rol të veçantë dhe shumë të rëndësishën edhe në formësimin urban dhe arkitektonik të zonës me volumet ndërtimore, rrugët e transportit, peisazhin industrial ne teresinë e tij që të krijojë edhe fizionominë e zonës të mirëfilltë në kontekstin urban duke mos u fragmentuar me zona të tjera qofshin rezidenciale apo sportive, të cilat duhet të zhvillohen në zona të tjera të dedikuara të distancuara edhe nga ndotjet, trafiku apo zhurmat që sjell si pasojë industria. Kjo qasje nga ana tjetër do të ndikonte në tërheqjen e investimeve, sidomos atyre të huaja, rritjen e punësimit dhe transformimit të Shkodrës në një qender ekonomike rajonale. /Nga Florian BJANKU, këshilltar bashkiak i Shkodrës, publikuar në Facebook/