NJI KUJTIM…
“Lotët janë të caktuem, ka prej dhimbjes, ka prej gëzimit”!
(Nji fotografi e veçantë)
Me përballu dhimën e vetminë që më la largimi i Netës, shoqes teme të jetës në botën tjetër, nji muej ma parë (dritë pastë), mundohem të gjej ngushllim me forma e mënyra të ndryshme pune.
Në nji album të familjes shoh fotografi të reja, të vjetra e shumë të vjetra. Ndaloj tek njena prej tyne, disi e veçantë për ka vjetersija, cilësija e përmbajtja, e bame prej mjeshtrit fotograf Marubi.
Janë prindët e Netës; Shuk Leniqi e Lajde Daija, në ditën e martesës më 17 maj të vitit 1936… Meqë kurioziteti i plotësuem ka dijë e vlere, me detaje po e komentoj foton.
Asht celebrimi i kunorëzimit e bekimit, në Kishën e Fretënve, të Shukut, tipografi i Shtypshkrojës së Françeskanëve, me Lajden, prej Patër Gjergj Fishtës e pranë tij shohim të riun Ernest Çoba (ma vonë monsinjor i njohun në Shkodër)!
Çifti, me veshje klasike (dhandër e nuse me vel e kunorë), ulun në gjuj, në momentin e ndërrimit (vendosjes në gisht) të unazave, simboli i bashkimit e krijimit të familjes së shejtë (me besim e dashni si bërthama themelore e shoqnisë).
Kumarët, dëshmitarët e martesës, jane zotni Palok Noga (me qirin tradicional në dorë), deputeti Kolë Mjeda me të shoqen si dhe kori i kishës… Kjo ceremoni e veçantë, pati jehonë nga që cebrimin e bani Patër Gjergji (rasti i vetëm i tij, me modesti e fisnikni) e u ndoq prej shumë zoja e zotni me veshje moderne të kohës, familjarë, miq e shokë të ftuem në darsëm! /Nga Lukë LUKA, publikuar në Facebook/