Tre anëtarë të një grupi që kryenin shpërthime kundrejt pagesës në biznese janë arrestuar nga uniformat blu, ndërsa dy të tjerë janë shpallur në kërkim. Dyshohet se ata qëndrojnë pas dy shpërthimeve që kanë ndodhur në një lokal në Tiranë më 5 tetor 2023 dhe në një zyrë noteriale në ish-Bllok më 30 janar 2024.
Në pranga kanë rënë 33 vjeçari Real Zefi, banues në Shkodër; 33 vjeçari Korrado Katana, banues në Durrës; dhe 36 vjeçari Eno Flamuraj, 36 vjeç, banues në Korçë. Sipas uniformave blu këta shtetas e kanë vendosur lëndën eksplozive, kundrejt pagesës, ndërsa ende nuk dihet se kush janë porositësit e dy shpërthimeve me tritol në kryeqytet.
Policia po vijon punën hetimore dhe gjurmuese për zbulimin dhe dokumentimin e veprimtarisë kriminale të porositësve. Zyra noteriale ku u vendos lënda plasëse është në pronësi të shtetases E. Dauti, ndërsa lokali në pronësi të shtetases me iniciale Sh. Gj.
Njoftimi i policisë:
Po më datë 04.02.2024, nga strukturat hetimore të Komisariatit të Policisë Nr. 2, u finalizua operacioni policor i koduar “POROSIA”, në kuadër të të cilit u dokumentua me prova ligjore ngjarja e ndodhur më datë 30.01.2024, në një zyrë noteriale në rrugën “Perlat rexhepi”, ku ka shpërthyer lëndë plasëse.
Në kuadër të këtij operacioni, u ndaluan shtetasit:
1. Real Zefi, 33 vjeç, banues në Shkodër;
2. Korrado Katana, 33 vjeç, banues në Durrës;
3. Eno Flamuraj, 36 vjeç, banues në Korçë.
Gjithashtu u shpallën ne kërkim 2 shtetas.
Shtetasit e mësipërm, në bashkëpunim me njëri-tjetrin, më datë 30.01.2024, kanë vendosur sasi lënde plasëse në një zyrë noteriale dhe pas ngjarjes, autorët kanë lëvizur me motomjetin e shtetasit Eno Flamuraj. Më pas, motomjetin e kanë braktisur në liqenin e Farkës dhe pas kësaj janë larguar me automjetin tip “Audi”, të shtetasit Korrado Katana.
Nga veprimet hetimore të kryera ka rezultuar se këta shtetas janë autorë të dyshuar të ngjarjes së ndodhur më datë 05.10.2023, në rrugën “Prokop Mima”, ku në lokalin e shtetases Sh. Gj., është vendosur një sasi lënde eksplozive.
Nga veprimet hetimore të deritanishme ka rezultuar se këta shtetas e kanë vendosur lëndën eksplozive, kundrejt pagesës. Vazhdon puna hetimore dhe gjurmuese për zbulimin dhe dokumentimin e veprimtarisë kriminale të porositësve.
Strukturat hetimore të Drejtorisë Vendore të Policisë Tiranë, në bashkëpunim të ngushtë me Prokurorinë e Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, vijojnë punën intensive për zbardhjen dhe dokumentimin me prova ligjore të ngjarjeve kriminale të ndodhura më parë.
Siguroj qytetarët se strukturat policore të Drejtorisë Vendore të Policisë Tiranë janë të angazhuara maksimalisht për të parandaluar, evidentuar dhe goditur çdo paligjshmërisë, për të garantuar rend e siguri, për të zbatuar me rigorozitet paketën e sigurisë në shkolla, dhe në këtë kuadër i riftoj qytetarët që të mbështetin më shumë Policinë dhe të denoncojnë në numrin pa pagesë 112, çdo rast të paligjshmërisë, duke iu garantuar anonimat të plotë, reagim të shpejtë dhe profesional.