Para disa ditëve, me disa shokë po diskutonim dilemën e madhe “Kalaja e Shkodrës” apo “Kalaja Rozafa”. Sigurisht, pa më të voglin dyshim, Shkodra është shumë e madhe, më e njohur e po të doni, më e famshme se Rozafa. Nga ana tjetër, legjenda zyrtare e Rozafës, nuk është ndër më të mirat e mundshme që mund të karakterizojë një kala- qytet. Një grua në themelet e saj, aq më shumë e përzgjedhur përmes tradhëtisë së dy vëllezërve të mëdhenj ndaj më të voglit, nuk lë shije aspak të mirë. Megjithatë, si një legjendë, e cila gjithsesi i ka rezistuar kohës, duhet marrë me rezerva. Tashmë është kthyer në një fakt, për të cilin askush nuk lodhet apo nuk ka argumente ta kundërshtojë pas mijëra vjetëve. Ajo që mendojmë se ka rëndësi, është vijimësia e një qytetërimi, i cili në formë ciklike, numëron sipas zbulimeve arkeologjike të kohëve të fundit, një histori rreth 5 mijë vjeçare.
Epitetet pozitive por edhe negative për Shkodrës, ai që ka jetuar këtë qytet, i njohim. Të paktën pjesën më të madhe. Sigurisht, janë epitete të ngjashme me shumë qytete brenda Shqipërisë, shqiptarisë, Ballkanit e po të doni, të të gjithë njerëzimit. Për një qytet që ka shënjuar historinë thuajse në të gjitha etapat e saj, është krejt normale që të bartë shumçka mbi shpinën e saj. Por mes tyre, janë edhe traditat, të hershme, të vjetra, pak më të vjetra, të djeshme e të sotme. Shumë syresh, nuk dihet saktësisht kur datojnë e rrekja për t’ iu vënë ndonjë datë apo vit lindje, jo gjithmonë është mundur e aq më pak e saktë. Sepse po flasim për një vend të formës apo procedurës, nuk është se i ka dhënë rëndësinë e duhur. Akti i Pavarësisë së këtij vendi me 1912- ën, u shkrua në një fletë fletoreje, të cilën fatmirësisht dikush e kishte në xhep atë ditë. Madje, edhe origjinali i asaj fletë fletoreje ka humbur e sot kemi një fotografi që e printojmë herëpashere, vetëm falë Marubit të madh. Realisht, në Ballkan të paktën, Shqipëria e shqiptarët janë ndër më të persekutuarit e historisë.
Për tu futur në një hulli tjetër, atë të besimeve fetare, duhet të kuptojmë diçka. Nuk ka nevojë të jesh shkencëtar apo studiues të konstatosh disa gjëra. Fenomeni i kryqëzimit ka ekzistuar shekuj e shekuj para se me Jezu Krishtin, kryqi të kthehej në simbolin identifikues të të krishterëve në mbarë botën. Të paktën, ata që kanë lexuar ndonjë rresht historie edhe në bankat e shkollës, kujtojnë se Spartaku i famshëm dhe ndjekësit e tij, pas dështimit të kryengritjes kundër Romës, u kryqëzuan të gjithë, thuajse në të njëjtën mënyrë si Jezusi disa dekada më pas. Tek feja, besimi, është e rëndësishme të kuptohet simbologjia, mesazhi që kërkohet të përcillet. Gjithmonë, për ata që besojnë.
Njerëzimi sot po kalon një fazë të re të zhvillimit të tij. Shumë koncepte mijëravjeçare, kanë ndryshuar e përshtatur me kohën, me shoqërinë. Ndër “revolucionet” më të mëdha, janë ato të kohëve të fundit dhe vijnë pikërisht nga besimi katolik, më i mirëoroganizuari dhe i centralizuari prej mijëra vjetësh. Ata që ndjekin zhvillimet, bëhet fjalë për deklaratat e Papa Françeskut për grupime të caktuara sociale. Mund të mos jemi dakort, por nëse je pjesë e këtij grupimi social, duhet të ulësh kokën dhe të pranosh. Aq më shumë, kur të kujtohet shprehja “më katolik se Papa”.
“Jepi Çezarit çfarë është e Çezarit, jepi Zotit çfarë është e Zotit”, janë fjalët që janë shkruajtur në Ungjijt e besimit të krishterë dhe kanë për autor Jezu Krishtin. Është një filozofi e tërë në këto pak fjalë dhe ta zbërthesh, nuk është aspak e vështirë. Për ta konkretizuar: Bashkia Shkodër nuk mund të sillet as si kishë, as si xhami, sinagogë apo një objekt tjetër kulti. Nëse do ta bënte, do të shkelte parimet themelore njerëzore e më pas kushtetuese. Bashkia është institucion i të gjithëve, i katolikëve, myslimanëve, ortodoksëve por edhe i jopraktikantëve dhe jo besimtarëve. Të gjithë kanë të drejta të barabarta si qytetarë por edhe si taksa pagues. Të gjithë kanë festa, të gjithë duan ti festojnë apo të mos i festojnë, sipas dëshirës së tyre. Shteti si koncept, ka lindur thuajse njëherësh me njerëzimin, ndoshta edhe para besimeve fetare që ne njohim e pranojmë. Punët e shtetit dhe të fesë, sidomos në kohët moderne, janë ndarë qartësisht në shumicën e vendeve të botës, mes të cilave edhe Shqipëria.
Ka mekanizma rregullatorë, kushtetues e ligjorë që veprojnë fatmirësisht, edhe pse jo ndoshta si në BE apo vende të tjera të zhvilluara. Shumë festa fetare të rëndësishme, nuk janë gjithmonë në të njëjtën datë. Por ajo që është e rëndësishme, janë festa jo vetëm të një besimi të caktuar por të të gjithë qytetarëve. Shkodra e ka treguar këtë fakt në historinë e saj mijëravjeçare. Nga ana tjetër, bashkia ka një kalendar eventesh. miratuar me një procedurë të caktuar. Datat e ditët, i vendos ajo kur i organizon ajo, siç i caktojnë edhe komunitetet fetare. Se nga është origjina e këtyre festave, eventeve, kur organizohen nga ente publike, nuk i intereson dhe nuk duhet ti bashkisë.
Ka patur njëherë e një kohë edhe për 6 majin, festën e luleve në Shkodër. Është Shën Gjergji apo një festë pagane? Çfarë rëndësie ka në fakt? Është një festë publike, për organizimin e festimin e të cilës, angazhohen të gjithë. Askush nuk pyetet nëse është katolik, i krishterë, mysliman apo i një besimi tjetër. E njëjta gjë edhe për karnavalet që vit për vit, i japin gjallëri Shkodrës dhe festohen nga i madh e i vogël, në jo pak raste, edhe duke përcjellë dukshëm apo nën të, edhe mesazhe politike. Asnjëherë, askush nuk i ka privatizuar, as vetë Kisha Katolike, e cila diku nga 1860 e në vijim në Shkodër, i ka patur në traditën e saj para “të lidhunave”. Sepse përgjithësisht, janë organizuar nga bashkia dhe nëse ka patur, ka apo do të ketë dëshirë, Kisha Katolike mund të organizojë karnavale dhe do të jetë më mirë edhe për Shkodrën se do të fitonte një festë tjetër. Nga ana tjetër, nëse karnavalet organizohen disa ditë pas “të lidhunave”, çfarë problemi, telashi apo shqetësimi mund ti ngjallin besimtarëve katolikë praktikantë?! Nuk ka rëndësi kush e shpiku apo e organizoi i pari festën. Rëndësi ka të jetë mbarë qytetare! Askush nuk del i humbur!
Karnavalet a kanë ekzistuar para se të kristalizohej feja, besimi tek njerëzorët? Askush nuk mund të thotë me siguri 100% as po e as jo! Për shumë arsye por kryesorja, sepse historia e njerëzimit është ciklike, edhe përsëritet në forma e trajta të ngjashme. Para fesë, siç e pohojnë edhe vetë librat e shenjtë, njerëzimi jetonte në idhujtari, siç edhe sot shumë vende të botës, vazhdojnë të mbajnë për të shenjtë kafshë të ndryshme, si lopën për shembull. Po ata, nuk janë njerëz, nuk kanë arsye, logjikë, a janë të ndryshëm nga ne, më të këqinj, më të mirë, më të mençur apo më budallenj? Pak a shumë, si ajo pyetja e dikurshme: A je shkodran? I vjetër? Ku të ka lind baba? Po gjyshi? Gjithmonë, në çdo rast, ka rëndësi sistemi i referimit por më kryesorja, gjurma që lë pas kur ikën apo nuk je më. Një fshatar nga fshatrat e Lezhës, At Gjergj Fishta, konsiderohet sot si poeti kombëtar. Një dukagjinas si Ndrek Luca, konsiderohet sot ndrë më të mëdhenjt e artit shqiptar.
Ajo çfarë është e dëmshme dhe e papranueshme, është përdorimi i fesë, besimit për politikën e ditës. Ndër shqiptarë, përgjatë historisë, nuk ka ngjizur asnjëherë. Ndarja e Shkodrës në “lagjet tona” dhe “lagjet e atyre”, “rrugët tona” dhe “rrugët e atyre”, “pedonalet tona” dhe “pedonalet e atyre”, “festat tona” dhe “festat e atyre”, nuk i sjellin asnjë të mirë këtij qyteti. Aq më pak, kur nisin e artikulohen përqindje përkatësie sipas besimit, kush janë më shumë e më pak në këtë qytet e bashki. Bota e qytetëruar, drejt të cilës jemi drejtuar prej mëse 30 vitesh pas një shkëputjeje 45 vjeçare në diktaturë, i ka tejkaluar prej kohësh këto koncepte. Demokracia ka siguruar e siguron hapjen e objekteve të kultit, mundësinë e zgjedhjes së lirë të besimit e ndërrimin e tij, të jesh besimtar, praktikant, jo praktikant e ateist. Të gjithë jemë “të dënuar” të jemi pjesë e këtij realiteti, të cilin mund ta jetojmë e shijojmë vetëm duke zbatuar rregulla të vendosur në Kushtetutë e ligje. Ligjet morale, si rregull, i përkasin fesë, besimit. Sidomos në Shkodër, përdorimi i fesë, besimit për politikë, ka rezultuar në boomerang. Sepse askush nuk mund të flasë në emër të besimit, sa të marrë flamurin e tij. “Ashtu siç kemi Bajram e Pashkë por edhe karnavalet e Shkodrës i kemi të gjithë bashkë”, kjo nuk duhet harruar! /Redaksionale e ShkodraWeb/