Çmimet e shtëpive të banimit në Shkodër, “kërcejnë” në nivele të pabesueshme. Një testim i shpejtë në agjensitë e shumta imobiliare (të cilat po njohin një shtim e shpeshtim të dukshëm), tregojnë çmime të pabesueshme, të cilat tmerrojnë edhe emigrantët tanë jashtë vendit që blejnë apo marrin me qira banesa.
Në të ashtëquajturat “zona të preferuara”, çmimi për metër katror varion nga 950 euro deri në 1500 euro për blerje. E çuditshme është qasja edhe me të ashtëquajturat “pallate të komunizmit”, ku çmimet rrotullohen 800 euro për metër katror. Në raste të veçanta, ka edhe çmenduri të tipit një apartament 60 metër katror shitet me 80 mijë euro. Llogaritë i bëni vetë.
Situata nuk është më e mirë edhe tek shtëpitë me qira. Një apartament i vjetër, i pamobiluar, deri në 65 metër katror sipërfaqe, lëshohet me qira për 250 euro në muaj. Apartamentet e reja, edhe me një mobilim minmal, kërcejnë mbi 350 euro deri në 700 euro për sipërfaqe 100 metër katror. Për shtëpijat private, qiraja është edhe më e lartë.
Kjo situatë në qytetin e Shkodrës, kur çdo ditë flitet për varfëri apo edhe braktisje drejt Tiranës apo jashtë vendit. Pyetja më normale është: Kush ndërton, kush blen apo kush merr me qira me çmime të tilla? Ndoshta edhe në Shkodër, ka nisur fenomeni i pastrimit të parave përmes ndërtimit. Specialistët thonë se sot, çmimi i ndërtimit, përfshi edhe taksat e mundshme, rrotullohet 500 euro për metër katror. Çmimi i shitjes apo i qiradhënies, nuk justifikohet kurrsesi. Nga ana tjetër, bizneset e ndërtimit ankohen se nuk kanë disponibilitet në CASH, para të thata. Po si ndërtohet atëherë?! Nga vijnë paratë?!
Fatkeqësisht, me këto ritme, të paktën edhe për disa vite, çmimet do të njohin rritje, thonë specialistët imobiliarë. Vetëm nëse ndërhyjnë mekanizmat verifikues apo agjensitë ligjzbatuese për të verifikuar çfarë po ndodh me këtë biznes në Shkodër. Sepse ka edhe një non sens tjetër. Janë mijëra apartamente në Shkodër që janë stok, nuk janë shitur, vazhdojnë të ndërtohen papushim të tjera dhe ndërkohë çmimi rritet.
Në zona të veçanta, tashmë edhe në “shitje në gropë”, çmimi konsiderohet i leverdisshëm nëse merret me 900 euro metrin katror. Dhe nuk po flasim për zona turistike, siç mund të jetë Velipoja. Me shumë mundësi, lekët e fituar ndër vite nga aktivitete ilegale siç është kanabisi, kanë ndikuar në këtë fenomen. Të ardhurat e fituara përmes akstivitetit kriminal pa shumë lodhje, po përdoren për të ndërtuar por edhe për të blerë me çmime të paimagjinueshme, sidomos për Shkodrën “e varfër” dhe “të shpopulluar”. Shkodra po kthehet kështu në “lavatriçe” të parave të pista, të ardhura nga aktivitete kriminale që përmes kësaj rruge, pastrohen duke u bërë të ligjshme si prona apo CASH.
Duke bërë verifikime online të informacioneve më sipër, në mendje na ka mbetur një koment i një emigranti shqiptar në rrjetet sociale, pasi është njohur me çmimet e banesave për blerje ose me qira 500 euro/muaj në Shkodër. Komentet janë të tepërta. Në vijim, do të nisim të investigojmë për të sjellë para jush fakte konkrete për pastrim parash përmes ndërtimit dhe blerjes së apartamenteve në Shkodër. Ndërkohë, shpresojmë që agjensitë ligjzbatuese të zgjohen nga gjumi, nëse nuk janë edhe ato përfitues në shitje apo në blerje të këtyre pronave. Nga ana tjetër, të gjithë ata që kanë indicie, fakte apo dyshime, mund ti dërgojnë tek ne dhe i publikojmë duke garantuar anonimat të plotë. Përndryshe, krimi do na vërë përfund të gjithëve!/ShkodraWeb/