Në Rahovec të Kosovës ka një kodër e cila është pagëzuar tashmë me emrin “Maja e Shkodranit”. Historia e këtij toponimi lidhet me dëshmorin e UÇK- së luftën për çlirimin e Kosovës, të riun nga Shkodra, Arian Xhemil Brahimi. Historia e tij është sa heroike por edhe e trishtë, sepse u vra thuasje një muaj pasi iu bashkua luftës në Kosovë.
Arian Xhemil Brahimi, i lindur në Shkodër, djalë i një nënoficeri të Forcava të Armatosura të Shqipërisë, i datëlindjes 1977, është ndër luftëtarët e parë që vjen prej Shkodre dhe i bashkohet Batalionit të Rahovecit, por pa kaluar një muaj luftë, grupi i Mizahir Ismës në të cilin i sistemuar edhe Ariani, më 21 korrik të vitit 1998, granatohet prej të gjitha anëve sepse pozicioni i grupit gjendet në lartësinë mbidetare 920 metra, prandaj të gjitha pretendimet e forcave serbo- çetnike kishin në objektiv marrjen e “Majës së Gurit” (Ish- Vranstina) sepse “Kush i ka majat e ka fitoren”.
Zjarri i Grupit të Arianit mbulonte pikën më të ndjeshme të “Fronteve të Anadrinit”, pra mbulonte “Rrasat e Rahovecit” dhe kështu, duke mbajtur pikën dhe në pikën e fundit të gjakut, në këtë majë që sot me krenari quhet “Maja e Shkodranit”, në altarin e lirisë përjetësohen: Arian Xhemil Brahimi- Shkodrani, Mizahir Jetulla Isma i Rahovecit, Eshrafedin Rexhep Kastrati i Zatriqit të Anadrinit. Ndërsa plagoset rëndë luftëtari Kujtim Shaba i Rahovecit.
Sot maja ruan emrin e Arian Brahimit dhe është ngritur kështjella që simbolizon mbrojtjen heroike dhe flijimet në altarin e lirisë vetëm e vetëm për marrjen, mbajtjen dhe mbrojtjen e Rahovecit në të cilin u zhvillua lufta ku formacionet serbo- çetnikë vranë 120 qytetarë.
Për deshmorin Arian Xhemil Brahimi, tashmë janë krijuar edhe këngë por ka ardhur momenti që emri i tij, të përjetësohet edhe në ndonjë rrugë apo institucion të Shkodrës. Muaji korrik përkon me ditëlindjen por edhe datën e rënies, pa i mbushur 21 vitet e jetës. Ndoshta ky vit, mund të jetë momenti i nderimit të të riut shkodran.