Karnavalet e këtij viti në Shkodër, janë të destinuara të paraprihen, të ecin paralel dhe të mbyllen me polemika. Fillimisht, polemikat u hapën lidhur me kohën (datën) e fillimit të tyre. Sipas kontestuesve publikë në rrjetet sociale, ato duhej të përfundoin para periudhës së Kreshmeve katolike.
Kjo polemikë ka qendruar shumë ditë në këmbë, me opinione nga më të ndryshmet. Në disa raste, duke u ndërthurur edhe me bojatisjen e jashtme të kinemasë në Shkodër, e cila nga 8 nëntori 2023, është marrë në administrimin e bashkisë pas rreth 20 viteve në administrim privat.
Një ditë para fillimit të karnavaleve, nga mesdita e sotme (e enjte), kanë nisur polemikat përsëri për eventin. Në qendër këtë radhë, është një figurë e ndërtuar me polisterol, e vendosur tek “rrumbullaku i policit” në qendër, siç njihet në Shkodër. Ai duhet të personifikojë për vetë pozicionin e vendosur, një punonjës policie që drejton trafikun. Por në vend të tabelës “stop” që zakonisht policët rrugorë mbajnë në dorë, është tabela “start”.
Kaq ka mjaftuar dhe sërish në rrjetet sociale, kanë nisur polemikat. Një pjesë e kontestuesve, e konsiderojnë “tallje me punonjësit e policisë”, duke kërkuar madje që të hiqet edhe maskota apo figura e vendosur aty.
Natyrisht, këto plemika në rrjetet sociale, ndikojnë për ti dhënë jehonë këtij eventi edhe pse qëllimi i kontestuesve të këtyre karnavaleve, nuk besojmë se është ky. Por nga ana tjetër, nuk duhet harruar se janë karnavale dhe italianët, ndoshta më të spikaturit e kësaj tradite, kanë një shprehje: “A carnavale ogni scherzo vale”. Pak a shumë e shqipëruar, “në karnavale çdo shaka vlen”.
Nuk duhet harruar se në periudha karnavalesh, autoritetet më të larta laike si presidenti i SHBA- së dhe deri tek Papa, janë subjekte të këtij eventi, duke i vënë në qendër të krijimeve të ndryshme. Gjithsesi, nga nesër, 23 shkurt dhe deri në darkën e 25 shkurtit, Shkodra do të jetë nën petkun e festës së karnavaleve. Në këtë periudhë në fakt, shumëçka nuk duhet marrë shumë seriozisht. Mbase as polemikat në rrjetet sociale. Sepse është…karnavale! /ShkodraWeb/