Shqipëria po përjeton këto një situatë të frikshme të abuzuesve me pushtetin, të pasanikëve që nuk justifikojnë pasuritë që tejkalojnë mundësitë e tyre financiare apo të ardhurat e deklaruara ndër vite. Një pjesë e konsiderueshme e këtyre çifteve, në themel të pasurisë së akumuluar, kanë pozicionet, pushtetin politik e publik, lidhjet e përfitimet e dukshme e të padukshme.
Ndërsa SPAK “ka përveshur mëngët”, natyrisht me orientim nga jashtë Shqipërisë, janë të shumta çiftet, sidomos ato VIP, politikanë apo të lidhur me politikën, që po gjejnë një rrugë për të shpëtuar çfarë mund të shpëtohet. Me sugjerimin e avokatëve, duke shpresuar që goditja e SPAK të mos jetë e shpejtë, shumë çifte të tilla kanë gjezur një mundësi të vogël shpëtimi: Divorcin!
Tashmë nuk mund të flitet për raste sporadike por për një fenomen që konstatohet në shumë pjesë të vendit, nga Shkodra, Tirana e deri në Gjirokastër e Sarandë. Përgjithësisht, këto çifte VIP përpiqen të mbajnë çdo gjë sa më të fshehtë, për të mos i dhënë shumë zë por thjeshtë për të qenë në rregull në momentin e ardhjes së SPAK. Kjo sidomos, për çifte që kanë lidhje direkte me pozicione politike të rëndësishme, ku lihen më shumë gjurmë.
“Çiftet që ndonjëherë nuk e kanë një pasuri të vërtetuar, natyrisht për një kontroll që mund të vijë për arsye të ndryshme hetimi të cilat i dijnë ata që hetojnë bëjnë një zgjidhje martese në mënyrë që çfarë mund të shpëtojnë nga kjo pasuri”, thotë avokatja Nexhi Beqiri.
Kështu çiftet VIP ndajnë dhe kalojnë pasuritë e shumta, madje përveç bashkëshortëve, ia kalojnë edhe fëmijëve, nipërve e mbesave, kushërinjve për të humbur gjurmët. Ndërkohë që bashkëshortët “divorcohen”, tjetërsojnë pasuritë, i shesin dhe i blejnë, brenda e sidomos jashtë vendit, duke nisur kështu “një jetë të re”, secili për vete.
Sigurisht, këtë informacion e ka edhe SPAK, agjensitë e ndryshme ligjzbatuese. Por “divorcet” janë e vetmja rrugë ligjore në përpjekje për të shpëtuar diçka kur të vijë radha e hetimit. Nga ana tjetër, edhe përgjegjësia penale, në vend të dy bashkëshortëve, merret përsipër nga vetëm njëri prej tyre në rastin më të keq, teksa tjetri përpiqet të mbijetojë dhe të mbrojë pasuritë e dyshimta. ndërkohë, paratë CASH të akumuluara apo edhe të përfituara nga shitja e pasurive të paluajtshme, po kthehen në kripto monedha për ti fshehur. Por për këtë temë, do të flasim një herë tjetër./ShkodraWeb/