-Intervistë me Profesor Ahmet Osjen, për aktivitetin shkencor të tij në disa dekadave në shërbim të bujqësisë.-
Profesor Ahmet Osja u lind në 25 Qershor të vitit 1939 në fshatin Luarz, Komuna Velipojë, Shkodër. Është diplomuar në Institutin e Lartë Bujqësor, sot Universiteti Bujqësor i Tiranës. Fillimisht punoi si agronom në zonën e Dukagjinit. Për afro 30 vjet punoi si ekspert dhe pastaj si drejtues në Institutin e Misrit dhe Orizit. Si koleg i afërt i Akademikut dhe shkencëtarit, Hysen Laçej , njihet për rolin e çmuar në krijimin e hibrideve të rinj të misrit si dhe evoluimin e teknologjisë së tij. Profesor Osja është autor dhe bashkautor i disa botimeve në lëmin e bujqësisë shqiptare. Shoqata e Gazetarëve Shqiptar të Bujqësisë a ka vlerësuar me titullin “Kryetar Nderi” të saj. Për afro 9 vjet (1982-1991) përfaqësoi rajonin e Shkodrës si deputet në Kuvendin e Shqipërisë. Ka qenë edhe ministër i Bujqësisë, Zhvillimit Rural dhe Administrimit të Ujërave si dhe lektor në Universitetin e Shkodrës.
Në vitin 2009 iu akordua titulli Mjeshtër i Madh nga Presidenti i Republikës. Ndërsa Këshilli Bashkiak i Shkodrës e ka shpallur ” Mirënjohja e Qytetit”. Në vitin 2010 iu dha titulli Nderi nga Akademia e Shkencave. Profesor Osja zotëron dije enciklopedike në shumë sfera të jetës si arti, kultura, historia, ekonomia, legjislacioni, albanologjia dhe antropologjia, falë përvojës së gjatë në njohjen e territorit, bashkëkombasve dhe pasurive të vendit të tij.U nda nga jeta në 23 shkurt të vitit 2020.
Profesor! Të gjithë kanë një vendlindje, fshat apo qytet qoftë ai. Ju “ku u ka rënë koka”?
– Bukur! Më bëre një pyetje paksa patriotike. Unë jam lindur më 25 qershor të vitit 1939 në fshatin Luarëz, buzë brigjeve të Bunës, Komuna Velipojë. Ky emër fshati është shumë i vjetër, përmendet në disa vende të Ballkanit. Për ‘të jam krenar! Aty, në Luarëz, kreva edhe shkollën fillore e 7-vjeçare.
Shkollën e lartë e kreve për agronom, apo jo?
– Po! Mbarova Institutin e Lartë Bujqësor të Kamzës, sot Universiteti Bujqësor. Dola me rezultate të shkëlqyera. Por “shkëlqimin”, sipas meje, njeriut nuk ja jep vetëm shkolla. Atë e vulos puna në prodhim, sidomos për specialitetet siç është ky i yni, i agronomit. Tani në moshë të thyer mendoj se kam qenë me fat që studiova për bujqësi. Të qënit agronom më dha mundësi të mëdha që të mund të njihja vendin tim, që të mund të miqësohesha me specialistë e bujq të thjeshtë nga i gjithë vendi. Ky specialitet i bekuar më ka shtuar vitet e jetës, më ka dhuruar kënaqësi, ndjehem vërtet i lumturuar.
Sigurisht, është kohë e largët, po ku, në ç’vend e fillove punën si specialist i bujqësisë?
-Fillimisht punën e kam filluar në Dukagjin. Më vjen mirë të them që një nga “pasuritë” e mia profesionale, ai që më bëri ky që jam, është Dukagjini. Madje, e konsideroj veten me fat që punova në këtë zonë. Dukagjini ishte lokalitet në atë kohë dhe kishte në administrim 22 fshatra. Ishte zonë shumë e shtrirë dhe bujqësia kishte goxha probleme. Megjithatë, vullneti dhe këmbëngulja e banorëve ishte e jashtëzakonshme. Kjo më bënte mua që të isha më i vëmendshëm kur jepja mendime, apo rekomandime për problemet e bujqësisë. Edhe sot e kësaj dite Dukagjini mbetet “universiteti” im i vlerave profesionale e njerëzore e që do të mbetet, sa të kem frymë, në një xhep të veçantë të shpirtit tim.
Pastaj?
-U transferova në Institutin e Misrit dhe të Orizit. Aty kam punuar gjatë, plot 32 vjet. Aty kishte probleme të tjera që lidheshin me profesionin, por edhe fakti që aty punohej për tërë vendin, përgjegjësia bëhej akoma më e madhe. Duhej të shfletoje libra, literaturë të kohës, por dhe të përshtateshe me kushtet që kishim. Me një fjalë, të duheshin këllqe. Aty pata një fat tjetër, m’u dha mundësia të njihesha me specialistë nga e gjithë Shqipëria, nga Vermoshi në Konispol. Për këtë jam tepër i lumtur që kam shkelur cep më cep të vendit tim. Duke ndenjur e punuar me kategori të ndryshme njerëzish, fermerë e specialistë, kam mësuar shumë. Por i kam mbështetur me përkushtim, ashtu si edhe ata mua. Edhe pse kam disa vjet që kam dalë në pension, kurrë nuk i kam braktisur ata njerëz. Dhe, si gjithnjë, lidhjet na jep ende e bekuara bujqësi. Ndërgjegjja ime është e preokupuar që bujqësia jonë të jetë e zhvilluar. Ca më shumë e kërkon këtë gjë futja në Europë, për të qenë pjesë e denjë e saj. Nëse nuk do të arrijmë parametrat e kërkuar, ne do të jemi shumë të qortuar edhe nga populli. Duhet të jemi këmbëngulës që të gjitha resurset t’i njohim dhe t’i vëmë në punë. Në këtë kuadër duhet të përvetësojmë teknikat e teknologjitë më të përparuara, shkencore, për të qenë bashkëkohorë.
Kemi ndonjë gjë specifike ne si vend, Profesor?
-Ne duhet të dimë pozicionin gjeografik të vendit tonë. Është shumë e rëndësishme kjo. Siç dihet Europa është një kontinent shumë interesant, por Shqipëria për vendndodhjen që ka, për natyrën e reliefit, është e veçantë, por fatkeqësisht jo e njohur. Është qortim i madh të mos njohësh vendin tënd, veçoritë dhe atë çka është dhuratë nga natyra. Por kjo ka ardhur jo për fajin tonë, por për shumë arsye të tjera. Pikë së pari, Shqipëria ka një lartësi mesatare nga deti nga më të lartat në Europë. Këtë e dinë pak njerëz, këtë fakt nuk e dinë as specialistët. Nga ana tjetër pozicioni që zë vendi ynë është tepër interesant. Shqipëria është vend vertikal; ka ultësirën, pjesën e brendshme, pastaj ka Alpet. Është shumë e rëndësishme të njihet kapaciteti ekonomik i këtyre zonave. Sa më shumë të njihen pasuritë “vertikale” të trashëguara dhe sa më shumë të futen në punë ato, aq më tepër bindet banori për mundësitë që ka për të jetuar më mirë. Duhet të dimë njëherë e mirë që ky vend, kjo Shqipëri është shumë e pasur, si askush tjetër në Europë.
Diçka më konkrete, më të prekshme?
-Duke njohur veten ne do bëhemi më të dobishëm edhe për të tjerët, për Europën madje. Për shembull, lartësinë mesatare nga niveli i detit Shqipëria e ka 708 metra, kur mesatarja e Europës është 304 metra. Vetëm ky fakt mjafton sepse, thënë në mënyrë figurative, vendi ynë është “antena” e Europës. Kjo që them nuk ka vetëm kuptim figurative, por është diçka reale, është e vërtetë, nuk ka si ta mohojë kush. Tjetër resurs është drita. Po, po, drita diellore! Paraleli 42 kalon nëpër Shqipëri, i cili ka 2.2 herë më shumë dritë se pjesa Veriore e Kontinentit. Ju e dini që drita diellore nuk shitet në treg, nuk ka, është dhuratë e diellit, e pozicionit gjeografik që ka Shqipëria. Por, nga ana tjetër, ne jemi edhe shumë të pasur me ujë. Shqipëria është 28 mijë e 748 km katror. Mendohet se, brenda një viti derdh në det 30 miliardë metra kub ujë. Nuk po përmend shtetet që na rrethojnë, të cilët këtë sasi uji e kanë 3 deri në 4 herë më pak, edhe pse janë shumë herë më të mëdhenj nga ne përsa i përket sipërfaqes, por shumë vende na kanë zili për këtë pasuri që na e ka falur Zoti. Kjo pasuri e madhe, pra uji, ashtu si drita e diellit, nuk blihet, por është dhuratë nga natyra. Këtë na e jep pozicioni gjeografik dhe asgjë tjetër. Të vetmen gjë që duhet të bëjmë ne, është që ta njohim privilegjin që na ka dhënë mëma natyrë. Fatkeqësisht ne këtë gjë nuk e dimë, ose e nënvleftësojmë në mënyrën më idioteske. Mirë nuk na vjen, por ky është fakt.
Po toka?
-Ky është problem tjetër, toka është pasuria më e madhe e jona. Ne themi gjithnjë “a jemi me të dy këmbët në tokë” që do të thotë se, nëse njeriu nuk e vlerëson atë është ikonjito, është avadan, në ajër, si i thonë fjalës. Toka është shumë e rëndësishme në kuptimin filozofik, por edhe ekonomik. Ajo duhet vlerësuar si vendi tënd, si Atdhe, por edhe si mundësi për të jetuar. Kjo e dyta është shumë e rëndësishme. Është kjo tokë që na ka mbajtur, ka rritur breza njerëzish në shekuj. Mirëpo nuk i janë marrë të gjitha kapacitetet që ka, mbeten shumë rezerva ende “të vdekura” e që mund e duhet t’i bëjmë të dobishme. Në këtë çështje më duhet të përsëris porosinë e të parëve tanë: ta mbrojmë e ta pasurojmë tokën. Nëse nuk mbrohet kjo pasuri, ajo të del nga duart, nuk ke ku e gjen më. Është ashtu si drita dhe uji, nuk ka “treg” për të blerë tokën. Për këtë më duhet të them se është shumë e rëndësishme shkolla, edukimi i rinisë për të ruajtur token, që ata të bëhen të ndërgjegjshëm për vlerat që ka ajo, por për më shumë të kenë të qartë se Toka është kjo që është, nuk shtohet, nuk “e prodhon” dot kush.
Po bimësia, ç’pasuri kemi ne si vend?
-Në vitin 1928 erdhi në Shqipëri, Mark Grafi, një nga botanistët më të mëdhenj të Europës. Ai erdhi këtu për të bërë hartën e bimësisë. Ka ardhur edhe këtu në Shkodër, në fshatin Bog. Ka fjetur tek shtëpia e bajraktarit, dy vëllezërit Tom e Zef Gjeri, të cilët ishin vëllezër. Ishin burra të gjatë. Njëri 2 metra e 14 centimetra dhe tjetri 2 metra e 9 centimetra. Dhe në bisedë e sipër botanisti u thotë dy vëllezërve bajraktarë: “Edhe nëse nuk gjej dot bimë për të cilat kam ardhur, nuk ka shumë rëndësi. Unë gjeta këtu njeriun e Alpeve”. Pra pasuritë tona, për shkak të pozicionit gjeografik, arrijnë deri tek veçoritë, karakteristikat e njeriut. Pra vendi ynë jeton në mes të këtyre resurseve. Botanisti Graff e përfundoi hartën e bimësisë shqiptare në vitin 1935. Kujtoj këtu se harta e bimësisë së Europës është bërë mbi bazën e hartës së bimësisë të Shqipërisë.
Ç’mendim kini rreth punës që bëhet tani për ruajtjen e këtyre resurseve?
-Nuk duhet t’i abandonojmë. Vitet e fundit nuk jemi sjellë mirë me këto vlera. Mbaj mend, madje edhe datën. Kur isha Ministër i Bujqësisë, shkova në Elbasan. U thashë të pranishmëve në atë takim: Nëse një ditë do të dëgjoni që vdiq Ahmet Osja, mos u shqetësoni. E di pse? Vdekja është e keqe për individin, por e mirë për specien, siç është edhe njeriu. Por fjalën e kam gjetkë, u thashë. Nëse do të vdes, fjala vjen këtu në Elbasan, duhet të mos më varrosni shtrirë, por vertikalisht, për të zënë sa më pak tokë sepse ajo është shumë e shtrenjtë. Ne nuk i kemi dhënë rëndësi tokës, e kemi trajtuar sikur ta kishim me tepri. Nëse të rinjve, sidomos shkollarëve do t’u flasim me këtë gjuhë, pra ashtu si u fola elbasanllinjve kur isha Ministër, edhe vlerësimi për tokën do të jetë më i madh. Dhe, meqë jemi tek vlerësimi për tokën, më duhet të them, sigurisht sipas mendimit tim, se ne nuk u kemi dhënë rëndësinë e duhur dy shinave, të cilat do të na mbajnë e zhvillojnë: arsimit dhe bujqësisë. Janë dy shinat horizontale ato që mbajnë lokomotivën. Bëje si të duash lokomotivën, por nëse nuk e vendos mbi dy shina, ajo nuk ecën. Ne gjithmonë jemi interesuar për lokomotivën. Ndaj edhe jemi të ngadaltë në ecjen tonë. Sipas mendimit tim, administrate shtetërore duhet të bëjë llogaritë për të mos harxhuar para për “lokomotivën”, por për dy “shiant” që thashë pak më sipër, arsimin dhe bujqësinë.
Po për kooperimin në bujqësi, cili është mendimi juaj?
-Qenia njerëzore është qenie shoqërore. Si e tillë është, edhe kolektive. Në këtë kuptim duhet që njerëzit të jenë të organizuar. Nëse nuk je i organizuar, sido që të përpiqesh, nuk do ta arrish kurrë atë që kërkon shoqëria. Mund të arrish atë që kërkon ti, por ti je pjesë e shoqërisë. Nëse realizohen kërkesat e shoqërisë, individi është i plotësuar. Duhet futur ideja e kooperimit me qëllim që ne si prodhues të mund të plotësojmë kërkesat e konsumatorit. Nëse këto nuk vihen në punë do mbetemi këtu ku jemi. Nuk duhet të trembemi nga kooperimi.
Mendimi juaj për botimet si mbështetës të zhvillimit bujqësor?
-Unë e kam thënë edhe herë tjetër, por pse e përsëris nuk ka gjë të keqe. Janë tri L-të shumë të rëndësishme: lapsi, letra, libri. Këto të treja e kanë çuar shoqërinë përpara. Edhe ne si shoqëri shqiptare nëse do t’u japim përparësi, do të bëjmë shumë më pak gabime. Ne në këtë drejtim kemi përvojë jo të vogël, pra në drejtim të përdorimit të lapsit, letrës dhe librit. Bijtë dhe bijat e Kombit tonë, nga më të ndriturit, i janë përkushtuar kësaj çështjeje, duke na lënë një thesar të çmuar, i cili po të vihet në punë ndihmon shumë për të bërë pak gabime në arritjen e synimeve tona. Ruajtja dhe nxitja e nevojës për të qenë pranë librit, pranë diturisë është e dobishme, e pazëvendësueshme.
Diçka rreth biodiversitetit?
-Unë në vitin 2000 kam arritur të krijoj një Kopsht Botanik këtu në Shkodër, aty përballë Kështjellës. Aty janë 7 qind e 38 lloje bimësh. Jam munduar t’i gjej nëpërmjet shokëve e miqve nga e gjithë Shqipëria. Ato janë të sistemuara, të vendosura sipas një radhe të caktuar dhe të etiketuara me qëllim që të jenë të dobishme për nxënësit e shkollave. Aty janë mbjellë edhe bimë të veçanta, interesante. Ne shquhemi për bimë endemike, jemi shumë të pasur edhe pse jemi vend i vogël. Aty, pra në këtë kopsht, vijnë shpesh të huaj, por më shumë nxënës shkollash, ku mësojnë pasuritë e vendit të tyre. Sa më shumë të dish për këto pasuri, aq më shumë detyrohesh për t’i ruajtur e shumuar për t’i venë në përdorim, për t’i bërë dobiprurëse. Po i njohëm, po i ruajtëm dhe po i vumë në përdorim do të jemi të pasur. Po bëre të kundërtën, mbetesh mbrapa.
Për 100 -vjetorin e Pavarësisë, ju Profesor, sollët një libër disi të veçantë “100 lule 100 foto në Alpet Ilirike”. Diçka shkurt rreth këtij libri?
-Duke u mbështetur në politikat e mirëkuptimit në mes Shqipërisë, Malit të Zi, Kosovës, Bosnje-Hercegovinës, etj., rajoni i Alpeve Ilirike, si zonë e takimit ndërkufitar shtetëror, paraqet rëndësi të veçantë jo vetëm për zhvillimin e mëtejshëm të marrëdhënieve të ndërsjella, por edhe për krijimin e një zone të turizmit Ballkanik. Në perëndim të rajonit të Alpeve Ilirike kemi një zhvillim të dukshëm të turizmit veror dhe dimëror, në pika të veçanta një turizëm elitar. Në Alpet Ilirike Lindore, në Kosovë, kohët e fundit janë hedhur bazat e zhvillimit të këtij turizmi. Shqipëria tashmë është futur në këtë drejtim. Theksojmë se ky rajon ofron të gjitha llojet e turizmit, në veçanti të atij ekologjik e floristikë malor. Dihet se Bjeshkët e Namuna që administrohen nga Mali i Zi , nga Kosova dhe nga Shqipëria tashmë në një formë ose në një tjetër janë shpallur zona të një kujdesi të veçantë: Mali i Zi (shtet ekologjik) , Bjeshkët e Namuna të saj i ka Zonë e Mbrojtur; Shqipëri, Thethi e Valbona janë Park Kombëtar; Bjeshkët e Namuna të Kosovës janë, gjithashtu, Park Kombëtar, e që së bashku, përfshihen në Parkun Ballkanik të Paqes. Ky drejtim i zhvillimit të turizmit malor ofron jo vetëm natyrën me fondin e saj të pasur gjenetik të gjallesave shtazore e sidomos atyre bimore, por së bashku me gjeologjinë, gjeografinë, klimën, historinë, traditën, zakonet, etj., krijon një ansambël vlerash turistike. Në këto rrethana shtrohet jo vetëm problemi i njohjes së fondit gjenetik bimor, por edhe i kujdesit ndaj tij si bazamente të ruajtjes së natyrës në Alpet Ilirike. Këtij qëllimi i shërben ky libër me titull “100 lule 100 foto në Alpet Ilirike”, rezultat i punës së bërë gjatë ekspeditave shkencore në këtë rajon malor. Emërtimi i bimëve mbështetet në literaturën shkencore bashkëkohore europiane, ballkanike dhe të vendeve, ku shtrihen Alpet Ilirike. Në të përfshihen lulet më të bukura, të bimëve më interesante dhe më të rralla, relike, endemike dhe subendemike të Alpeve Ilirike, specie vendase; bimë mjekësore, aromatike dhe zbukuruese të fotografuara në habitatin e tyre gjatë itinerareve në kapërcyellin Shqipëri, Kosovë, Mal të Zi, Bosnje-Hercegovinës dhe jugperëndimit të Serbisë e që përbëjnë një pjesë të vogël të fondit gjenetik bimor të natyrës së tyre.
Po rreth punës me të tjerët, bashkëpunimi me ta?
-Unë pata fatin të punoj mbi 30 vjet në Institutin e Misrit dhe të Orizit në Shkodër. Ai punonte për tërë vendin. Shkelja e gjithë territorit bërë atë që të bisedoja me shumë njerëz, me specialistë. Kjo më imponoi që të detyrohesha, të bëhesha më i vëmendshëm ndaj kësaj pasurie. Por edhe dashamirësia me njerëzit, e cila ka qenë e përsosur, më ka ndihmuar shumë për të bërë më pak gabime. Njeri pa gabime nuk ka, por duke qenë disi i detyrueshëm ndaj njerëzve, jam munduar që të jem sa më pak i gabueshëm. Specialistët që kam njohur, që kam bashkëpunuar me ta, më kanë vlerësuar ndaj më duhej që edhe unë t’i vlerësoja maksimalisht nëpërmjet korrektësisë me ta për punën që bëja. Unë në punën time kam qenë me fat sepse jam ndeshur me gjëra të jashtëzakonshme. Të gjitha sa thamë janë pasuri të kombit. Sa më shpejt të futen në efiçencë, aq më mirë do të jetë. Janë detyra të secilit nga ne, por në radhë të parë janë për ata që janë specialistë bujqësie në profesion. Unë, si specialist i vjetër, kam dashur tu them të gjithë specialistëve të bujqësisë, të cilët punojnë në një vend të veçantë si ky i yni, të plotësojnë, të bëjnë të gjitha përpjekjet për përparimin e bujqësisë. Kjo bëhet kur specialist është i angazhuar. Por edhe i palodhur dhe i dituar. Vetëm kështu specialistët bëhen të dobishëm dhe kanë shansin për të lënë emër të mirë në këtë fushë të rëndësishme të ekonomisë.
Ku, sipas jush Profesor, duhet kujdes, duhet të dëgjohet zëri i specialistit?
-Në tre-katër elementë duhet të jemi të vëmendshëm. Konkretisht. Të vëmendshëm duhet të jemi në pjesën e asaj që prodhohet. Kemi specie tona, kemi përvojën tonë shumë të vyer. E dyta, është ndërtimi i hapësirës ku banojmë. Kjo është shumë e rëndësishme. Po them diçka vetëm për Shkodrën. Ajo ka si pasuri të çmueshme turistike lumin Buna, rërën e hedhur, qytetin e Shkodrës, Liqenin dhe Alpet. Ti marrim me radhë. Rëra e Hedhur është një element i veçantë për arsye se aty hidhet S2O3, pra nuk turbullohet uji. Është një vend, ku turisti kënaqet, madje, befasohet. Kjo është puna! Buna është e gjatë 44 km e 700 metra. Është 6.3 metra e thellë. Ka debit 723 milionë metra kub ujë. Për 365 ditë derdhen në Adriatik 22 milionë metra kub ujë. Atëherë duhet të kuptojmë qartazi se ç’pasuri e madhe, e pallogaritshme që është Buna. Mandej ka delta, një bukuri tjetër kjo që na i ka dhuruar natyra. Po vet Shkodra? Është një mrekulli tjetër, apo jo! Është një qytet me rreth 4600 vjet jetë të pandërprerë. Dhe kjo është një gjë e jashtëzakonshme. Liqeni i Shkodrës është 368 km. Ka Breg dhe Buzë. Kur shkon në pjesën e Shirokës shkon rreth Liqenit, kur shkon në Koplik buzë Ujit. Bregu është më me interes sesa Buza e Ujit. Në vitin 1612 është bërë një libër nga një grua nga Kroacia ku tregon vlerat unikale të Liqenit të Shkodrës. Gjë tjetër janë Alpet, të cilët kanë 5 rajone, 11 zona, 12 lugina, 10 lumenj. Mendoni ç’kapacitet është, janë 2443 km. Le të marrim vetëm një rajon, Tropojën. Tropoja ka Gashin, ka Krasniqin, ka dhe Nikaj-Merturin. Lugina e Gashit, lumi i Gashit dhe maja e Shkëlzenit ka një pasuri të madhe, të paparë me pyje me gështenja. Janë 619 ha gështenjë. Një kg gështenjë në tregun për eksport është rreth 3.9 Euro. Tendenca është drejt rritjes. Një rritje shumë e shpejtë, befasuese. Pas disa vitesh do shkojë sa dyfishi e vlerës që ka sot. Mendoni se ç’pasuri është për banorët e asaj zone, por dhe për më gjerë. Si jemi sjellë me këtë pasuri të falur nga natyra? Fatkeqësisht ne i kemi kthyer shpinën. Mirëpo të gjitha çka thashë duan njohje, duan prezantim në të gjitha format e mundshme, duan propaganduar. Kjo mbështetje të bëhet me qëllim që njeriu të mos e braktisë atë vend sepse ai është i begatë, është tej e tej i mbushur plot “me flori”. Përkundrazi, ai duhet të bëhet i dobishëm për vete dhe për të tjerët. Tregu i brendshëm dhe ai i jashtëm, sidomos ky i fundit, do të jenë burim për të siguruar të ardhura. Këto resurse janë të jashtëzakonshme, por që ne nuk po ua njohim ende vlerat. Ta ndërtojmë ekonominë në atë mënyrë që të na japë atë që duam, të na sigurojë të ardhura monetare. Vetëm kështu do të mundim të krijojmë nivel jetese të barabartë me Evropën. Madje, të arrijmë ato nivele që të mund të jemi të lakmueshëm nga Perëndimi, i cili, siç e dimë të gjithë, ka kërkesa të mëdha për tregun. Nëse ne do të bëhemi të ndërgjegjshëm për mundësitë e pashtershme që kemi në ekonomi, në bujqësi në mënyrë të veçantë, unë kam bindje se për 3-4 vjet vendi ynë bëhet ai që duam, sidomos do të kemi dyndje të paparë nga turistët.
Ndoshta është jashtë profilit tuaj, por dëshiroj t’u pyes për vlerat që ka artizanati në vendin tonë.
-Artizanati është interesant. Një pjesë jo e vogël e njerëzve nuk do të kërkonin punë, do vetëpunësoheshit. Është mundësi reale për punësimin e njerëzve në qytet dhe në fshat. Në kemi artizanat të mrekullueshëm, nga më të veçantët në Botë. Le të marrim përgatitjen e xhubletës. Është 7 mijë vjeçare. Po, po, mos u çudit! Atë e bëjnë vetëm banorët vendas, asnjë tjetër. Kemi dhe veshja e Ultësirës së Shkodrës. Edhe ajo është e jashtëzakonshme. Për përgatitjen e veshjeve përdoret mëndafshi. Gjë e veçantë, apo jo! Merre me mend të vishet gruaja zadrimore me mëndafsh. Po them edhe diçka tjetër, ndoshta dhe për kuriozitet. Veshja me mëndafsh, ndriçimi me dyll dhe ushqimi me mjaltë janë tre elementë unikalë të kësaj zone. I kemi kushtet që t’i përdorim dhe për më shumë të mundemi të afrojmë turistë nga vendet e Perëndimit, të cilët nuk i kursejnë paratë për “çudira” si këto tonat. Kjo, siç e thashë edhe më sipër, janë pasuri të mëdha, të cilat, ndoshta nga mungesa e informacionit, nuk ua dimë vlerë. Vlera njohjeje, por më shumë për të siguruar të ardhura me punë të ndershme, duke shfrytëzuar traditat tona, duke përcjellë brez pas brezi këtë pasuri që na kanë lënë si trashëgimi të parët tanë. që të mund të kursej një metër katror tokë