Arrestohet në Dubai Denis Bajri Brajoviç. Lajmi konfirmohet për BalkanWeb nga gazetarja Klodiana Lala. Ndaj Brajoviçit është lëshuar masa e sigurisë ‘arrest me burg’ në kuadër të operacionit ‘Metamorfoza’, ku falë përgjimeve të SKY-t flet me mbretin e lojërave të fatit, Ervis Martinaj.
Denis Brajoviç ka qenë subjekt i OFL-së, pasi u hetua për veprat penale “Shtrëngim me anë të kanosjes për dhënien e pasurisë, e kryer në bashkëpunim, në kuadër të grupit të strukturuar kriminal” dhe “Kryerja e veprave penale nga organizata kriminale apo grupi i strukturuar kriminal”, njofton Policia e Shtetit.
Ai i arrestuar si pjesë e grupit “Bajri” në Shkodër dhe më pas është liruar nga gjykata e shkallës së parë në Tiranë rreth vitit 2019, duke u lënë në masën e sigurisë “arrest shtëpie”.
Policia e Shtetit
Informacioni i siguruar nga strukturat e Policisë së Shtetit dhe i shkëmbyer në kohë reale me partnerët në Emiratet e Bashkuara, mundëson lokalizimin dhe kapjen e një shtetasi të kërkuar ndërkombëtarisht, në kuadër megaoperacionit “Metamorfoza”.
Finalizohet nga Policia në Emiratet e Bashkuara, operacioni policor i koduar “Rishtas”.
36-vjeçari i ndaluar, i akuzuar nga SPAK, për vrasje.
Në vijim të punës së pandërprerë, me objektiv lokalizimin, kapjen dhe vënien në pranga të shtetasve të shpallur në kërkim, strukturat e Policisë së Shtetit kanë siguruar informacion se një shtetas i shpallur në kërkim ndërkombëtar, për vrasje, fshihej në Emiratet e Bashkuara.
Ky informacion i shkëmbyer menjëherë me partnerët, nëpërmjet koordinimit të zyrave të Interpolit, ka mundësuar finalizimin në Emiratet e Bashkuara, të operacionit policor të koduar “Rishtas”, gjatë të cilit u bënë të mundur lokalizimi, kapja dhe vënia në pranga, me qëllim ekstradimin në Shqipëri, e shtetasit D. B., 36 vjeç, lindur në Shkodër.
Ky shtetas është i akuzuar nga SPAK, në kuadër të operacionit policor të koduar “Metamorfoza”, pasi dyshohet si autor i vrasjes së shtetasit Gj. B. (N.), kryer më datë 09.08.2020, në Shkodër.
Vijon bashkëpunimi për të kryer ekstradimin e këtij shtetasi, në Shqipëri.