-Në kujtim të dramaturgut Albri Brahusha (29.09.1973 – 06.02.2024) dhe krijimtarisë së tij dramaturgjike në teatrin “Migjeni” e më gjerë-
Albri Brahusha, një dramaturg, prozator e gazetar i talentuar u nda, papritur, nga jeta në moshën 51-vjeçare. Ende dhe sot, nga shumë miq të tij të afërt, kjo ikje është e pabesueshme, si një ëndërr, si një… . Siç thotë gazetari i talentuar Albert Vataj: “Albri do t’i mungojë Shkodrës. [… …] do të mbetet një dhembje për familjen dhe të afërmit, kolegët e miqtë. Sepse vdekja është tinëzare dhe e pamëshirshme. Ajo nuk pyet për moshën, për arritjet tuaja, për ëndrrat dhe projektet. Ajo vjen të të thotë, ndalo, deri këtu ishte rruga jote, çfarë ke synuar dhe ke përmbushur ato mbeten, shpirti yt dhe të tjerat i përkasin përjetësisë.”
Me një miqësi më shumë se katër dekada, kujtimet e mia janë të pafund, ashtu edhe dhimbja… Veçanërisht në dy vitet e fundit, takimi i çdoditshëm i mëngjesit me të ishte te “Bar Teatri” ku pinim kafenë e parë. Përgjithësisht, ai vinte më herët se unë. Shpesh e gjeja duke luajtur shah në celular, herë duke shkëmbyer sms me bashkëpunëtorët për materialet që duhet t’i sillnin për numrin e ri të revistës letrare G&G. Me një nur të bukur e me një buzëqeshje të shkurtër, të priste. Më pas i shkëlqenin sytë. E ndieja se i shkëlqente edhe zemra, edhe shpirti. Nisnim bisedat, kryesisht për një projekt të ri rreth një drame, me të cilën “bisedonte” orë e çast. Dhe përsëri kujtoi një thënie të gazetarit Albert Vataj, që thoshte: “… Albri Brahusha ishte njëri prej atyre, që u përpoq dhe bëri më të mirën, që të jetë një gjurmë inkandeshente në rrugëtimin e dritshëm të Shkodrës.” Ndonëse në këtë rrugëtim, sidomos drejt skenës teatrore, shpesh “e harruan”, dhe nuk e kuptuan, a mbase nuk e njohën artistikisht…
Albri nuk ishte më shumë se 22-vjeç, kur në studion e Teatrit Eksperimental për firmat e reja, shfaqi dramën “Përrallat gënjejnë” (1995), në skenën e teatrit “Migjeni”, në regjinë e Artistit të Popullit Serafin Fanko. Kujtojmë se u dha në hollin e Teatrit, në prani të 100 shikuesve. Interpretuan: – Sokol Balza, Nefail Piraniqi, Gjovalin Gjoni, Rita Gjeka, Merita Smaja, Marije Qyrsaqi, Shpresa Garuci, Rajmonda Marku. Gjithashtu, kujtojmë…, dhe pak subjekt: “Resoni, ushtarak i kthyer nga lufta, bën përpjekje të gjejë vetveten, por këtë motiv ai e kërkon tek të tjerët. Ai beson se një përrallë apo një njeri mund ta shpëtojë, por nuk ndodh kështu.” Regjisori Serafin Fanko me talentin e tij, duke njohur e zbërthyer kodin dhe filozofinë e këtij miti modern na ka shpërfaqur në këtë dramë vlerat e Albrit, duke shfrytëzuar shumë simbolika që përfaqësonin shtresa e ndjesi njerëzore, me një përkujdesje regjisoriale të lartë artistike, mbase, duke çuar drejt një udhëtimi të kësaj simbolike shumështresore, e cila, më vonë, do të bëhet më e pranishme në dramat e komeditë e këtij autori. Dhe ja, në vitin 1999, me talentin e tij në rritje, Albri Brahusha Albri dorëzon në teatrin “Migjeni” tragjikomedinë “Vizita e fundit”, me regjisor: Fatbardh Smajën, as / regjisor: Enver Hysenin; me skenografi të Adnan Kastratit. Trupa interpretuese mbi bazën e profilizimit të aktorëve ishte në lartësinë e duhur. Kjo vepër dramaturgjike është një pikëkthese në problematikat e dramave që viheshin deri atëherë në teatrin “Migjeni”. Drama në fjalë, i largohet një subjekti të mirëfilltë dramaturgjik, patetizmit të personazheve, të cilët më parë kishin shumë “aromë” të konceptit, mendësisë dhe realizimit sipas metodës së realizmit socialist. Për herë të parë krijimtaria e këtij dramaturgu të talentuar, na sjellë në skenë disa dukuri të cilat “nuk i njihte” kjo skenë më parë. Ishin risi. Tani në “Vizitën e fundit” vijnë befas si kërkime të reja në rrafshet dramaturgjike e skenike, nocione si: koha dhe antikoha, heronjtë e antiheronjtë, absurdi dhe realja, … etj. Sipas konsulentit të kësaj drame Sokol Haliti, parafytyrat e kësaj tragjikomedie i parashtron në këtë mënyrë: “Një skenë që i ngjan një ofiçine historike, simbole të shpallura sipas arsyes së deformimit, presin një vizitë. Të mbërthyer keqas nga harresa, ata kërkojnë shpëtim tek vlerat e një kohe të largët, ku protagonizmi i tyre është frymëzues.
Kohët ndërhyjnë në qenien e këtyre heronjve nëpërmjet historisë, e cila kërkon të hedhë mbi to të vërtetën, të cilën ata nuk mund ta pranojnë. Ata duan të vizitohen, sepse vetëm kështu, ata do të mund të rivendosin vlerat e tyre. Duke kërkuar këtë, ata dalin mbi historinë, pa e kuptuar se përsërisin të njëjtin fatalitet, pasi asnjë histori e re nuk mund të përmbushë qëllimin e tyre të vjetër VIZITËN, e cila është shpresa e fundit e shpëtimit. Dhe pritja e dikujt, procesi i zmadhimit të defekteve njerëzore, që pasi kanë besuar, shpresuar pafundësisht, habitur gjithashtu, këta heronj zhgënjehen, sepse shohin se me të vërtetë vizitori është vetëm DIKUSHI.”
“Vizita e fundit” përmes tragjizmit dhe komizmit të saj, modelon në skenë përmes lojës së shkathët e të zhdërvjelltë të aktorëve, edhe disa raporte të tjera dukurish, që në rrafshin kohor, herë harmonizohen, herë bulëzojnë, herë vyshken, herë janë në kontradiktë me njëra tjetrën, si: vlera dhe antivlera, akti i besimit dhe i dashusisë si nocione universale, vesi dhe virtyti, … etj.
Një nga analizat më detajuese e profesionale të kësaj tragjikomedie gjejnë pasqyrim në shkrimin “Dramë për kohën e antiheronjve” të autorit Vehbi Myftari, botuar në gazetën “Zëri”, 17.05.2000; Prishtinë – Kosovë.
Autori ndalet në disa piketa: a) “Vizita e fundit” është dramë e filozofisë së njeriut përballë situatave jetësore.; b) Në aspektin e zhvillimit të fabulës dhe të zhanrit, kjo dramë përbën një mes, i cili shtrihet jo vetëm në përkufizimin zhanror të dramës, por edhe në karakterizimin e personazheve, në mënyrën e sjelljes së tyre në skenë, si edhe në të folurin skenik, si element mjaft i rëndësishëm në këtë dramë.; ç) Absurdi që është po ashtu një kapitull i kësaj drame, ndërkaq, nuk rrjedh prej modelimit e as prej situatave jetësore. Ai buron prej tekstit, është pjesë e tij që nuk prek tematikën e përgjithshme të fabulës.
Më pas, në krijimtarinë e dramaturgut Albri Brahusha vjen komedia “Ishulli i Shitenit” (200l), me regjisor: Fatbardh Smajën, as / regjisor: Enver Hysenin; me skenografi të Agron Mesit. Kësaj here herë trupa interpretuese është brenda subjektit të komedisë dhe anasjelltas. Le të ndjekim filozofinë dhe trajtesën e VETMISË (koha e largët, aktuale dhe e ardhme) të dramaturgut, dhe t’i qasemi asaj përmes këtij rrëfimi: “Ishulli i Shitenit” është një vend virtual. Banorët e tij ju ftojnë të ndiqni një situatë, e cila ka ndodhur mijëra vjet përpara, ose do të ndodhë mijëra vjet prapa. Ishulli nuk ndodhet në mes të detit, por në mes të fantazisë suaj, ku format, ngjyrat, tingujt e numrat përzihen për të krijuar idetë. Ishulli është krijuar bashkë me ju. Ai ka formën e një mase të palëvizshme që quhet HUMANIZËM. Dhe idesë, para se të shfaqet i duhet të ndalet në Ishull për të marrë trajtën përfundimtare. E gjitha kjo ndodh në harkun e disa sekondave dhe shpesh ku ju ndiheni i vetmuar.”
Më 19.05.2014 shfaqet premiera e komedia “Eldorado-s” e autorit Albri Brahusha, regjia: Fatbardh Smaja, as / regjisor: Enver Hyseni. Personazhet që interpretuan: – Doktor Allemani – Arben Spahija; – Petriti – Agron Dizdari; – Maksuti – Emiljano Palali; – Vasilika – Rita Gjeka; – Mirushi – Jozef Shiroka; – Izabela – Sara Smaja; – Përfaqësuesi i G 8 – ës – Enver Hyseni; – Grupi Joker – Merita Smaja; Grupimi i të rinjve: Rafaeli, Eder, Stefano, Stesi. Shfaqja është dhënë 5 herë me një shikueshmëri 1020 spektatorë.
Në një intervistë dhënë gazetares Valeria Dedaj, dramaturgu Albri Brahusha thotë: “Metafora e “Eldorado-s” është aq e madhe sa të gjithë e kuptojnë se, bëhet fjalë për probleme nga të cilat shoqëria jonë vuan sot. Alkimia, pra kthimi i baltës në ar, është e vjetër, po aq edhe legjendare. Por kjo metaforë në vetvete shndërron edhe moralin njerëzor, kur vjen puna te pasuria dhe pushteti njerëzit shndërrohen, gati – gati çmenden. Ajo që kemi dashur të theksojmë… [… …] e gjitha kjo situatë globale bie erë gjithandej sidomos në epokën moderne, ku kushtet materiale janë përmirësuar, por njeriu është përkeqësuar”. (Intervistë: Komedia “Eldorado”, aty ku njerëzve morali u duket si përrallë e moçme”, autore: Valeria Dedaj, gaz. Shekulli, 09.06.2014).
Ndërsa studiuesi dhe kritiku Zija Vukaj e përqëndron vëmendjen tek detajet dhe struktura e ndërtimit të komedisë: … [… …] “Komedia ka gjashtë pamje apo skena, që lidhen me njëra-tjetrën përmes interludeve korale të ekzekutuara me lëvizjet elegante të një grupi të rinjsh. Jehona vargjesh popullore në formë namatisjesh dhe epigramesh, nga njëherë të modifikuara apo të pasuruara (rikrijuara) nga regjisori Smaja sipas situatave që paralajmërojnë, nganjëherë bio, siç i ka krijuar populli shoqëruar me tinguj ritmikë, lidhin dhe harmonizojnë të gjitha skenat, realizojnë kohezionin e veprës, duke i dhënë asaj gjithë lëngun e jetës dhe e përfshijnë spektatorin në një atmosferë alternative. Në këtë pikë duhet vërejtur dhe theksuar vokacioni dhe formimi i gjerë muzikor i regjisorit, jo vetëm në përzgjedhjen e motiveve dhe ritmeve por edhe në krijimin e efekteve të tjera zanore apo intuita e marrëdhëniet e mira të tij në artet figurative për të ndërtuar me elemente të thjeshta, por peshë të mjaftueshme simbolin e dekorin e skenës. [… … ] Loja e aktorëve është mjaft e realizuar. I tillë është Ben Spahija në rolin kyç të doktorit. Falë tipareve dhe aftësive individuale i jep personazhit një profil krejt të veçantë, duke e gdhendur fort edhe si karakter, edhe si dukuri. Po kështu, aktorja Sara Smaja, me zhdërvjelltësinë e interpretimit, sigurinë e komunikimit skenik, freskinë e lëvizjeve dhe elegancën natyrale transformon figurën e një personazhi të përgjithshëm si diçka të veçantë. Një punonjëse e thjeshtë administrate që ushtron përmes hireve të saj si balerinë koketë pushtetin e saj të vjetër sa bota ndër personazhet e gjinisë mashkullore. Po kështu aktorja e njohur Rita Gjeka përmes profesionalizmit të saj dhe shkrirjes me rolin, transmeton me elegancë tragjikomizmin e situatave duke paraqitur copëza jete, ku makutëria, intriga, xhelozia janë trysnuar nga qëllimi për të kapur Eldoradon. Petriti (Agron Dizdari), një personazh i realizuar mjaft mirë përfshihet i tëri në ëndrrën e madhe, vjen në këtë rol me një freski dhe përqendrim rinor. Interesant për nga zhvillimi përgjatë situatave, por edhe plotësia dhe forca imponuese karakterit, është zjarrfikësi (interpretuar nga Jozef Shiroka). I futur si një personazh episodik, merr dora-dorës tiparet e një tartufi duke u bërë model i një vargu ngatërresash dhe gjeneza e thashethemnajës. Ndërsa Maksuti (interpretuar nga Emiljano Palali) është një Maksut i ri në moshë, tashmë ka kaluar prova serioze dhe është një nga aktorët më premtues në bashkëpunim i aktorëve të rinj me aktorët tashmë të njohur përbën një frymëmarrje shpresëdhënëse për skenën e teatrit “Migjeni”. (Shkrimi: Ëndrra “Eldorado”, autori: Zija Vukaj, gazeta SHQIP, 02.06.2014)
Pedagogu, Dr. Gëzim Puka, në shkrimin e tij vë theksin në natyrën dhe ardhjen e kësaj komedie. Ai shprehet: “Spektatori i teatrit “Migjeni” ndoqi për disa net me radhë shfaqjen “Eldorado” të Albri Brahushës, me regji të Fatbardh Smajës. Ishte kjo komedi një rikthim i suksesshëm i këtij autori, i cili sipas kritikut të njohur të teatrit, Josif Papagjoni “… tërhoqi vëmendjen qysh në dramat e tij “Vizita e fundit”, që ishte një ironi e mprehtë dhe sarkazëm sfiduese ndaj vetëdijeve mitologjizuese të periudhës së diktaturës komuniste, duke u tallur me klishetë e ngurta morale dhe me shëmbëlltyrat e rrejshme të kinse heroizmit, të fabrikuara nga ideologjia sunduese e asaj kohe dhe nga interesat të politikave gjegjëse të kastës drejtuese, si pjesë e manipulimit të shpirtrave.” [… …] Do të shtoja se Albri Brahusha në tekstin dramatik “Eldorado” na propozon një “komedi blu”, e çila përqendrohet tek disa argumente të sikletshme, të ngjashme me ato të Charles Bukovskit apo të Anton Pashkut në prozën shqipe.” (Shkrimi: “Eldorado”, një komedi e zezë për antivlerën që shitet si vlerë”, autori: Dr. Gëzim Puka, gazeta MAPO, 27.05.2014).
* * *
Krijimtaria dramaturgjike, si edhe ajo e prozës e autorit Albri Brahusha, ende, është e pastudiuar në thellësi. Ka mbetur, kryesisht, në vështrime të dramave të veçanta të tij. Më shumë në një hapësirë recensioni. Duke parë arritjet në fushën dramaturgjike të Albrit, mund të them pa frikë se ishte një dramaturg modern, një nga më të mirët dhe më me përspektivë në këtë zeje të vështirë të letrave shqipe.
Është një pyetje që i duhet dhënë përgjigje: – Cila ishte e reja që dramaturgjia e Albrit me problematikat që shtroi, solli në skenën e teatrit “Migjeni”? E para, ai krijoi “epokën” e tij, duke bërë me shumë sukses e dinjitet “divorcin” me dramat pararendëse që u dhanë në këtë skenë, të cilat kryesisht mbartnin dhe ushqenin metodën e realizmit socialist. E dyta, teksti i dramave të Albrit me ngarkesat e mëdha emocionale i drejtohej shpirtit të njeriut në marrëdhënie me të kaluarën e tij. E treta, E kaluara duhet pasqyruar me gjithë dramat e saj, që është përballur njeriu, duke mos e harruar atë, në të kundërt ajo bëhet pjesë e dramës dhe e tragjedisë së tij. E katërta, Vlera e vërtetë, dinjiteti dhe mosharresa kanë universin në jetën e njeriut, vizionin dhe ekzistencën e të qenurit njeri. E pesta, teksti i tij dramaturgjik kishte nota të shumta poetike, me një strukturë të ngjeshur, me karakter meditativ, i shoqëruar përmes miteve, simbolikave, të paraqitjes së mbidozave e të vetkënaqësisë e të një brutaliteti agresiv në emër të korrupsionit. Veçanërisht këto të fundit në trajtimin e tyre shfaqin guximin krijues të Albrit, talentin dhe dallueshmërinë e personalitetit të një dramaturgu që, edhe pse ishte i ri në moshë arriti të kishte emër dramaturgu të vërtetë. Intuita, kultura, dhe vëzhgimet e realiteteve që bëheshin objekte trajtimi, ai i njihte mirë, ndaj dhe fitoi duartrokitjet e spektatorëve dhe të shumë çmimeve që mori me të drejtën e vlerësimit.
Albri nisi të mungojë te “Bar Teatri”, ku zakonisht pinim kafenë e mëngjesit. U shqetësova së tepërmi dhe… Një ditë…, e kjo ndodhi në javën e fundit, kur do të ndërronte jetë, së bashku me mikun tim Arjanin, librarin e Librarisë Universitare, shkuam ta shihnin në spital. Nuk kishin nevojë të pyesnim se në cilën dhomë ishte, se e njihnin të gjithë. E takuam shumë shpejt. I kishin dhënë një dhomë të veçantë. Biseduam pak. Ishte i lodhur. Mundohej të na buzëqeshte me shpresë se, do ta pinim, si zakonisht e përsëri kafenë e mëngjesit. Ndonëse ishim të pikëlluar teksa e shihnim, nuk donim ta mendonim se kjo ishte “Vizita e Fundit”. Kur u përshëndetëm, padashur ktheva kokën pas dhe… Pashë nënën e tij fisnike që i rrinte te koka. E heshtur. Bardhësia e flokëve të saj ishte kthyer në dhimbje për të birin, që mundohej të mos e shfaqte…
Më qëllon, ta pi vetëm kafenë e mëngjesit te “Bar Teatri”. Vetiu më shkon mendja se mos Albri po vjen… Sikur është vonuar pak… Në fakt, ai është aty, përballë meje për të nisur një bisedë të re, një ëndërr teatrore, të cilën e ruante, aty, fshehur te zemra… /Nga Xhahid BUSHATI, publikuar në Facebook/