“Reklama është shpirti i tregtisë”, postulati që askund më mirë se nuk Shkodër nuk njihet, përgjithëson konceptin e asaj që në zhargonin e përditshëm quhet propagandë. Nuk është fenomen i ri, nuk dihet se kush e ka shpikur dhe kur, me gjasë do të jetë i përjetshëm përsa kohë do të ekzistojë raca njerëzore.
Që nga veshja personale deri tek dekorime/zbukurimet e hapësirave publike, çdo gjë është propagandë. Tek të tjerët “duam të shesim sa më shtrenjtë” imazhin tonë, mundësisht duke imponuar edhe modele. Kjo është puna e atyre që quhen influencër dhe që fitimin e kanë pikërisht nga propaganda për kompani, produkte e sherbime. Një lloj propagande lidhur me ndjeshmërinë, mbase spontane, është edhe veshja e një lypsari. Sa më keq i veshur, sa më mjeran në dukje e shprehje, aq më shumë ka probabilitet të marrë lëmoshë. Por nga ana tjetër, jo gjithmonë ata që bërtasin më shumë, përfitojnë më shumë lëmoshë. Përkundrazi.
Edhe përmes hapësirave publike, koncepti është i njëjti. Por vetëm me një ndryshim: Direkt apo indirekt, realizohet me paratë e të gjithëve dhe synon manipulimin (me qëllime pozitive- sensibilizim ose me qëllime negative). Prej shumë vitesh tashmë, ndoshta më shumë se 20, institucionet publike kanë ngritur struktura të mirëfillta propagande, të cilat konsiderohen si struktura informimi, komunikimi apo promovimi të publikes, gjithmonë në emër të detyrimit ligjor e moral për transparencë. Nga viti në vit, edhe përmes kuadrit ligjor, ky sektor po forcohet. Edhe kjo nuë është “shpikje” e jona por e huazuar bashkë me shumë fenomene të tjera nga përendimi.
Sigurisht, propaganda apo reklama, nuk mund të mos ketë antipodin e vet: Antireklamën apo antipropagandën. Ka një “garë” të dukshme mes individëve se kush vishet më bukur, kush imponon stilin e vet tek të tjerët. Ka një garë mes kompanive për produkte të njëjta apo të ngjashme, deri në antireklamë për rivalin direkt. Në të njëjtën linjë, edhe propaganda për gjënë publike, përballë saj ka tashmë prej dekadash antipropagandën. Sepse ky është ligji i natyrës, kjo botë është ndërtuar mbi ekuilibrin e të kundërtave.
Ajo çfarë e bën propagandën apo antipropagandën të suksesshme apo të dështuar, është masa. Apriori, nuk ka një individ që vishet bukur dhe një tjetër që vishet shëmtuar në çdo ditë, në çdo rast. Sepse shijet janë personale, edhe të atyre që gjykojnë. E përsa kohë nuk ka një “votim”, secili në të vetën, është në drejtimin e duhur. Nëse një njeriu i thua çdo ditë “të urrej”, ai është i predispozuar të ta kthejë me të njëjtën monedhë. Por edhe nëse i thua “të dua” dikujt çdo ditë, mund të lind dyshimi (i cili shoqëron njeriun nga lindja deri në vdekje) nëse kjo “dashuri” është e vertetë. Në shumicën e rasteve, ky ekuilibër i nevojshëm, nuk gjendet as tek individi, as tek institucionet që përdorin propagandën apo antipropagandën.
Në të dy rastet, fenomeni i kakofonisë në komunikim, dëmton qëllimin e individit apo institucionit. Njeriu por edhe institucioni, është produkt i të gabueshmit. Për rrjedhojë, asgjë nuk është e nuk mund të jetë perfekte në propagandë e as antipropagandë. Nga shtëpitë, lagjet apo lokalet, tashmë propaganda dhe antipropaganda kanë kanale pafund shpërndarje përmes megafonëve të rrjeteve sociale kryesisht. Është e lehtë të biesh pre e propagandës siç edhe antipropagandës. Është një betejë që vazhdon e do të vazhdojë bashkë me ekzistencën e njeriut.
“Të gabosh është njerëzore, të këmbëngulësh në gabim është djallëzore”, ndoshta ky është i vetmi parim që mund të ndikojë në krijimin e ndonjë balance, gjithmonë nëse qëllimi apo “njeti” siç themi në Shkodër, është i mirë. Përkundrazi, Zoti i shpëtoftë audiencat (qytetarët)! Sepse as propaganda dhe as antipropaganda nuk mund të kufizohen e aq më pak ndalohen! Propaganda dhe antipropaganda janë mjete të rëndësishme për arritjen e qëllimeve por asjëherë të mjaftueshme të vetme. /Nga Sokol N. SOKOLI/