Rastësia ka sjellë që simboli ynë kombëtar, shqiponja, të jetë me dy kokë. Përveç personifikimeve të tjera që i janë atribuuar ndër shekuj këtij simboli, mbase është edhe ai i shtetformimit modern, ku dy kokat përsonifikojnë edhe me “degët” kryesore: Mazhorancën qeverisëse dhe opozitën që mëton qeverisjen.
Koncepti “opozitë”, ndoshta jo në përceptimin ekzakt që kemi sot, ka lindur bashkë me organizimin e shoqërisë njerëzore në atë që të gjithë sot e njohim si “shtet”. Opozita ka ekzistuar gjithmonë, në çdo etapë të njerëzimit dhe do të vazhdojë të ekzistojë. Në shoqëritë moderne, roli i saj është jetik për zhvillimin e tyre.
Edhe në periudhat më të vështira të njerëzimit, edhe në Shqipëri, edhe në kushtet e diktaturës më të egër në Europën e Lindjes, opozita ka ekzistuar. Sigurisht, sistemi komunist nuk e la të kristalizohej, e persekutoi me të gjitha mënyrat, sanksionoi mungesën e saj edhe me Kushtetutë, por gjithsesi ajo ekzistoi me forma nga më të ndryshmet, individuale dhe të organizuara.
Në disa raste, siç është Lëvizja Antikomuniste e Kelmendit, Kryengritja Antikomuniste e Postribës, opozita iu kundërvu edhe me armë në dorë regjimit që po instalohej. Edhe pas shtypjes me dhunë të këtyre lëvizjeve të para dhe të tjerave të pasuan, të paktën opozita e mendimit nuk u ndal asnjëherë, deri në dhjetor 1990- të, kur u zyrtarizua rikthimi i sistemit pluralist politik.
Këto gati 34 vite, roli i opozitës në vend, ka qenë jetik. Sidomos në kuadër të antarësimit në NATO dhe në Bashkimin Europian por edhe në ligje e kode që kërkojnë shumicë të cilësuar, përtej mazhorancave qeverisësë. Nga ana tjetër, opozita ka hedhur edhe hapa të gabuar përkrah mazhorancës, siç është të paktën rasti i ndryshimeve kushtetuese të 2008- ës, për të cilat opozita e asaj kohe, ka shprehur pendesë.
Opozita e majtë në këtë vend, për rreth 34 vite, ka ndryshuar vetëm një herë lidership, nga Fatos Nano tek Edi Rama. Ndërkohë, opozita e djathtë, ka konsoliduar vetëm një lidership, atë të Sali Berishës. Sidomos pas shtatorit 2021, u pa qartë se Lulzim Basha edhe pse kishte “vulën” e postin si lider i opozitës, në fakt drejtonte Sali Berisha.
Askush, të paktën nga dhjetor 1990 e këtej, nuk mund të rrahë gjoksin se ai/ajo ka bërë opozitë. Sigurisht, opozita është transformuar, tjetërsuar, ndarë e ri- bashkuar por anjëherë nuk është zhdukur. Për interesa individuale apo edhe të grupimeve brenda saj, heqë ka qenë më e ashpër e herë më bashkëpunuese me mazhorancën qeverisëse, herë ka qenë më e artikuluar me argumente e herë më bosh, herë e shitur e herë e blerë, e tkurrur e herë e shtypur. Por gjithmonë ka ekzistuar! Të paktën në pjesë publike, të dukshme!
Edhe sot, pavarësisht se jo në situatën më të mirë të mundshme, opozita ekziston. Përtej kahjeve të lëvizjes në qasjen me mazhorancën, në finale, të gjitha opozitat (shumës tashmë) synojnë ardhjen në pushtet, përmes largimit të mazhorancës aktuale. Gjetja e rrugës, mënyrave, modaliteteve, kauzave të vlefshme dhe që “ngjitin”, mbase është sfida më e madhe e opozitës në prag të zgjedhjeve politike të radhës. Vëtëm atëherë gjen rrugën drejt pushtetit, të paktën kështu ka ndodhur në 1992, 2005 dhe 2013. /Shënim i ShkodraWeb/