Marjana Koçeku është tashmë një emër mjaft i njohur. Ajo i dha jetë një biznesi të veçantë, me emrin kuptimplotë “Neomalsore” Agroturizëm. E diplomuar në Tiranë, 22-vjeçarja jetoi për një vit në Gjenovë, Frankfurt e Stokholm. Thotë se kishte disa mundësi punësimi në profesionin e saj, por që nuk e tërhiqnin dhe vendosi të kthehej në Shqipëri.
Një zë i fortë brenda saj thotë se e thirri për t’u kthyer te “rrënjët e saj” te kulla – trashëgimi e gjyshit dhe babait në fshatin Nanplepa të Dukagjinit, në veri të Shqipërisë.
E lodhur nga zhurma dhe kaosi i qyteteve të mëdha evropiane, në prill të këtij viti, Marjana u kthye te “rrënjët e saj” te kulla në breg të Liqenit të Komanit, në hyrje të Lumit të Shalës. Tani ishte koha për një tjetër hap – për “Neomalsore” Agroturizëm. Ajo vendosi t’i hapte dyert e kullës së trashëguar për turistët, për ta bërë të njohur historinë shekullore të kësaj zone, traditat, zakonet, ushqimet, që për të janë “magjike”.
Ka shumë punë për të bërë, por tashmë Marjana dhe “Neomalsore” Agroturizëm është futur në rrugën e rritjes dhe të suksesit. Kjo ka rënë në sy edhe të të huajve, ndërsa Ambasada Britanike e ka përzgjedhur si një shembull suksesi në kuadër të fushatët sensibilizuese “Ndërto të ardhmen tënde këtu”, e cila synon që të rinjtë të mos marrin rrugët e emigracionit.