Latinët thonë se nuk ka ngjarje të vjetra por aktorë të rinj. Kur dëgjoj se si dashuri të flakta shndërrohen në urrejtje djegëse, më kujtohet një histori në vitin 1984 kur shërbeja në Ndroq. Në repart ishte një ushtar rom shumë problematik, gjithsesi një ditë më kërkoi leje disaorëshe të shkonte në shtëpi. Më premtoi se do kthehej me autobusin e fundit. Sapo u err më merr në telefon.
-Komandant sot nuk vij. Kam rrëmbyer një goc e më kanë rrethuar jevgjit në shtëpi. Po flas nga zjarrfikset e Kinostudjos.
-Po ti shkove për tu martuar? Nesër në orën 6 të dua këtu- thirra i tërbuar.
-Si urdhëron!
Të nesërmen në mëngjes gjithë inat mora dylbitë e shihja nga stacioni i autobusit ku zakonisht zbriste ndonjë banor i Gërblleshit dhe një mësuese. E pashë ushtarin në mes të një turme njerëzish të veshur si për festë. Pas 7-8 minutash ia behën në postbllok familjet e ushtarit dhe e vajzës e cila dukej se nuk i kishte mbushur ende 15 vjeç. Dola e i prita. Nëna e ushtarit nxorri dy pako llokume e ia dha rojes për të qerasur shokët e djalit që shihnin me kërshëri nga brenda oborrit të repartit.
I ati vajzës një trupmadh, me dhëmbët e veshur me flori mori fjalën.
-Shoku komandant, ushtari jot mbrëmë ma grabiti gocën e tani nuk kam çar të boj. U bomë miq…
-Epo të trashëgohen- i thashë sa për të mbyllur muhabetin.
-Komandant- ndërhyri i ati i ushtarit- në bazë të ligjit, djalit tim i takojnë 2 javë leje. Po e marrim që tani me vete.
-Pa më sjellë çertifikatën e martesës nuk i jap leje – i thashë i sigurtë se vajza ishte nën moshë për celebrim.
-Rrofsh komandant- ndërhyri krushku tjetër- llaf me vend, duhet celebrimi…
-Qyqja- ndërhyri e ëma e ushtarit – si ta marr në shtëpi derr në thes. Ku e njof këtë, mbramë e pashë për herë të parë. Ik ore çfarë celebrimi…
-Po pse moj shoqe nuk të pëlqejmë ne ty. A më njef ti se kush jam oj shoqe…Po unë var anëtarët e Byrosë Politike moj, e kupton me kë flet apo jo.
Plasi sherri e shamata mes familjeve, unë tërhoqa nga krahu ushtarin dhe e shtyta drejt repartit, nusja e vogël dhe nja dy fëmijë ja dhanë të qarës. Bëra si bëra mbërtheva dhëmbëfloririn nga krahu dhe e ndava nga turma. Ai turfullonte
–Ore më sqaro si i var anëtarët e Byrosë se nuk të kuptova apo më provokove mua – i thashë.
-Po ore, tre katër herë në vit i var te Pallati i Kulturës, në Komitet Qendror, te Ministria e Mbrojtjes… Është punë më përgjegjësi se po i ngatarrova radhën, po fryu era i rrëzon ose i shtrembëron më ikën koka mua…Jam më i besuari te Dekori o komandant nuk jam lëng groshe si ajo një copë pastruese gjithjë jetës turni natës.
Ashtu, turma duke diskutuar e bërë potere lëvizën sërish te stacioni autobusit për tu kthyer në Tiranë ndërsa ushtari –dhëndër i përcillte me sy e thonte:
-Punë jevgjish o komandant, sot zihna nesër pajtohna, pasnesër prap zihna. Po atë gocën nuk e le pa e marr prap. E kom rrit vetë… /Nga Skender DODA; publikuar në Facebook/