Ramadan Sokoli (Shkodër, 14 qershor 1920 – Tiranë, 12 mars 2008) qe muzikant, kompozitor, shkrimtar dhe etnomuzikologu i parë shqiptar. Çmohet si njëri prej studiuesve më të mëdhenj të muzikës shqiptare dhe ballkanike, posaçërisht për studimin e tij të muzikës së vonë Osmane, mekameve dhe praktikave të saj.
U lind në lagjen Dërgut të Shkodrës, i biri i Isufit të Hodo pashë Sokolit dhe Aishe Jukës. I ati ishte përkthyes në konsullatën jugosllave në qytet që nga 1920 deri së paku më 1936. Shkollën fillore e kreu në vendlindje në vitet 1927-‘31 dhe që në klasën e dytë mësoi notat e muzikës duke luajtur në disa vegla muzikore. Shkollën e mesme e mbaroi në gjimnazin e shtetit në vitet 1931-‘39 po në atë qytet. Qysh në moshë të njomë, bënte pjesë në Bandën Frymore të Qytetit të Shkodrës, që për kohën ishte e famshme. Rreth moshës 16 – 17 vjeçare, filloi të kompozojë. Bëri disa këngë që më pas, do të këndoheshin nëpër koncerte apo në Radio Tirana si pa autor, deri sa një ditë u quajtën, këngë popullore, ku dhe sot vazhdojnë të njihen si të tilla.
Pas pushtimit italian të Shqipërisë raportohet ndër pjesëmarrësit e demonstratës së parë antifashiste me studentë dhe konviktorë të Shkodrës me flamurin shqiptar pa sëpatat e liktorit. Autoritetet kolaboracioniste ia internuan të atin në Bolonjë, ku Ramadani shkonte ta shihte shpesh.
Pasi mbaroi gjimnazin me rezultate të larta, ai fitoi një të drejtë studimi për të ndjekur Konservatorin “Luigi Cherubini” në Firence për Flaut e Kompozicion. Gjatë periudhës së studimit në atë konservator, Ramadani kishte një shoqëri të madhe me Qemal Stafën, Kristaq Tutulanin dhe Qemal Draçinin.
Për shkak të luftës, në vitin 1944, Ramadani i ndërpreu studimet në atë konservator dhe u kthye në qytetin e tij të lindjes. Vëllai i tij i madh, Brahimi, u arrestua që në fillim si eksponent i Lëvizjes së Legalitetit në qytet. Pas ngjarjeve të Kryengritjes së Postribës, u arrestua edhe Ramadani me të atin, të dënuar përkatësisht katër dhe dy vjet. Dënimin e kaluan prej burgjeve të Shkodrës e kënetave të Bedenit në rrethin e Kavajës. Në këto ambiente, Ramadani, do të fillonte për herë të parë njohjen me ajkën e inteligjencës shqiptare, të cilët sipas tij do të bëheshin profesorët e një universiteti tjetër. Lidhur me këtë shprehej: “Bash në rrethana të tilla, kur isha i burgosur politik, kam filluar të merrem me folklorin. Meqë disa nga bashkëvuajtësit që ndodheshin aty ishin bartës të zgjedhur të folklorit, përfitova nga rasti për të vjelë prej tyre lëndë të vyer. Mu aty, duke hulumtuar visarin tonë kombëtar, të trashëguar gojarisht brez pas brezi, u binda se atdheu ynë është vend i zgjedhur për gjurmuesit e folklorit”, shprehej profesori i famshëm për zanafillën e profesionit të tij të ardhshëm.
Gjatë gjithë periudhës së burgut, Ramadani mundi të vilte prej shumë “kolegëve” të tij të qelive, një kulturë të madhe në fushat e folklorit e muzikologjisë, të cilat i shërbyen si lëndë e parë në hartimin e përpilimin e mëvonshëm të dy teksteve shkollore që do të bëheshin “patenta” e tij në rrugën e saponisur të etnomuzikologjisë. Pas daljes nga burgu e morën ushtar dhe e dërguan në jug të Shqipërisë, në fshatrat e Gjirokastrës, pothuaj në kufi me Greqinë. Edhe kjo për të qe një eksperiencë e vërtetë jete. Ishte dirigjenti i njohur Gaqo Avrazi që ndërhyri për ta tërhequr në Tiranë e t’a punësonte për organizimin e Ansamblit të Ushtrisë, e më pas në organizimin e Korit të Filarmonisë. Pas kësaj punoi si Shef i Muzikës në Shtëpinë e Kulturës së Qytetit të Tiranës. Gjatë kësaj kohe u muar me organizimin e Festivaleve te Këngës e Valles Popullore. Në këtë punë ai shërbeu për pak kohë deri se u mor vesh biografia e tij si “armik i klasës” dhe u pushua shpejt. Pas kësaj, mbas disa ndërhyrjesh ai mundi të rifillojë punë në kryeqytet si drejtues muzike në Shtëpinë e Kulturës nga viti 1952 deri në 1954 kur u pushua përsëri. Me mundime të mëdha ngaqë kishte shumë nevojë për kuadrin mësimor të muzikës, ai u rregullua si mësues në Liceun Artistik në Tiranë me ndihmën e Llazar Siliqit. Në këtë shkollë Ramadani punoi pa ndërprerje në mes peripecish të shumta derisa doli në pension në vitin 1980, pa iu dhënë kurrë mundësia të punonte në nivel akademik.
Gjatë gjithë këtyre viteve Ramadani u mor pa ndërprerje me studime në lëmin e muzikologjisë dhe folklorit, duke arritur të bëhet një nga personalitetet kryesore dhe të vetmit në këtë fushë. Në Liceun Artistik, Ramadani ka dhënë një sërë lëndësh të ndryshme si flaut, folklor muzikorë, harmoni, histori muzike, teori solfezhi, muzikë dhome etj. Me nismën e tij u përfshi në programin mësimor të shkollave të mesme dhe lënda e folklorit muzikor për të cilat ai hartoi tekstet përkatëse, të cilat studiohen akoma dhe sot. Në këtë lëndë, ai ka dhënë mësim dhe në Institutin e Lartë të Arteve për 10 vjet me radhë duke përgatitur dhe laboratorë përkatës tepër të pasur me instrumente të larmishme.
BOTIMET
“Les danses populaires et les instruments musicaux du peuple albanais”, Tiranë, 1958;
“Albanskie narodnie pesni”, Tiranë 1965;
“Figura të ndritura”, Tiranë, 1965;
“Folklori muzikor shqiptar-morfologjia”, Tiranë, 1965;
“Chansons populaires albanais”, Tiranë, 1966;
“Metodë për fyell”, Tiranë, 1970;
“Vallet dhe muzika e të parëve tanë”, Tiranë, 1971;
“Folklori muzikor shqiptar-organografia”, Tiranë, 1975, 1984, 1987, 1991;
“Figura e Skënderbeut në muzikë”, Tiranë, 1978;
“Gjurmime folklorike”, Tiranë, 1982;
“Këngë patriotike”, Tiranë, 1985;
“Veglat muzikore të popullit shqiptar”, me bashkautor, Tiranë, 1991;
“16 shekuj”, Tiranë, 1995;
“Antifonari i durrsakut Gjergj Danush Lapacaja”, Tiranë, 2000;
“Gojëdhana dhe përrallëza të botës shqiptare”, Tiranë, 2000
“Përtej 16 Shekujve”, Tiranë, 2002
“20 miniatura pianistike”, Tiranë, 2002.