Këto ditë, është rikthyer tema apo debati i vendosjes së monumentit të Lekë Dukagjinit në një nga sheshet kryesore të qytetit të Shkodrës. Ka qenë një ide e një grupi organizator, i cili ka bërë të mundur edhe mbledhjen e fondeve të nevojshme për ngritjen e përmendores së Lekë Dukagjinit.
Në fakt, ka patur diskutime edhe në rrjetet sociale nëse duhet vendosur dhe ku duhet vendosur monumenti apo përmendorja. Shumica e lidhin emrin e Lekë Dukagjinit jo me një nga bashkëpunëtorët më të afrët të Gjergj Kastriotit por edhe me kanunin që identifikohet me emrin e tij.
Nuk është e vertetuar se ky kanun ka autorësinë apo “bekimin” e Lekë Dukagjinit, edhe pse ai që e mblodhi dhe e kodifikoi ishte Shtjefen Gjeçovi. Kanuni konsiderohet nga një pjesë e opinionit publik me ndikim negativ por edhe me influencë në ditët e sotme në shumë zona, sidomos në Veri të Shqipërisë.
Por Lekë Dukagjini, ka edhe një meritë tjetër. Ai i dha emrin monedhës që të gjithë sot, brenda e jashtë Shqipërisë, e njohim e madje e mbajmë në xhepat apo portofolët tanë.
Mark Rupa, ka sjellë në vëmendje një dokument interesant të vitit 1922, mbledhjen e Këshillit Kombëtar të kohës apo parlamentit. Në një nga mbledhjet e tij, ai ka miratuar monedhën kombëtare “lekë” dhe pikërisht ky emër ka ardhur nga Lekë Dukagjini, siç tregon dokumenti, duke ia vënë në gojë këtë deklaratë kryeministrit të kohës, Xhafer Ypi.
“Emërtimi i monedhës shqiptare “Lekë” nën emrin e Lekë Dukagjinit pasqyron rëndësinë historike dhe rëndësinë kulturore, duke nderuar trashëgiminë e kësaj figure të shquar historike në historinë shqiptare. Më poshtë pjese nga protokolli zyrtar i mbledhjes së Këshillit Kombëtar me Dt. 13 Shkurt 1922. Pareja e Shqipnis emnohet “Lekë”. Leka ndahet në 100 qintima.”, shkruan në rrjete sociale Mark Rupa.
Vetëm kjo, do të ishte një arsye e mjaftueshme që Lekë Dukagjini të ketë një permendore në qytetin e Shkodrës, edhe pse prijësi i njohur i mesjetës shqiptare nuk ka lidhje me toponimin Dukagjin që e njohim sot të gjithë brenda kufijve të Shqipërisë dhe jo pak, e anatemojnë. Interesant është fakti që as gjatë 45 viteve të diktaturës komuniste, askush nuk guxoi të komunistizojë apo ideologjizojë monedhën tonë kombëtare me emrin “lekë” si Lekë Dukagjini.