Kreu i Shoqatës së Transportit Ndërqytetës, Eneo Sulejmani është kapur duke transportuar 1 kg kokainë me makinë. Eno Sulejmani ishte bashkë me dy të rinj të tjerë në makinë, dhe kishin në plan të shkëmbenin drogën mbrëmjen e 21 marsit në rrugën “Mihal Duri” në Tiranë, por plani nuk u shkoi ashtu siç duhej.
Antidroga e Tiranës ka ndërhyrë pas informacioneve se një makinë, tip “Volkswagen Tiguan” me ngjyrë të bardhë, po transportonte drogë. Shoferi i mjetit, Sulejmani, ka tentuar të shtypte me makinë tre agjentët e antidrogës, teksa ata u afruan për t’i arrestuar. Burime për Report Tv bëjnë me dije se në këtë moment njëri prej efektivëve ka qëlluar më kushtet e vetëmbrojtjes në mënyrë të pavullnetshme.
Vetëm një plumb ka qitur nga arma e tij e shërbimit dhe plumbi ka depërtuar në pjesën e dorezës së derës së anës së shoferit, duke e kapur Sulejmanin në kofshë. Ai është dërguar më pas në spitalin e Traumës për të marrë ndihmë mjekësore dhe është jashtë rrezikut për jetën.
Nga hetimet paraprake që ka mundur të kryej Agjencia e Mbikëqyrjes Policore, e cila mbërriti mbrëmë në vendin e ngjarjes për të mbledhur provat, nuk rezulton që efektivët e policisë të kenë bërë shkelje, për shkak se atyre u është rrezikuar jeta.
Në makinë ndodheshin edhe Shkëlqim Ostreni, 26 vjeç, dhe Igli Begaj, 21 vjeç. Kreu i Shoqatës së Transportit Ndërqytetës, Eno Sulejmani dhe dy pasagjerët janë arrestuar.
Tre të arrestuarit dyshohet se ishin furnizues të shpërndarësve të drogës në zonën e Xhamllikut dhe do të shkëmbenin drogën tek vendi ku u kapën nga agjentët e antidrogës. Antidroga e Tiranës i kishte prej disa muajsh vëzhgim dhe në ndjekje.