Imzot Angelo Massafra është në prag të mbylljes së misionit si arqipeshkëv metropolit i Arqipeshkvisë Shkodër- Pult. Bëhet me dije se Ati i Shenjtë, Papa Francesku ka pranuar dorëheqjen e paraqitur për shkak të limitit të moshës që imponon ky pozicion.
Ka qenë Nunci Apostolik në Shqipëri imzot Luigi Bonazzi, ai që ka njoftuar imzot Massafran për pranimin e dorëheqjes, me një shkresë që mban datën 22 shkurt 2024 por që është bërë publik vetëm sot.
“Shkelqësi, Po Ju vë në dijeni se Ati i Shenjtë e ka pranuar dorëheqjen nga qeverisja baritore e Arqidioqezës së Shkodër- Pultit, të paraqitur nga Ju në përputhje me Kanunin 401/1 të Kodit të së Drejtës Kanonike, me formulën “nunc pro tunc”. Prandaj, Ju lutet që të vazhdoni ta udhëhiqni selinë e Shkodër- Pult derisa të emërohet Pasuesi Juaj. Ju falenderoj, në emër të Atit të Shenjtë, për shërbimin dhe gatishmërinë Tuaj bujare dhe Ju siguroj për kujtimin tim vëllazëror në Zotin”, shkruan Nunci Apostolik imzot Bonazzi.
Imzot Angelo Massafra është shuguruar ipeshkëv nga Papa Gjon Pali i Dytë me 6 janar 1997 në Vatikan dhe ka shërbyer më shumë se 27 vite në Shqipëri. Arbëresh me origjinë, imzot Massafra tashmë është zyrtarisht edhe shtetas i Republikës së Shqipërisë, teksa deri disa javë më parë, ka qenë President i KISH- Konferencës Ipeshkvnore të Shqipërisë.
Pikërisht ditën e sotme, imzot Massafra ka festuar 75- vjetorin e lindjes me celebrimin e një meshe në Kishën e Zojës në hyrje të qytetit të Shkodrës.