Në zbatim të masave të ndërmarra në kuadër të planit operacional policor për parandalimin dhe goditjen që në fazë fillestare të tentativave për kultivim të bimëve narkotike, si dhe me mbështetjen e informacioneve të siguruara nga inteligjenca policore, se në fshatin Luarzë, ishin mbjellë në kubikë, fara dhe fidanë narkotikë cannabis sativa, me qëllim kultivimin në tokë, shërbimet e Postës së Policisë Velipojë, në bashkëpunim me ato të Komisariatit të Policisë Shkodër dhe me ato të Drejtorisë Vendore të Policisë Shkodër, organizuan dhe finalizuan operacionin policor të koduar “Luarza 1”.
Si rezultat i operacionit, në këtë territor u gjetën dhe u sekuestruan në cilësinë e provës materiale, 37 336 kubikë me fara dhe fidanë të dyshuar narkotikë cannabis sativa, 1 automjet, 1 traktor dhe sende që i shërbenin kësaj veprimtarie kriminale.
Më tej, gjatë operacionit, si autorë të dyshuar të kësaj veprimtarie kriminale, u identifikua, u kap dhe u arrestua shtetasi Naser Lohja, 38 vjeç, si dhe u shpall në kërkim shtetasi Pllumb Lohja, 48 vjeç.
Vijon puna për kapjen e 48-vjeçarit, si dhe për identifikimin dhe nxjerrjen përpara përgjegjësisë penale të shtetasve të tjerë që mund të jenë implikuar në këtë rast.