2 Prill 1991-Epopeja e Artë e Gjakut të djelmoshave Shkodranë
Ne vigjilje të organizimit të 33 vjetorit të ngjarjeve të 2 Prill 1991, prej disa vitesh si Kryetar i Shoqatës Ndërkombëtare- Atdhetare- Antikomuniste 2 Prill, këto ditë më kanë gjetur në vrullin e organizimit të përkujtimores, rishikimet e agendës së aktivitetit, dërgimit të ftesave të fundit, kurorat etj etj.
Mbështetësit dhe dashamirët që na kanë qëndruar pranë në çdo hap nuk munguan as këtë vit, por ndër familjarët e 4 martirëve është shtruar këmbëkryq një tymnajë që nuk i lejon më të shohin as njëri-tjetrin ,duke i bërë të huaj mes tyre e ca më shumë në raport me mua.
Në padëshirën, por jo pamundësinë për t’u përballur me individë e klane që epitetet fyese i kanë mënyrë jetese dhe që pafytyrësisht i shiten paguesit më të parë, deklaroj:
-Në respekt të gjakut të derdhur të 4 martirëve në 2 Prillit 1991 në Shkodër;
-Në respekt të sakrificës të pothuaj 100 të plagosurve të 2 Prill 1991, në vlerësim e epërm ndaj familjeve antikomuniste shkodrane dhe në mënyrë të posaçme për familjet e heronjve dhe të plagosurve, si dhe
-Në respekt dhe mbrojtje të asaj për të cilën personalisht derdha gjakun e “Fjalës së Lirë”, ndjej të paraqes dorëheqjen time të parevokueshme!
Kjo nënkupton që shpirtërisht ndihem me të rënët, fizikisht me të plagosurit dhe me familjet e tyre, por praktikisht i kam hapur rrugën zgjedhjes së një drejtuesi të ri të Shoqatës që është “Nderi i Kombit”
“Plumbat i marrin heronjtë, historitë i tregojnë pragmatistët…”
Harris Murana, 01.04.2024