As përkujtimi i “2 Prill 1991” nuk i bashkoi dy PD- të, atë të drejtuar nga Berisha dhe atë të drejtuar nga Basha. Rithemelimi i nisi homazhet në orën 10.30, një orë më vonë PD- ja tjetër. Dy ceremoni të ndara, në një ngjarje që duhej të bashkonte jo vetëm dy PD- të por të gjitha forcat politike shqiptare, në të gjithë spektrin, nga e majta në të djathtë.
2 Prilli i vitit 2021, ishte i fundit që të gjithë demokratët e festuan bashkë. Ndërsa sot, demokratë që për 30 vjet ishin bashkëkontributorë, u ndanë në dy ceremoni, në mënyrë të pakuptimtë. Familjet e 4 martirëve të demokracisë, morën pjesë vetëm në ceremoninë e organizuar nga PD- ja e drejtuar nga Berisha, i cili përcolli për të pranishmit edhe një mesazh të shkurtër video nga shtëpia e tij.
Sot, duhej të ishte një ditë homazhesh, nderimi, vlerësimi për 4 heronjtë e demokracisë por fatkeqësisht, u evidentua si një ditë e përçarjes edhe vetë brenda PD- së, e cila përgjatë 30 viteve, e kishte monopol përkujtimin e kësaj dite, në bashkëpunim me shoqatën me të njëjtin emër dhe me Bashkinë e Shkodrës.
Bashkia e Shkodrës nuk mungoi as këtë vit. Përgatitjet për sheshin ku do të zhvilloheshin ceremonitë, u bënë nga ndërmarrje në varësi të saj. Ndërkohë, kryebashkiaku Benet Beci, ka vendosur kurorë me lule, duke dhënë mesazhin e qartë se “2 Prill 1991” është përtej çdo partie politike, 4 martirët janë bij të të gjithë Shkodrës e Shqipërisë.