Ishte viti 2008, data 2 prill. Viti në fakt sjell në vëmendje ndryshimet e thella kushtetuese në këtë vend, kur Sali Berisha kryeministër prej rreth 3 vitesh, po sinkronizohej me liderin e opozitës së kohës Edi Rama për marrëveshjen e famshme, për të cilën me kalimin e viteve, kanë shprehur pendesë pothuajse të gjithë.
Duke u kthyer pas në kohë, i ndihmuar edhe nga “kujtesa” e rrjeteve sociale, kujtohet se një kryetar i PS- së në Shkodër, ka marrë pjesë në nderimet për 4 martirët e demokracisë, duke vendosur edhe kurorë me lule. Atëkohë, Shkodra qeverisej nga PD- ja dhe kryetar i Bashkisë ishte Lorenc Luka, një nga figurat më të njohura politike të kohës.
Edip Shiroka, në cilësinë e kryetarit të PS- së Shkodër, “theu akullin” e mospjesëmarrjes së kësaj force politike në homazhet për “2 Prill 1991”. Madje, edhe në prani e pjesëmarrje në ceremoni të Jozefina Topallit, kryetare e Kuvendit dhe nënkryetare e PDSH- së. Nuk pati asnjë reagim negativ, përkundrazi, u vlerësua veprimi i Shirokës në 17- vjetorin e masakrës komuniste mbi Shkodrën.
Ky episod, u rikthye në kujtesë këtë 2 prill 2024, kur kryebashkiaku socialist i Shkodrës vendosi një kurorë me lule në memorialin e 4 Dëshmorëve të Demokracisë. Rrjetet sociale vluan me komente, lajmërime e paralajmërime për Qytetarin e Parë të Shkodrës, plot 16 vite pasi një kryetar PS- je në Shkodër, kishte nderuar publikisht 4 djemtë martirë të Shkodrës.
E gjithë kjo tregon mjaft qartë diçka tjetër. Nuk është punë PS- je, as partie politike të majtë. Është thjesht dhe vetëm punë pushteti në nivel lokal. Sespe për herë të parë pas mëse 30 viteve, me 14 maj Shkodra do të zgjidhte në krye të saj një përfaqësues të PS- së, duke thyer hegjemoninë e PD- së si qeverisëse e pakontestueshme.
Nëse në krye të bashkisë do të ishte akoma një përfaqësues i PD- së, kryetari lokal i PS- së nuk do të kontestohej nëse do të vendosje një kurorë me lule në nderim të 4 dëshmorëve të demokracisë, të cilët i përkasin gjithë Shkodrës e Shqipërisë dhe jo vetëm një parcele politike, sado e madhe të duket ajo, me syze apo pa syze. Për ta vertetuar, kemi precedentin e 2 prill 2008, për të tgjithë ata që e kanë harruar, ata që nuk kishin lindur apo të tjerë që mbase ishin akoma në shpërgenj. Jo për fajin e tyre, kuptohet!