Hetimet për zbardhjen e dinamikës së tragjedisë së djeshme në Këlcyrë ku humbën jetën 7 emigrantë të huaj dhe shoferi shqiptar Edison Bregaj nga Shkodra, kanë hyre në fazë të re.
Për llogari të Policisë dhe Prokurorisë Gjirokastër është arrestuar sot Agustin Gjeta 26 vjeç nga qyteti i Shkodrës dhe ndaluar Ramazan Dekovi 23 vjeç po nga Shkodra. Të dy këta persona akuzohen për veprën penale ‘ndihmë për kalim të paligjshëm të kufijve’. Në kërkim është shpallur Stiliano Ndoci 24 vjeç po nga Shkodra, i cili dyshohet se ka rolin e organizatorit në këtë veprimtari kriminale.
Ndërkaq pas 10 orësh prej aktivizimit të grupit të kriminologeve dhe specialisteve mjeko-ligjore të mbërritur nga kryeqyteti, mësohet se është zbuluar identiteti i 3 nga 8 viktimave të aksidentit te djeshëm, ndërkohë që për të tjerët ka qenë e pamundur të zbulohet identiteti i tyre.
Siç bëhet me dije nga burime jo zyrtare, por të sigurta nga grupi hetimor, mosha e viktimave që u gjetën ne bordin e shkatërruar te Mercedez-Benzit është poshtë 30 vjeç dhe të gjithë emigrantët kanë qenë pakistanezë.
Identifikimi i tyre pritet të bëhet përmes gjurmëve daktiloskopike dhe analizës së ADN. Në vijim, në bashkëpunim edhe me INTERPOL pritet të krijohen komunikim zyrtar me autoritetet pakistaneze për dërgimin e trupave të pajetë atje.
Agustin Gjeta, rezulton i arrestuar edhe më parë për transportim të emigrantëve të paligjshëm. Ai u prangos nga policia në shtator të vitit 2023, pasi u kap duke transportuar kundrejt pagesës, 3 emigrantë nga India që synonin të kalonin kufirin.