Me 15 prill 2003, thuajse 21 vite më parë, një grup intelektualësh shkodranë, në përbërje të të cilëve edhe emra të kalibrit Willy Kamsi, Ahmet Osja e David Luka, i kërkuan kryetarit të Bashkisë dhe Këshillit Bashkiak të kohës, të shihnin mundësinë e ndryshimit të stemës së qytetit të Shkodrës.
Kërkesa mjaft e natyrshme, vinte pak kohë pas publikimit të “Statuteve të Shkodrës” të Lucia Nadin, ku përfshihet edhe stema heraldike historike e Shkodrës, e cila mund të sherbente si bazë e nisjes së diskutimit.
Në tekstin e kësaj kerkese, e cila ka mbijetuar online falë njërit prej firmëtarëve, studiuesit të mirënjohur Agron Luka, lexohet si më poshtë vijon:
“Duke marrë shkas nga disa studime të argumentuara historikisht e shkencërisht, nga autorë vendas dge nga zbulimi e botimi madhor i kohëve të fundit nga studiuesja italiane Lucia Nadin i librit “Statutet e Shkodrës”, ku përfshihet edhe “Stema heraldike” e shek. XIV- XV e “Komunës Qytetare të Shkodrës” (me një karakter autonom e me një pamje gati- gati të një qytet- shteti republikan dhe ku bëhet fjalë edhe për autonomi e privilegje qytetare qysh nga koinonet antike e autonomitë e hershme byrgere mesjetare), të nënshrkuarit, studiues të njohur e bashkëpunëtorë historianë, intelektualë, deputetë e qytetarë njohës të historisë së qytetit tonë, ju drejtohemi juve:
Për ta diskutuar fillimisht dhe për ta ngritur pastaj pranë organeve kompetente shtetërore, ndërrimin e Stemës aktuale të qytetit të Shkodrës dhe për të vendosur një Stemë më origjinale e më përfaqësuese historikisht, me ngjyrat e saj origjinale etj.
Diskutimi do të shoqërohet me leximin e disa studimeve, pastaj me ndonjë saktësim e plotësim të justifikuar nga ana shkencore e ndonjë konsensus përsa lejojnë edhe kriteret shkencore aktuale.”.
Nra prilli i 2003 dhe deri këtë prill të 2024, nuk ka patur asnjë reagim, asnjë nismë as nga kryetarët e bashkive që kanë kaluar në stafetë dhe as nga këshillat bashkiakë të Shkodrës. Gjërësisht krenohemi me “Statutet e Shkodrës” por druhemi të marrim nga ato elementë që na përafrojnë më shumë me rrënjët tona. Mbajmë një stemë qyteti apo bashkie rreth 30 vjeçare. e cila nuk ka asnjë lidhje me Shkodrën, veç ngjyrave kuqeblu të Vllaznisë dhe “kallëpeve të bakllavës” që kultojnë stemën e Kroacisë.
Mbase është koha që ky këshill, kjo bashki, të hapë arkivat, të nxjerrë nga pluhuri i harresës këtë shkresë dhe të nis një diskutim- debat publik gjithpërfshirës, ndoshta edhe të organizojë një referendum lokal për stemën përfaqësuese të Shkodrës e shkodranëve.