Kam lè e rrit në rrugen e Gurakuqëve. Kur isha fëmijë, sa herë delsha në krye të rrugicës me prindët, shikoja me frikë nji grue të gjatë me tesha të zeza, flokët e gjata, ulun në nji gurë , me nji palë pantofla të vjetra, që dukej se nuk ja hedhte sytë kërkujë.
Kur pyeta prindët, më thanë që asht e sëmurë. Nëpër mahallë fëmijët thoshin asht e marrë, mos ju afro. E unë gjithmonë i rrisha larg prej frikës. Kur u bana nja 18 vjeç, nisa me e përshndet disa herë por Gjinovefa nuk më përshndete mrapa. Isha kurioz me ditë dhe dita- ditës nisa me ju afru dhe me folë ndonjë fjalë me të edhe pse s’ma kthete.
Nji ditë prej ditësh po shkosha në stërvitje të Pallati i Sportit (Kisha e madhe sot), Vefa më del para në krye të rrugicës e më thotë:
-Mark kah po shkon?
U habita jo veç që më foli por ma shumë që ma diti edhe emnin.
-Në stërvitje Vefë, përgjigjem.
-A ke kohë me ardhë deri nalt në shtëpi teme se du me të diftu diçka, më pyeti.
Vefa jetonte te shtëpija e parë në krah të djathtë, në katin e dytë, në rrugë të Gurakuqëve. Aty jetonin disa familje.
-Po, i thashë.
Pata pak hall a nervozizëm se di, po shkova. Tuj njit shkallët mbas Vefës ishte terr, dërrasat e vjetra, era vite myk e lagshtinë, mbërritme sipër. Kishte nji dhomë që jetonte me nanën e saj, Ganxhen.
Dhoma ishte rrëmujë, me disa dyshekë palë- palë, mbulu me nji batanije ushtrie, nja dy karrige, tavolinë e vogël e perdet në penxhere. Vefa hapi nji arkë dhe nxorri nji album fotografish, jashtë i vjetër por i trashë dhe u ul në karrige tuj shfletue faqet e albumit.
-Shih a pa njef kend në këto fotografia, më pyet Vefa.
Shihsha do gra e vajza alafranga me kapele, tabare të bukura, flokë me onde e sy bukura, edhe do burra e fëmijë nëpër të. Nëpër foto ishte nji femën e gjatë, flokët si qymyri, sytë të medhenj- zi si futa, hundën e vogël, buzët, që edhe pse i ri, i kisha lakmi dhe e dita fill se kjo asht Vefa. S’ dita ça me i thanë hiç, veç e shihsha Vefën në sy e shihsha fotot e saj disa herë.
-Vefë, i thashë, sa e bukur paske kenë…
-Prandej të thirra Mark, pata qejf me ti diftu fotografitë, se unë s’ kam kenë gjithmonë ishtu si jam ba sot. Por hallet e jeta më kanë trasformue.
Ika prej aty dhe tanë kohën me rrinte mendja te Vefa. Ajo vajzë shkodrane, e bukur yll, e krijueme prej natyrës shkodrane se si ishte sot. Ma vonë mësova se arsyeja që Vefa kishte pak probleme mendore, ishte dashnia. I dashtuni i saj nuk e kishte marrë dhe ajo kishte kalu në kriza. Kush ka jetu në Gjuhadol e ma gjanë, me siguri e ka njoftë Gjinovefën.
E shkruva këtë tregim të vërtetë vetëm për ta kujtu personalisht dhe për ato që e kanë njoftë sepse të kujtosh njerëzit e humbun nga historia dhe memoria e qytetit është vlerë. Pavarësisht situatave që krijohen gjatë jetës të gjate e të shkurtër, çdo njeri len mbresa në jetën e dikujt me identitetin e tij. /Nga Mark DEDA, publikuar në Facebook, redaktuar nga ShkodraWeb pa cënu origjinalitetin/