Kur erdhi në Shkodër, ishte fëmijë në klasën e tretë. Mësuesi Njac Nenshati erdhi tek banka ime nga fundi i klasës e më tha: Ky asht Hektori e tash e mbrapa do ta kesh shok banke. 9 vjeçar ishim atëbotë. U bamë shokë. Ishte një djalë i zgjuar dhe i sinqertë. Babën e kishin caktu drejtor në Parkun Automobilistik. Unë isha në Shtëpinë e Fëmijës të Persa Grabovës, kokëqethur, veshur me uniformë të murrme, ndërsa shoku im i ri fekste dritë në veshje e gjithçka.
Ishte me flokë bjond e dukej si një aristokrat i vogël. Ndonjëherë me veshje marinari. Pastaj pak nga pak u rritëm. Shkuam në shkolla të ndryshme e koha na ndau. E shihja herë pas here, por për shokun tim të bankës kishin nis travaja e mundime që merret me mend si i ka përballu derisa diktatori i vrau babën e vet Taho Sejko në qeli, ende pa dalë në gjyq dhe mbeti edhe ai jetim.
Më ka qëlluar ta takoj por rrallë. Unë isha i ikur nga Shqipëria që në fillim të 1991, ndaj jemi taku veç vitet e fundit. Erdhi në Rrugën e Kavajës, ku po pija një birrë me mikun tim shkrimtar Pandeli Koçi, të cilit i kisha fol për shokun e fëmijënisë dhe meqë ai e njihte, më premtoi që do të gjente rastin që ta takoja. Dhe ja ku erdhi një ditë pranvere.
“A e njeh këtë burrë” më tha Pandi. “Po si mos ta njihja”, i thashë. “Hektor a më ruan në kujtesë?”. U përqendrua dhe nisi të fliste për fëmijëninë. Më la pa mend e foluna e tij shkodranshe. Ja thashë. “Jam shkodran”, më tha. E unë ja ktheva “Edhe unë jam çam”. Kisha botuar një poezi me këtë titull. Qeshëm dhe u përqafuam. Të çliruar nga makthet e të shkuarës tashmë në kohë lirie. E takova dhe më pas. Më telefononte herë pas here. Ishte i kujdesshëm, madje edhe kur lexonte ndonjë shkrim timin të botuar ja dëgjoja zërin në telefon.
Kështu, o Hektor Sejko, shoku im i bankës në fëmijëni, pas një jete plot travajë erdhe në çast të fundit. Të rëndë e kishe jetën, por të ndershme, e paç të lehtë jetën e përtejme në amshim, miku im!
Ti bir i Çamërisë, që e deshe aq shumë Shkodrën dhe flisje deri në çast të fundit shkodranisht, me jetën e shëmbëllesën tënde le një mësim të madh pas vetes, se si ne shqiptarët duhet ta duam njëri-tjetrin në të gjitha skajet e trojeve arbnore dhe kudo në botë ku ndodhemi. /Nga Kolec P. TRABOINI, publikuar në Facebook/