Abdulla Bisku ishte 58-vjeçari shqiptar që humbi jetën më 16 prill ndërsa po merrej me rinovimin e një ndërtese. Ai ra nga një lartësi prej 4 metrash në Asola, Itali.
Mediat italiane i kanë kushtuar një artikull të veçantë shqiptari Abdulla Biskut, që prej 33 vitesh jetonte në shtetin italian.
Kush është Abdulla Bisku?
Ndërsa vendi i tij ishte në kaos, Abdullai ishte një nga shqiptarët e parë që mbërriti nga Durrësi në zonën e Mantovës, në vitin 1991, duke u larguar me një anije plot me njerëz dhe vetëm me shpresë. Pasi zbriti në Brindisi, fillimisht muajt e parë u vendos në Piacenza, dhe më pas zgjodhi Asolën ku jetoi për 33 vitet e ardhshme. Atje u bë një anëtar i vlerësuar i komunitetit dhe një pikë referimi për qindra shqiptarë-asolanët që jetojnë edhe sot në këtë qytet .
Së bashku me pesë shokët e tij u vendos në Asola. Bisku gjeti punë si murator dhe me kalimin e kohës ai mori me vete vëllain, vajzën që do të bëhej gruaja e tij dhe bashkatdhetarë të tjerë që i ndihmoi të gjejnë shtëpi, të punojnë dhe të integrohen në komunitet. Komuniteti atëherë numëronte 6 shqiptarë e kurse tani janë më shumë se 600 persona.
Lajmi i hidhur ka tronditur komunitetin shqiptar në Asola dhe prej dy ditësh në shtëpinë e tij të cilën e kishte blerë vetëm një vit e gjysmë më parë, kanë shkuar për ngushëllim bashkëatdhetarët dhe miqtë e 58-vjeçarit.
“Atje shkojnë e vijnë njerëz të veshur me të zeza. Familjarë, të afërm e miq tashmë i gjenden pranë bashkëshortes së tij dhe dy fëmijëve, Aldit, një student në universitet dhe Adelinës, një punonjëse në një kompani në zonë.
Në oborr janë shpërndarë karriget, është vendosur një tavolinë dhe një tabaka me cigare. Një traditë e shqiptarëve për t’ia ofruar atyre që iu gjenden pranë në këto ditë të vështira. Tashmë familja pret dritën jeshile për funeralin. 58-vjeçari Bisku ka shprehur në të shkuarën dëshirën që të varroset në atdhe.” – shkruan mediat italiane.
Historinë e emigrimit, Bisku ua tregonte shpesh fëmijëve të tij. Ai erdhi për një të ardhme më të mirë. E dinte që nuk do të kthehej më, por donte të ndihmonte familjen. Në Shqipëri e shihnin si “babagjyshi” pasi kur shkonte në vendlindje, çdo verë u dërgonte veshje dhe gjëra të tjera të afërmëve.
Por jo vetëm në atdhe, edhe në Itali fjalët për të janë shumë të mira. Atje kishte gjetur edhe pasionin për Juventusin e nuk humbte asnjë ndeshje të tyre. Pas shumë sforcove kishte arritur të blinte një shtëpi në Asola e një tjetër në qytetin e lindjes.” – kujtojnë të afërmit.
“E njihja prej shumë vitesh. Ishte një person shumë aktiv në komunitet”, – tha nënkryetari i Bashkisë, Luciano Carminati.
Bisku po punonte për një kompani për rinovimin e një ndërtese. Ndërsa po merrej me prishjen e një tarrace të vogël në oborrin e brendshëm, ai ra në një lartësi më shumë se 3 metra , duke përplasur kokën.
Në atë moment viktima ka qenë i vetëm dhe nuk ka pasur dëshmitarë, por ka shumë gjasa që rrëzimi të jetë shkaku i aksidentit, sepse nuk ishte i pajisur me mjete mbrojtëse.