Ilir Meta, një nga politikanët më të rëndësishëm të 30 viteve të fundit në këtë vend, ka nxjerrë një qasje të çuditshme ditët e fundit. Në partinë që krijoi në 2004- in, fillimisht si LSI e tani si Partia e Lirisë, ka nisur të evidentojë “grupe armiqësore” që jo vetëm i kanë minuar aktivitetin pas rikthimit në politikë partiake nga 2022- i por kanë tentuar ti marrin edhe vetë subjektin politik.
Pak a shumë, në linjën e “grupeve armiqësore” që nga 1941 deri në 1990, u evidentuan edhe në PKSH apo PPSH- në e drejtuar nga E.H. në fillim dhe R.A. më pas. Sigurisht e fatmirësisht, “grupet armiqësore” në PL, nuk i pret i njëjti fat si në vitet e sundimit të PPSH- së. Pra, nuk mund të ketë arrestime, internime, burgosje dhe larg qoftë, ekzekutime të “tradhëtarëve”.
Megjithatë, Meta po përpiqet të kthejë të njëjtën psikozë tek shqiptarët. Duhet pranuar, se të gjithë ne vdesim për këto lloj telenovelash, me spiunazh, agjentura, grupe desantësh nga jashtë e nga brënda. Jo më kot, filma të RealSoc me këtë tematikë, të Sigurimit të Shtetit, edhe sot e kësaj dite janë ndër më të preferuarit e audiencës shqiptare.
Por në një kuptim, Ilir Meta ia ka kaluar edhe paranojës së E.H. Në krye të “grupit armiqësor”, duket se është bashkëshortja e tij, bashkëudhëtarja 30 vjeçare politike, Monika Kryemadhi. Sigurisht, “grupi armiqësor” ka edhe të tjerë, ndër më të spikaturit Endri Braimllari, e disa të tjerë “peshq” më të vegjël. E për të vertetuar “grupin armiqësor”, Ilir Meta paraqet herë pas here foto në studio televizive, ku pjesa publike e aktivitetit, i është sabotuar.
Sigurisht, kjo është vetëm njëra pjesë e “skenarit”. Ka edhe një pjesë tjetër, të cilën vetë Meta e “dekonspiroi” publikisht. Në fakt, “shpërthimi” i kreut të PL- së pati si zanafillë thirrjen e vjehrrës së tij, nënës në Monika Kryemadhit, për të dëshmuar në SPAK. Më pas, vetë ai artikuloi se po hetohen edhe fëmijët e tij.
“Konflikti” publik- politik me bashkëshorten Kryemadhi, duket se është vetëm një instrument për të “ushqyer” opinionin publik me “lajme” por duke patur si synim kryesor, mbajtjen në këmbë të sulmit frontal ndaj SPAK, i cili nuk është e vështirë të hamendësohet, se i është qepur edhe familjes Meta- Kryemadhi me verifikime apo hetime, kryesisht pasurore.
Para shumë vitesh, asokohe kryeministër dhe kryetar i PS- së, Fatos Nano, pikërisht në emër të luftës ndaj korrupsionit të personifikuar me treshen Muçi- Baçi- Naçi, ia arriti që të kryqëzojë krizën e tij familjare që rezultoi në divorc me bashkëshorten Rexhina, me një stuhi të fortë në subjektin politik e qeverisjen e kohës. Në fund, Fatos Nano u rikthye triumfalist, duke rimarrë partinë në garë me Pandeli Majkon por edhe qeverinë si kryeministër.
Meta këtë herë, edhe pse më të zgjeruar, duket se ka përdorur ka përdorur të njëjtën metodologji. Po gërsheton “krizën” politiko- publike brenda familjes me bashkëshorten me situatën e krijuar nga angazhimi i SPAK ndaj Metës dhe Kryemadhit. Është një skenar kompleks por lehtësisht i deshifrueshëm. Për një arsye të thjeshtë: Meta, nuk ka dyshim se dashuron më shumë Monikën se partinë dhe Blushin marrë së bashku! /Nga Sokol N. SOKOLI/