Pikë ma s’parit, e ndjej detyre morale të përgëzoj “Shekulli-Kontakt”-in, që po interesohet pa pertesë dhe seriozisht per të çue deri në fund punën e Sahatit të Inglizit në Shkodër.
Po na humbet trashigimia e artit tonë të mrekullueshem popullor shqiptar, si dhe kryeveprat arkeologjike, të cilat janë të parekuperueshme. Në shkrimin e Tij te dates 16.07.2006 në “SHEKULLI”, ndër të tjera z.Grosi shkruen: “…Shtëpinë e Pagetit e ruante i quejtuni Pjetri i Çisë. Në mungesë të Lordit në Shkodër, shtëpia mbikeqyrej prej xavendës konsullit ingliz Kol Sumës….”.
Per familjen shkodrane Suma kam shkrue shkurtimisht kur kam trajtue problemin e OXHAKUT të Sumajve të zmontuem nga shtëpia e tyne dhe të montuem në shtëpinë muzè të Luigj Gurakuqit e cila po prishet.
Çeshtjet e historisë së familjeve të mdhà jo vetem në Shkoder, por kudo janë të nderthuruna ndermjet tyne…. “Historia e oxhakut të një familjeje të madhe shkodrane”.
Shtepia-muze e Luigj Gurakuqit në Shkoder, që gjendej në rrugen me të njajtin emen, nuk ishte vetem shtëpia e nji nder patrioteve ma të mdhej tonë, por ishte njikohesisht edhe nji shtëpi karakteristike e qytetit të Shkodres ku shifej edhe arti popullor, qoftë në veshtrimin e ndertimit, qoftë në paisjet e orenditë shkodrane. Aty ishte tavani i drujt me ornamente të skulpturueme, ishin dyert dhe dritaret me dru të gdhenun si dhe nji oxhak karakteristik, që ka nji histori të veçantë.
Simbas dr. Kadri Kerçikut në librin e tij “Zhvillimi i shndetësisë në Shkoder gjatë shek. XVlll-XX” botue në Tiranë në vitin 1962, mjeku i parë i diplomuem shqiptar me sherbim në Shkoder ka qenë Kol Suma-Heqimi, që në vitin 1795 permendet nder regjistra Nicolò Medico. Studimet ai i kishte krye në Venedik. Ky ka qenë martue në vitin 1792 me të motren e farmaçistit Françesko Tedeschini e cila e la te vej. Mbas nji martese të dytë ka pasë nji djal Gjonin. Ne moshen 60 vjeçar ai vdiq. Kolë Heqimi-Suma ka qenë mjeku i vezirit Ibrahim Pashe Bushatliut. Nipi i tij mjek i quejtun edhe ky Kolë Suma ka qenë nenkonsull i Anglisë në Shkoder. Shtëpia e familjes Kolë – Gjon – Kolë – Gjon – Kolë (Lec ) – Gjon Suma (vdekë në vitin 1995), ka qenë nji shtepi jo vetem karakteristike shkodrane, por ka qenë edhe nji shtëpi me prestigj ku priteshin patriot, intelektual dhe personalitete diplomatike. Me kujtohet salla e madhe me zbukurime-gdhenje druni, me piktura e me orendi luksoze. U zgjata pak me këtë histori anësore per të tregue se si mund të imagjinohet të ketë qenë oxhaku i dhomes së pritjes ne familjen Suma (Shiko foton e oxhakut ketu ma siper). Mbas prishjes së kësaj shtëpije monument-kulture në vitin 1962, muzeumi i Shkodres e zmontoi këtë mrekulli dhe e montoi në shtepinë muze të Luigj Gurakuqit pikrisht në atë shtëpi, që kohët e fundit asht prishë “nga pakujdesia”. Simbas të dhanunave të sakta që kam marrë nga profesor Willy Kamsi ky oxhak sot asht shitë në Greqi. Autoritet rrijnë dhe shikjojnë?. Jo! Autoritetet rrijnë dhe nuk shikjojnë!
Po TAVANI i kësaj shtëpije ku shkoi?
Në rrugen-muzè në rrugen e Gjuhadolit dhe pikrisht ku ajo bashkohet me shetitoren kryesore të Dugajt e Reja në Shkoder, sot e gjitha zonë muzè, lagje e banueme kryesisht nga katolik, shumica ndertesa stil europian të projektueme nga piktori dhe arkitekti i njohtun Kol Hidromeno, pra pikrisht aty gjindet nji shtëpi dykatëshe, ku në katin perdhè dikur ka qenë dyqani i qumshtit dhe siper banojshin familja e të ndjerit profesor Gasper Ugashit dhe familja e Garxholajve. Në vitet ‘80 kati perdhè asht kenë perdore nga Muzeu i Shkodres si ekspozite etnografike natyrisht tue krijue edhe nji ambjent antik të dhomave. Në njenen prej dhomave ka qenë i fiksuem në tavan nji TAVAN i mrekullueshem (4 x 4 meter), me drù të skulpturuem me nji art të nivelit të naltë. Unë nuk kam pasë rastin të shof ndokund tjeter nji tavan ma të bukur se atè. Edhe ky tavan asht kene zmontue nga shtepija e Sumajve dhe pikrisht nga shtepia e zevëndes konsullit te inglizit Kolë Suma, i cili mbikqyrte shtepinë e lordit anglez në mungesë te tij.
Deri para disa vitesh kjo ndertesë ku e kishin transferue TAVANIN, ka qenë pronë e dajave te mij 80-vjeçar Anton dhe Niko Prennushi, shtetas shqiptar, lindun dhe me banim të perhershem në Trieste. Ato këtë ndertesë të tyne e paten shitë dhe tash aty me duket se po bahen disa punime ndertimi. “TAVANI” i fiksuem në tavan nuk asht pjesë perbase e shtëpisë se shitun. Pronar i fundit i ketij tavani ka qenë Muzeu i Shkodres, i cili ia ka pasë marrë familjes së trashigimtarve Kolë Sumes, nji nder trashigimtart direkt e të cilit kishte me kenë grueja e ime. Por ky fakt nuk ka randesi as per shkrimin, as per pronesinë.
Randesi ka që të gjendet ky TAVAN dhe të vendoset në Muzeun e Shkodres si NJI PASUNI E RRADHȄ E ARTIT ARTIZANAL SHKODRANȄ, E ARTIT TȄ MREKULLUESHEM ARTIZANAL SHQIPTAR. (Shkrimi eshte botuar me pare tek “Shekulli”)