Më pyeti një ditë një mik, larg Shqipërisë, se si është gjendja e xhamive në Shkodër. A ka nevojë qyteti për xhami të reja? A mungojnë qendra kulturore? A ka nevojë për..? Dhe, biseda na çoi larg realiteteve tona të dëshiruara.
I tregova për periudhën e parë të Rimëkëmbjes, pas 16 nëntorit 1990, si dhe detaje të shumta, që nuk është koha të zbardhen për momentin. Por, këmbëngula në domosdoshmërinë e rishikimit të krejt strukturës së xhamive tek ne.
Që do të thotë, se ka ardhur koha të shikohet me shumë përgjegjësi mundësia e zëvendësimit të xhamisë së Parrucës me një projekt të ri multifunksuonal. Poashtu xhamia e Fushë Çelës.
Është koha, në mos jemi të vonuar ça asnjë justifikim, për të rishikuar marrëdhënien me vakëfin e madh në Bahçallëk dhe pastrimin e tij nga çdo ndërtim pa leje e pretendim zaptues të çdo pëllëmbë të tij, aq më shumë kur e sheh pozitën e begatë të atij vakëfi në pozitën e Derës së Madhe të Shkodrës!
Dhe, folëm e folëm dhe në tryezë u hodhën shumë e shumë vakëfe, xhami aktuale dhe ndërtime, që në vështrimin tim, ka ardhur koha të zëvendësohen me xhami, qendra e ndërtime më vizionare e më shërbyese të interesit të shoqërisë sonë.
U ndalëm edhe tek një detaj madhor, që lidhet me lagjen Rus dhe mungesën e një xhamie në të, përtej faktit se vakëfi i kësaj lagjeje, është ndër më të pasurit e Shkodrës.
Akoma nuk e kam kuptuar se me çfarë morali e njerzilleku, cilado parti e kandidat, në këto 33 vite, ka pasë kurajo të kërkojë votën e banorëve të Rusit, ndërkohë që akoma sot, vakëfi i kësaj lagjeje, mbetet peng e dy-tri familjeve (deri diku të pafajshme) dhe mungesës së vullnetit të institucioneve tona për të liruar një pronë legjitime të xhamisë, për të mundësuar dhe hapur rrugën për ndërtimin e xhamisë së munguar në njërën prej lagjeve më të mëdha muslimane të Shkodrës.
Dhe, kur e mendon, se kjo është lagjja e Hafiz Sabri Koçit, rahmet pastë, të cilit, akoma sot, i përmendet mundi dhe përkushtimi i tij për këtë xhami dhe gjallërimin e saj, para pushtimit komunist të Shqipërisë.
Gjithsesi, përtej kësaj dhe asaj, xhamia e re do të ndërtohet inshallah (shumë shpejt) dhe krejt këto kujtime të hidhura dhe hipokrite të provincës së mashtruar, do të ngelen në botën e maktheve për t’u harruar!
Me mikun tim folëm e diskutuam gjatë. U ndalëm edhe tek Xhamia e Tophanës, projektin e së cilës e rehabilituam bashkërisht, duke menduar përtej ngutjes e miopësisë së trajtimit të çështjeve të mëdha në një komunitet në tranzicion moral, fetar, intelektual e mbi të gjitha, të luhatur në njerzillekun e tij! /Nga Imam Muhamed B. Sytari
Myfti i Zonës Shkodër, publikuar në Facebook/