Shërbimet e Komisariatit të Policisë Malësi e Madhe, në vijim të kontrolleve të ushtruara për parandalimin e tentativave për kultivim të bimëve narkoitke, bazuar dhe në inteligjencën policore, për përshtatjen e një ambienti, për kultivimin e bimëve narkotike, organizuan dhe finalizuan operacionin policor antikanabis të koduar “LED”.
Gjatë kontrollit të ushtruar në një banesë dykatëshe në fshatin Bzhetë, në një ambient të përshtatur me llamba, u gjetën të kultivuara 145 bimë të dyshuara narkotike cannabis sativa, një sasi lënde e dyshuar narkotike cannabis, 64 llampa, 64 rritës energjie dhe sende të tjera që shërbenin për kultivimin.
Shërbimet e Komisariatit të Policisë Malësi e Madhe kanë arrestuar në flagrancë shtetasin Xhoni Gjekaj, 23 vjeç dhe kanë shpallur në kërkim shtetasin Françesk Macoraj, 30 vjeç, për veprën penale “Kultivimi i bimëve narkotike”. Gjithashtu kanë referuar materialet në Prokurori ku ka nisur procedimi në gjendje të lirë për shtetasit E. C., 35 vjeç, A. H., 51 vjeç, P. Z., 54 vjeç, P. S., 61 vjeç dhe S. H., 55 vjeç, të gjithë punonjës të OSHEE-së, për veprën penale “Shpërdorimi i detyrës”.