Ngjarja e rëndë në Shkodër, ku dyshohet se një nënë dhe tre fëmijët e saj janë vetembytur në lumin Buna, ka ngjallur reagimin edhe të kryebashkiakut Benet Beci, i cili ka shkruajtur në rrjetet sociale.
“Shkodra, por edhe gjithë opinioni publik ndihen sot tepër të tronditur nga humbja tragjike e një nëne dhe tre fëmijëve të saj. Inkurajoj fort institucionet përkatëse të bëjnë të mundur zbardhjen e plotë të ngjarjes dhe dënimin e kujtdo që ka përgjegjësi.”, shkruan kryebashkiakuBeci.
Edhe Zonja e Parë e Shkodrës, Fitore Beci, ka reaguar në rrjetet e saj sociale, duke shkruajtur si grua dhe nënë, duke përcjellë ndjeshmëritë e saj për ngjarjen e rëndë.
“Vetëm një abuzim kronik emocional, fizik, financiar, shumëplanësh, mund ta çojë një nënë me tre fëmijë të ndërmarrë një veprim aq të dëshpëruar. Zemra ime dhemb shumë sot, por ka dhe shumë zemërim e revoltë, për të gjithë ata që janë dëshmitarë e heshtin deri sa bëhet tepër vonë, për të gjithë prindërit dhunues që rrisin fëmijë agresivë, për të gjithë mësuesit që nuk janë figura e duhur edukuese, për të gjithë paragjykuesit e frikacakët, për të gjitha strukturat që nuk diagnostikojnë e kurojnë e që nuk marrin masa paraprake ndaj kontigjentit kriminalo-psikopat që shkakton tragjedi të njëpasnjëshme.”, shkruan zonja Beci.