Është shuar të shtunën e 4 majit, në moshën 42- vjeçare, profesoresha Klara Shestani, shumë aktive në famullinë e Poviglio, me bashkëshortin Paolo Capece por edhe në Qendrën e Misionarëve. Ishte mësuese e shkollës së mesme në Guastalla. Klara lë pas 3 femijë, një vajzë 5 vjeç dhe dy adoleshentë 15 dhe 17 vjeç.
Sipas mediave italiane, të cilat i kanë kushtuar një vëmendje të veçantë ngjarjes, Klara kishte mësuar për sëmundjen e saj para para Pashkëve dhe nga 1 prilli, ajo ka qenë e detyruar të mungojë në shkollë: në Ferrante Gonzaga di Guastalla kanë mbetur të shokuar pasi askush nuk imagjinonte që epilog të kësaj natyre. “Ishte një person i matur, i jashtëzakonshëm për kompetencat dhe humanizmin”, kujtojnë kolegët.
Klara, një besimtare e devotshme, ka ndihmuar vazhdimisht famullinë e Poviglio. Ajo angazhohej edhe pas shkollës për ti mësuar italisht të huajve. Paralelisht, përgatiste familjet me rastet e pagëzimeve dhe kishte në vëmendje katekizmin për të rriturit.
“Ishte një pikë referimi e çmuar për Qendrën e Misionarëve. Ajo u mësonte elemente të gjuhës dhe kulturës shqiptare murgeshave dhe laikëve që do të udhëtonin për në vendin e saj të origjinës”, Kujton Andrea Bonati. “Edhe kohët e fundit, kishte mikpritur në shtëpinë e saj një murgeshë që po përgatitej të nisej”, shton don Alberto Nicelli.
Me origjinë nga Shkodra, Shqipëri, Klara kishte studiuar letërsi në Universitetin e Gracit në Austri. Para Guastalla, ka punuar edhe në shkolla të tjera, mes të cilave edhe atë në Gattatico. Bashkëshorti Paolo, është një mësues matematike dhe familja Capece është shpirti i skautëve në Poviglio.
Të dielën e 5 majit dhe të hënën e 6 majit, në kishën e famullisë, në darkë, janë thënë lutje ndërsa funerali do të zhvillohet të martën, 7 maj, ora 1.30. ShkodraWeb i shpreh ngushëllime familjes për këtë humbje të rëndë.