Një 22-vjeçar shqiptar, të cilit i ishte refuzuar azili në Gjermani, ka ngritur në këmbë autoritetet, pasi është larguar nga burgu për dëbim që ndodhet në aeroportin e Hamburgut. Welt.de shkruan se si fillim ishte i paqartë fakti se si shqiptari kishte arritur të largohej përmes telit me gjemba, por ishte ndihmuar nga një 23-vjeçar algjerian.
Policia thotë se ai e kishte përgatitur mirë arratisjen, transmeton albinfo.ch. Shtrati i tij në dhomën e burgut ishte përgatitur në mënyrë të tillë, që të dukej se ai ishte duke fjetur.
Fill pasi u konstatua zhdukja e tij, përgjegjësit e burgut njoftuan autoritetet aeroportit, pasi ekzistonte rreziku që ai të ikte përmes pistës së aeroportit. Kështu, rreth orës 20:15 të ditës së djeshme është bllokuar qarkullimi i aeroplanëve në mënyrë që të kontrollohet territori. Ndërkohë, 22-vjeçari vazhdon ende të jetë në kërkim.