Partizani i jep ngjyra të forta këtij sezoni, “skuq” “Air Albania” duke siguruar një biletë për në finalen e titullit. Ekipi i Orges Shehit thyen minimalisht Skënderbeun me rezultatin 1-0 duke “fluturuar” në finale.
“Demat” ishin dominues në këtë sfidë duke marrë kontrollin e lojës që në minutat e para, zhvilluan një presion asfiksues në zonën e Skënderbeut, por ishin të paqartë në pasin final.
Bintsuka dhe pjesa e tjetër e ekipit shpërdoruan shumë përpara porte duke bërë që pjesa e parë të mbyllej në barazim pa gola. Me fillimin e pjesës së dytë, Rrapaj futi një kros perfekt në zonë aty ku Bintsuka me kokë dërgoi topin në rrjetë duke i dhuruar avantazhin Partizanit. Skënderbeu ishte i pafuqishëm për të reaguar, ndërsa Partizani vuajti shumë për të “vrarë” këtë gjysmëfinale.
Me kalimin e minutave, kryeqytetasit menaxhuan si duhet rezultatin duke e kthyer në festë fundin e këtij takimi. Në finalen e titullit, Partizani do të përballet me fituesin e çiftit Egnatia-Vllaznia.