Pronari i hotelit ‘Hildon Eco Hotel’ dhe dy punonjës të tij ranë në kontakt me rrymën elektrike teksa po kryenin disa punime me ndriçimin e jashtëm të hotelit pasditen e sotme.
Si pasojë ka ndërruar jetë në spital pronari i hotelit, Aldo Metani, ndërsa dy punonjësit E.H. dhe K.N., janë në gjendje të rëndë, bëjnë me dije burimet.
Tre shtetasit pas kontaktit me energjinë elektrike u dërguan në spital për ndihmë mjekësore, por pronari i hotelit nuk ka mundur t’iu mbijetojë plagëve të marra gjatë kontaktit. Mbetet për t’u parë në vijim gjendja e dy punonjësve të tjerë.
Siç bëhet me dije, 3 personat kanë qenë duke vendosur një shtyllë ndriçimi të jashtëm, ndërkohë që janë afruar me linjën e tensionit të lartë dhe kanë rënë masë. Ndërkohë pritet të mbërrijë helikopteri për të dërguar drejt Tiranës dy punonjësit në gjendje të rëndë.
‘Në vijim të informacionit paraprak të dhënë, për tre shtetasit të cilët ranë në kontakt me energjinë elektrike në ambientet e jashtme të një hoteli në Dhërmi, ju informojmë se shtetasi A. M., rreth 40 vjeç, pronari i hotelit, ka ndërruar jetë për shkak të dëmtimeve, ndërsa dy punonjësit e dëmtuar do të transportohen për ndihmë mjekësore të specializuar në Tiranë.’, thuhet në njoftimin e policisë.
Sakaq, grupi hetimor shkoi tek hoteli për zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes.
‘Rreth orës 17:25, në Dhërmi, shtetasit A. M, E. H, dhe K. N, (pronari dhe 2 punonjës të një hoteli), dyshohet se duke punuar me ndriçimin e jashtëm të hotelit, aksidentalisht kanë rënë në kontakt me energjinë elektrike dhe për pasojë janë dëmtuar. Të tre shtetasit janë transportuar për ndihmë mjekësore në spital, ku ndodhen nën kujdesin e mjekëve.’, thuhet në njoftimin paraprak.