Autori : “Çelësi”, realizon një botë pa porta të mbylluna… Në këto fjalë të autorit mbështetet vepra publike që do vendoset në rotondë. Pra një çelës i shtrembër që hap porta…!
Në asnjë simbologji, në asnjë sistem estetik, moral a filozofik nuk di e nuk besoj të ketë çelës të shtrembër, e për më tepër, që çelësi i shtrembër hap apo çkyç..!
Nuk di cila mendje normale edhe simbologjikisht pranon, bie dakort që një çelës është i shtrembër… Nuk di cila mendje normale, pranon hapje në çfarëdo sistemi me çelës të shtrembër..! Aq më tepër që Shkodra njihet për portat bujare të mikpritjes.
Arti mund të kërkojë dhe njohje, fjala vjen, pse është zgjedhur elementi hekur. Ngado në Shqipëri kemi grumbuj hekurishtesh, sidomos të makinave.
Shtuar dhe betonimin pa kriter në shkallë vendi e rajonale. Në Sahara, varëset me grimca rëre, zor se do pëlqeheshin. Ashtu dhe elemeti hekur që shtohet në rotondë, ku ka një trafik konstant e të dendur.
Ky raport hekur, më një situatë rrugore të ndërlikuar si rotonda, nuk lejon raportin e duhur të përjetimit të një vepre publike. Edhe Ejfeli ka një hapësirë të konsiderueshme, edhe pse një masiv hekuri. Një person i rëndësishëm në përgatitjen e kësaj vepre publike u shpreh në një gazetë se …” ky çelës do shkallmojë klasicizmin e kanonet e tij…”.
Në skulpturë shkodra nuk ka klasicizëm. Në letërsi, kemi klasicizëm, një është at Fishta… Turbo kultura kërkon terren që as e ka as do e ketë. Turbo kultura del me deklarata si epose të perspektivës e të ardhmes. Turbo kultura e gjen vendin në shkallmim të klasikes.
Ka luftra që shkallmojnë… Ka sisteme politike që shkallmojnë… Arti nuk e ka as dimensionin as prirjen të shkallmojë… Stilet gotike, rrokoko, eklektike, barok, dekonstruktive nuk rrënuan, përafruan shijet, mendësitë në raport me ndryshimet në kohë e estetikë, sikur edhe në konstruksione të veprave publike.
Arti, veprat publike nuk kanë nga mbrapa artileri që shkallmon për të hapur vendin. Vepra publike në rotondo vjen me një arrivizëm që Shkodra nuk e meriton! /Nga Arben HAVERI, regjisor/