Një fotografi e revistës “Minerva”, në një reportazh të vitit 1936, kur përurohej ura e Kamzës, ka fiksuar pranë e pranë, ministrin e Punëve Botore të asaj kohe, Ndoc Naraçi dhe bashkëshorten e tij, Evelin. Një çift i hijshëm, ku, veçanërisht zonja, spikat për stilin e saj. Njëlloj të dashuruar, njëlloj elegant e përshkruan çiftin Naraçi edhe pas gati 30 vitesh nga ajo ditë, Maksim Rakipaj, në librin e tij “I mbijetuar”, ku u kushton atyre një pjesë të titulluar “A dashuron më njeri kështu”?!
Ishte viti 1964, në atë kohë Maksi jetonte me familjen në Tresh të rrethit të Lezhës dhe një ditë të diel, u kishte ardhur në shtëpi për vizitë një çift, që zuri menjëherë vend në kujtesën e djalit 13 vjeçar.
“…Shikoja me habi çiftin që ngjante sikur vinte nga një udhëtim me makinën e kohës, për nga etiketa dhe edukata në të folur dhe jo vetëm. Edhe në krehjen e flokëve. Në veshje. Mënyra si e shikonin njëri-tjetrin, gjithë dashuri, si të porsafejuar adoleshentë…”, shkruan Maks Rakipaj, për Ndoc dhe Evelin Naraçin.
Pranëvënia e këtyre dy fotografive, njërës “shkruar me dritë”, e tjetrës me fjalë, të bën të mendosh se ato 30 vjet kanë rrjedhur butë, pa tronditje e pa sprova për marrëdhënien e këtij çifti, por ka qenë krejt e kundërta. Mes këtyre dy kohëve, çifti Naraçi kishte përjetuar sfida të pamenduara dhe kishte kaluar pengesa, ku shumë u rrëzuan.
U arrestua dhe u gjykua në “Gjyqin Special” të 1945-ës, ku u dënua me 30 vjet burg. Evelina mbeti e vetme, në një tokë të huaj. E megjithatë nuk pranoi të ndahej nga bashkëshorti e, të kthehej në vendlindjen e saj, Austri.
Ajo e priti Ndocin, të cilit iu fal një pjesë e dënimit dhe doli nga burgu, më herët seç ishte parashikuar. Ata u vendosën në Shkodër ku jetuan për vite me radhë. Ishte pikërisht kjo periudhë, kur shkojnë për vizitë në shtëpinë e Maksit të vogël dhe me gjithë ç’kishin kaluar dhe megjithëse, siç shkruhet në biografinë e Ndoc Naraçit “u lirua më 1958 dhe jetoi në qytetin e lindjes, në kushte tejet të vështira” ata, të dy, vazhdonin të rrezatonin dashuri e elegancë.
Kjo ishte fitorja e tyre ndaj diktaturës, një fitore jozyrtare, e regjistruar vetëm në ndonjë kujtesë, por fundja të vërtetat gjendeshin aty dhe jo në raporte zyrtare, të mbushura me “armiq të popullit” e, me “fitore të partisë”.
Nga Vjena në Tiranë
Ndoci u lind në vitin 1899, në një familje të njohur shkodrane. Mori mësimet e para në Kolegjin Saverian. Më pas, me anë të një burse nga qeveria austro-hungareze, shkoi në Vjenë, ku fillimisht kreu një shkollë të mesme ushtarake dhe më pas studimet e larta, për Inxhinieri Elektrike në Universitetin Politeknik të Vjenës, ku u diplomua në vitin 1926. Në sallonet e Vjenës, u njoh me Evelinën.
Evelina ishte e martuar dhe kishte dy djem, por mesa duket, ndjenjat për inxhinierin e ri shqiptar, ishin aq të forta, sa ajo vendosi që të linte familjen e saj dhe t’i bashkohej Ndocit në kthimin për në Shqipëri, ku erdhën si burrë e grua. Ishte zgjedhja e Ndocit, për t’u kthyer në atdhe, pavarësisht që i ofruan qëndrim dhe sistemim në Austri.
Ishte zgjedhja e shumë të diplomuarve në Perëndim të atyre viteve, që mendonin se do të peshonin më shumë në vendin e vet, siç edhe ndodhi deri në çastin kur u vendos regjimi komunist dhe ata nisën të dënoheshin një nga një.
Karriera e inxhinierit të ri në Shqipërinë e viteve ’20-’30-të, po ecte shkëlqyeshëm. Ai nisi të punonte si inxhinier, në vitet 1927-1929, në Ministrinë e Punëve Botore të asaj kohe, më pas për 4 vite, vazhdoi si profesionist i lirë dhe gjatë periudhës 1933-1944, me dy ndërprerje, qe drejtor i përgjithshëm i Drejtorisë së Përgjithshme të Postë-Telegrafëve në Tiranë. Ai ishte gjithashtu një nga themeluesit e Radio-Tiranës në vitin 1938.
Më 1935-1936, u emërua ministër i Punëve Botore, ndërsa më 1943, ministër i Ekonomisë Kombëtare dhe zëvendësish ministër Arsimi, në kabinetin e parë të Ekrem Libohovës. Detyrën e ministrit të Punëve Botore, e mbajti edhe për tre javë në vitin 1943. Pikërisht për këtë periudhë tre-javore, siç shkruan studiuesi Kastriot Dervishi, ai do të arrestohej dhe do të gjykohej në “Gjyqin special”, “për kriminelët e luftës dhe armiqtë e popullit”, në vitin 1945.
Dënimi që nuk ndërpreu dashurinë
Dhe pse, për pak kohë, gjatë pushtimit gjerman, Ndoc Naraci, ishte në postin e ministrit, nuk mund të thuhet se ai ishte ndër të privilegjuarit e asaj periudhe të errët. Përkundrazi, ajo ka qenë një periudhë ankthi për familjen e tyre, pasi Evelin ishte me origjinë hebreje dhe kjo mjaftonte për ta jetuar nën kërcënim, pushtimin nazist.
Megjithatë, ajo, si çdo hebre tjetër në Shqipëri, nuk pati asnjë pasojë. Vetëm se ndryshe nga të tjerët, ajo nuk mundi të merrte frymë lirisht , ta festonte largimin e gjermanëve nga Shqipëria. Një ditë para çlirimit zyrtar të Tiranës, Ndoci arrestohet nga komunistët. Nga 16 nëntori 1944 e, deri më 1 mars 1945, kur nisi “Gjyqi Special”, ai iu nënshtrua procesit të hetimeve dhe pas një muaji e ca seancash gjyqësore, të drejtuara nga gjeneral-leijtnant, Koçi Xoxe, mësoi dënimin me 30 vjet heqje lirie.
Maksim Rakipaj shkruan në librin e tij që Evelinën e ftuan të largohej nga Shqipëria si shtetase e huaj, por ajo nuk pranoi. Megjithëse e rritur me gjithë të mirat në vendin e saj dhe me gjithë jetën komode që kishte pasur gjatë qëndrimit në Shqipëri, si bashkëshorte e një inxhinieri të dëgjuar, me poste të rëndësishme, ajo pranoi t’u nënshtrohej punëve të zakonshme si rrobalarëse.
Duke qenë njohëse e 4-5 gjuhëve të huaja, Evelin, jepte privatisht edhe mësime gjuhësh, që do e ndihmonin për të mbajtur veten dhe bashkëshortin në burg. Edhe më i egër ishte kontrasti në jetën e Ndocit, i cili nga inxhinier e ministër, iu desh të punonte punëtor në hapje , për tharjen e kënetave. Bëri edhe punë intelektuale të detyruar, duke përkthyer librin e Pevsner, “Jeta e dyfishtë e Yevno Azef”, me porosi të ish-shefit të Degës së Brendshme, Halim Xhelo, i cili më vonë përfundoi vetë në burg.
Ishte 59 vjeç, kur më 14 korrik të 1958-ës, Ndoc Naraçi doli nga burgu, i dobësuar nga tronditja, torturat, kushtet e kampeve e burgjeve dhe puna e rëndë. E ardhmja, nën regjimin që e kishte shpallur armik, ishte e pashpresë, megjithatë një dritë ia ngrohte zemrën, Ndocit: Evelina, që e kishte pritur duke treguar se do ishte në krah të tij, edhe në të keq. Aq të mjera ishin rrethanat, sa pavarësisht moshës së shtyrë, atij iu desh të punonte, edhe pas daljes nga burgu, në tharjen e kënetave.
Fodullëku i regjimit komunist përçmonte ekspertizën e një inxhinieri të diplomuar në Vjenë dhe kënaqej duke e vënë të punonte me kazmë e lopatë nëpër moçalishte, edhe pasi ai e kishte kryer dënimin. Çifti nuk kishte më vend, as në Tiranë.
Ata i çuan në Shkodër, vendin e lindjes së Ndocit, ku jetuan për vite me radhë, këtë epokë të tretë të jetës së tyre së bashku, pas asaj në kryeqytetet e Austrisë dhe Shqipërisë.
Kaq herë dhe kaq shumë ndryshuan sfondet në fotografitë e jetës së tyre! Vetëm ata mbetën të njëjtë.