Vite më parë bëra këtë shkrim, që u botua në shumë gazeta e portale. Meqë fb ma risolli, sot e blatoj si ex- voto, pra si homazh e nderim për dy miq tê mitë, Bardh Smaja e Albri Brahusha, duke shpresuar se edhe leximi i sotëm shpreh dashuri e nderim për emrin e këtyre dy artistëve.
Atëbotë shkrova:
Ëndrra “Eldorado”
Këto ditë u luajt në skenën e teatrit “Migjeni” komedia “Eldorado” e autorit Albri Brahusha, me regji të Fatbardh Smajës. Duke e ndjekur këtë vepër në skenë dhe sidomos pas përfundimit të saj, i pari mendim që të vjen është konstatimi tashmë i qartë për rikthimin e vlerave të vërteta, të munguara gjatë në skenën e këtij teatri, por edhe të teatrit tonë në përgjithësi. Por spektatori ka mbetur i zgjuar dhe mbi të nuk ka ndikuar shija e gatimeve të ngutshme të llojllojshme që kanë dashur t’i japin kuptim çdo gjëje të zakonshme pa asnjë motiv estetik apo ideor. Përkundrazi, ky publik ka qenë dhe mbetet në pritje të vlerave, i njeh mirë ato dhe me qëndrimin e vet i vendos aty ku kanë vendin.
Duke pasur parasysh të gjitha funksionet e këtij arti kaq sinkretik, sa ç’është teatri dhe pa hyrë në analiza teorike, “Eldorado” është një klithmë kolektive që duket se buron nga shpirti i individit për të marrë përmasa korale. Titulli vetë është alegorik në çdo rrafsh, sepse njeriu ka shpresuar gjithmonë tek shkopi magjik, tek çudia, tek ëndrra, tek e pamundura deri në paradoks dhe absurd, të cilat kanë fjetur e vazhdojnë të flenë përherë në shpirtin e qenies njerëzore. Por të gjitha këto kalojnë në një ankth përvëlues kur gjenden në realitete që kufizojnë me vetë absurdin. I tillë është realiteti brenda dhe jashtë ëndrrës “Eldorado”, që serviret nga teksti i dramaturgut Brahusha, regjia e regjizorit Smaja dhe loja mjaft e arrirë e aktorëve të teatrit “Migjeni”. Përpjekjet për ta klasifikuar këtë vepër kanë prodhuar nga njohësit e teatrit cilësime të ndryshme, si komedi, komedi e zezë, gri, tragjikomedi ose, moderne, absurde, tradicionale, popullore etj.
Nga ana tjetër, ka pasur përpjekje për të zbuluar mesazhin kryesor të saj (përpjekje tashmë e tejkaluar për perceptimin modern të artit apo perceptimin e artit modern), duke u nisur nga replika dhe situata mbresëlënëse të veprës sipas këndvështrimeve të ndryshme subjektive. Në fakt, të gjithë kanë të drejtë pjesërisht, por askush nuk mund ta klasifikojë plotësisht as në një nënlloj dhe as vetëm në një mesazh apo ide kryesore që përcjell. Dhe ky fakt është në shumë vepra artistike një nga treguesit më themelorë të vlerave. Gjithçka buron nga një shkrepje intuitive, thuajse një iluminim që ka ndodhur në çastin e krijimit të tekstit nga autori.
Një lojë gati e rrezikshme artistike që shkarkohet në një kontrast befasues. Kontrast që buron nga pranëvënia e guximshme e së bukurës me të shëmtuarën, e rrezikut nga epidemia me pragun e lumturisë, e neverisë me shkëlqimin dhe, për ironi të fatit, të bukurën e prodhon e shëmtuara, epidemia jep lumturinë, neveria jep shkëlqimin, sepse në jashtëqitjen njerëzore zbulohet përmbajtja e arit. Kjo ligjësi e gjërave të veçanta bëhet paradigma e krejt veprës, e cila zë fill nga vulgariteti i neveritshëm, në një atmosferë naiviteti gati foshnjarak, duke komunikuar me spektatorin me regjistrin e një ligjërimi thuajse bisedor, shoqëruar me vargje filastrokash e kalamburesh të denja për karnevale dhe duke u plazmuar hap pas hapi, për të marrë shkëlqimin përfundimtar të një vepre të suksesshme e krejtësisht të veçantë.
Fabula, që transmetohet me anë të tre mjeteve: nga fjalët e autorit, nga personazhet dhe nga kori është e thjeshtë. Në një vend, që autori e quan sipër vendit (surreal) ka rënë një epidemi e tmerrshme, shkaktuar nga një virus anonim. Banorët i ka pllakosur një diarre e llahtarshme dhe gjithë ditën e kalojnë në banjë. Qyteti është mbuluar i tëri nga jashtëqitja. Në këto kushte, doktor Allamani bën një zbulim gjenial. Zbulon përqindje ari në jashtëqitjen njerëzore dhe me formulën e tij magjike jep edhe raportet proporcionale mes xeherorit dhe metalit të çmuar. Ky tejkalim i çdo alkimie e përmbys tërësisht situatën dhe ndërhyn rëndshëm në shpirtrat e individëve si një “coup de foudre”, që i kthen menjëherë gjërat së prapthi. Absurdi nis edhe një herë nga fillimi, por në përmasa të reja më intensive e gati të pakontrollueshme, deri në dramaticitet. Të gjithë e shohin veten të mundshëm për t’u pasuruar, sepse burimin e pasurimit e posedojnë të gjithë.
Në këtë turravrap të ethshëm drejt lumturisë, ku bëhen e zhbëhen plane, shpalosen egot njerëzore, tashmë të asgjësuara nga forca e arit. Zbulohen intriga dhe mëkate të mëparshme dhe lindin të reja. Çekuilibrohen deri në asgjësim marrëdhënie të ndryshme njerëzore në atmosferën e një arlekinade groteske: burri nuk i beson gruas vartësja nuk i bindet shefit shoku i druhet dhe intrigon shokun nën ankthin përvëlues drejt rrugës për në Eldorado. Por në gjithë këtë realitet vazhdon të mbetet e pazhbërë fuqia e mëparshme e pushtetit: ata mund t’ia marrin popullit edhe këtë burim të VETËM pasurimi. Kjo frazë tragjikomike, në fakt shpalos fatalitetin ekzistencial të njeriut që gjendet në një sistem të tillë vlerash. Por forca e pushtetit pasqyrohet edhe në prepotencën dhe hierarkinë e shteteve të huaja, tashmë të interesuara për arin shqiptar. Askujt nuk i shkon mendja tek neveria e burimit të arit. Madje fillon të kihet respekt për të. Flitet për sasi të ndryshme dhe për mundësi dhe forma “demontimi” me një seriozitet dhe interesim të ethëm. Dhe këtu individi, struktura, deri edhe shteti e humbin luftën me moralin.
Prova e moralit rrëzohet në rrafsh global. Sepse aroma e këndshme buron nga kundërmimi i gjërave të neveritshme. Kjo është klithma individuale e autorit që arrin të bëhet korale. Kjo kokëulje është një nga pikat ku vepra bëhet më universale dhe objekt i ontologjisë. Dhe ëndrrat e futura brenda kësaj ëndrre nuk kanë të sosur. Përveç pasurimit duam edhe dinjitetin. Të vijnë të tjerët për viza në vendin tonë, siç kemi shkuar ne dikur. Hakmarrje, mllef, djallëzi, etje, të grumbulluara në shpirtin e një komuniteti të frustuar rregullisht. Të gjitha këto dhe të tjera emocione, mesazhe, humor, trishtim, refleksion futen në rezonancë me spektatorin falë një regjie tepër të studiuar të Fatbardh Smajës, që me intuitën e artistit shumëdimensional ka ngritur arkitekturën e kësaj vepre, duke operuar plot fantazi me tekstin, elementet e skenës dhe përzgjedhjen e lojën e aktorëve. Komedia ka gjashtë pamje apo skena, që lidhen me njëra- tjetrën përmes interludeve korale të ekzekutuara me lëvizjet elegante të një grupi të rinjsh.
Jehona vargjesh popullore në formë namatisjesh dhe epigramesh, nganjëherë të modifikuara apo të pasuruara (rikrijuara) nga regjizori Smaja sipas situatave që paralajmërojnë, nganjëherë bio, siç i ka krijuar populli shoqëruar me tinguj ritmikë, lidhin dhe harmonizojnë të gjitha skenat, realizojnë kohezionin e veprës, duke i dhënë asaj gjithë lëngun e jetës dhe e përfshijnë spektatorin në një atmosferë alternative. Në këtë pikë duhet vërejtur dhe theksuar vokacioni dhe formimi i gjerë muzikor i regjizorit, jo vetëm në përzgjedhjen e motiveve dhe ritmeve, por edhe në krijimin e efekteve të tjera zanore apo intuita dhe marrëdhëniet e mira të tij me artet figurative për të ndërtuar me elemente të thjeshta, por me peshë të mjaftueshme simbolike dekorin e skenës. Zëri i autorit përcillet nga Merita Smaja, e cila, me plastikën e interpretimit dhe elementin fabulesk të veshjes (bishtin e dhelprës) transmeton dhe ekuilibron frymën fshikulluese të veprës. Loja e aktorëve është mjaft e realizuar. Ata arrijnë t’u japin profile të veçanta edhe personazheve që janë krijuar thjesht dhe vetëm si fiksione dukurish, duke i dhënë veprës hera- herës tiparet e një komedie karakteresh.
I tillë është Ben Spahia në rolin kyç të doktorit. Falë tipareve dhe aftësive individuale, ai i jep personazhit një profil krejt të veçantë duke e gdhendur fort edhe si karakter, edhe si dukuri. Po kështu, Aktorja e re Sara Smaja me zhdërvjelltësinë e interpretimit, sigurinë e komunikimit skenik, freskinë e lëvizjeve dhe elegancën natyrale transformon figurën e një personazhi të përgjithshëm në diçka të veçantë. Një punonjëse e thjeshtë administrate që ushtron përmes hireve të saj prej balerine koketë pushtetin e saj të vjetër sa bota ndër personat e gjinisë mashkullore. Po kështu, aktorja e njohur Rita Gjeka, përmes profesionalizmit të saj, si dhe shkrirjes me rolin, transmeton me elegancë tragjikomizmin e situatave, duke paraqitur ato copëza jete, ku makutëria, intriga, xhelozia janë trysnuar nga qëllimi për të kapur Eldoradon.
Petriti (Agron Dizdari), një personazh i realizuar mjaft mirë që përfshihet i tëri në ëndrrën e madhe, vjen në këtë rol me një freski dhe përqendrim rinor. Interesant për nga zhvillimi përgjatë situatave, por edhe nga plotësia dhe forca imponuese e karakterit, është zjarrfikësi (Jozef Shiroka). I futur si një personazh episodik, merr dora- dorës tiparet e një tartufi, duke u bërë nyja e një vargu ngatërresash dhe gjeneza e thashethemnajës. Ndërsa Maksuti (Emiliano Palali), një maksut i ri në moshë, tashmë ka kaluar prova serioze dhe është një nga aktorët më premtues. Ky bashkëpunim i aktorëve të rinj me aktorët tashmë të njohur, përbën një frymëmarrje shpresëdhënëse për skenën e teatrit “Migjeni”. /Nga Zija VUKAJ, publikuar në Facebook/