Akoma nuk i ka mbushur 22 vitet e jetës por ka një ndjeshmëri shumë të lartë sociale. Këngëtarja shkodrane Klodiana Vata, një artiste tashmë e konsoliduar dhe me ngritje profesionale të pandërprerë, ka trajtuar një rrjetet e saj sociale një fenomen që po godet ashpër, fort, pa mëshirë, shoqërinë shqiptare: dhunën ndaj gruas!
Pavarësisht se është fizikisht larg atdheut për shkak të shkollimit, Klodi, siç e thërrasin ata që e njohin nga afër, ndjek me shqetësim atë që ndodh në vendlindje. Duke marrë shkas nga ngjarja tragjike e orëve të fundit, ku një grua i dha fund jetës duke u vetëmbytur në lumin Buna në Shkodër, 22- vjeçarja bën një analizë të fortë të fenomenit të dhunës ndaj grave, duke kërkuar reagimin e shoqërisë shqiptare.
PUBLIKIMI I KLODIANA VATA NË RRJETET SOCIALE
Të dashur miqtë e mi! Megjithëse larg, si çdo shqiptar sytë e veshët i kemi nga kemi ardhur dhe aq sa gëzohemi për lajmet e mira, aq mërzitemi për lajme si ky i sotmi, ku një zonje e nderuar e një familjeje të nderuar, humbi jetën duke u vetëmbytur. Kjo ngjarje e tmerrshme u pa nga 30 burra (të cilët nuk meritojnë të quhen të tillë) të cilët nuk morën mundimin më të vogel për ta shpëtuar apo ndaluar këtë veprim.
Krahas ngushëllimit për familjen e të ndjerës, gjej rastin të tërheq vëmendjen për çfarë po ndodh ndaj grave. Vërej një dhunë epidemike si në zonat e luftës ku nuk ke luksin të flasësh për rregulla e ligje. Gratë dhe vajzat po vuajnë sot nga veprimet ekstremisht të dhunshme të burrave dhe kjo ndodh për shkak të dështimit tonë si shoqëri, si shtet, si familje.
Jam shumë e keqardhur për rastin se si u trajtua nga pushteti vendor, shoqatat dhe në përgjithësi gratë shkodrane, edhe rasti i Alma Arrazit. Minimumi ishte të mbahej ditë zie, të dilnin gjithë gratë dhe burrat e qytetit ti jepnin lamtumirën atyre tre qënieve të pafajshme e nënës së tyre që në një gjendje tejet të renduar psikologjike, ndërmori aktin ekstrem. Deri kur duhet të fshihemi pas gishtit? A e fsheh heshtja jonë vdekjen???
Përkundrazi është heshtja ajo çka i bën këto monstra të ndihen edhe më superiorë dhe të dhunojnë femrën. Gratë e dhunuara po gjykohen e përgojohen në vend që të mbeshteten. Një çmenduri që zbret nga ligjvënësit, gjyqësori e që vazhdon deri tek ekzekutivi. Urdhra mbrojtjeje pa fund dhënë nga gjykata për bashkeshorte që në fund të ditës ndajnë të njejtin ambient banimi, të njëjtën kuzhinë, të njëjtën dhomë!!! Ku është mbrojtja këtu?!
Gra që nuk kanë mundësinë e akomodimit nga ana e pushtetit vendor dhe as mundësinë e punësimit apo ushqimit për fëmijët e tyre. Kjo është zgjidhja që ne kemi për viktimat e dhunës në familje?? Kështu stimulojmë ne gratë që të mos heshtin? ‘Çfarë u ofron ligji? Pushteti lokal? Shoqatat?
Jemi kthyer thjesht në sehirxhinj që komentojmë nëpër kafe gratë duke i gjykuar e përgojuar e duke bërë sikur na dhimsen ne më shumë femijët e tyre sesa atyre që sakrifikojnë edhe jetën për ta. Eshte momenti që jo vetëm gratë por gratë dhe burrat bashkë, të reagojmë sa më shpejt ndaj kësaj epidemie që po mbyt femrën dhe familjen shqiptare, pasi femra është ajo që krijon e mban familjen dhe dhuna ndaj saj është dhunë ndaj gjithë shoqërisë.